E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dorëheqja e Nanos është “punë për të”

15/02/2005  Ka disa ngjarje dhe akte politike, deklarata apo gjeste, të cilat nuk mund t‘i shpëtojnë komentimit. Një prej tyre, e zgjedhur enkas nga Kryeministri dhe lideri i shumicës Fatos Nano, për t’ia arritur pikërisht komentimit, është dhe deklarata e tij se, nëse “humbte zgjedhjet e ardhshme parlamentare, ai do të jepte dorëheqjen”.

Kjo deklaratë duket se i jep zgjidhje, apo një farë zgjidhje atij obsesioni në mjedise të shumta politike, mediatike, ndërkombëtare apo opinionbërëse në Shqipëri dhe jashtë saj, por me rol dhe vendimmarrje mbi vendin tonë mbi “largimin e Nanos dhe Berishës dhe politika”.

Më në fund pra, nëse do të kemi zgjedhje të lira, dhe nëse shefi i shumicës nuk do të arrijë ta mbajë në pushtet partinë e tij, ai do t’i ofrojë asaj dorëheqjen, duke njohur përgjegjësinë e tij për humbjen. Një praktikë e tillë ndiqet në shumë vende demokratike, ose më saktë ka filluar të ndiqet në gjithnjë e me shumë vende demokratike, nisur nga modeli amerikan, sipas të cilit partitë janë “makina elektorale”, të cilat kanë për qëllim të marrin pushtetin. Në këtë logjikë, ai “shofer,” apo ai drejtues, që humb apo nuk fiton, nuk qëndron më për një mandat apo kandidim tjetër.

Kjo është një nga mënyra se si demokracia amerikane i ka dhënë zgjidhje, së bashku me shumë mënyra të tjera, ku bën pjesë limitimi i mandatëve për presidentin apo për governatorët e shteteve, idesë së përtëritjes së elitës politike apo shkatërrimit sistematik të “qarqeve të shkurtëra” që krijon një njeri në pushtet kur qëndron aty për një kohë të gjatë. Në të njëjtën kohë, në një jetë politike partiake fare pak të institucionalizuar, siç është ajo e partive amerikane, është shumë e vështirë, gati e pakonceptueshme që një kandidat për president a governatar, një kandidat për dhomën e përfaqësuesve apo një senator të arrijnë të marrin fonde, apo të grumbullojnë mbështetje politike dhe elektorale kur janë “damkosur” një herë si humbës. Kjo i shpie ata detyrimisht drejt heqjes dorë nga mandati i tyre një herë tjetër kur janë humbës.

Për t’u kthyer tek obsesioni shqiptar për të larguar nga politika “Nano–Berishën”, të cilit i dha një përgjigje para disa ditësh, pra Kryeministri Nano, mund të themi se debati për përtëritjen politike në Shqipëri bëhet në një terren krejt tjetër.

Largimi i Nano–Berishës është pretenduar në një moment kur në Shqipëri nuk ka akoma zgjedhje të lira dhe ku ne nuk e dimë “kush është kush” në politikën shqiptare. Pra, kur nuk e dimë cili është humbësi apo fituesi i vërtetë i zgjedhjeve. Në vend që të insistohet për zbatimin e procedurës demokratike, për zbatimin e standardeve politike në zgjedhje, për t’ia lënë pastaj logjikës së organizimeve politike të ardhmen e liderve të tyre, është tentuar që gjërat të rregullohen si një zgjidhje “deux ex machine”. Pra, me largimin e personave.

Kjo retorikë i ka sjellë një dëm të jashtëzakonshëm, jetës politike dhe në paradoksalisht ka qenë një nga mekanizmat me anë të cilave përkundrazi është forcuar autoriteti dhe legjitimiteti i Nanos–Berishës.

Kjo retorikë e ka zhvendosur presionin pozitiv të agjentëve të ndryshëm të shoqërisë, mes të cilëve edhe media apo opinion – bërja, nga presioni për respektimin e standardeve demokratike, te një presion etiko–moral mbi njerëzit dhe politikëbërësist.

Edhe pse duket një “deklaratë e shumëpritur”, deklarata e zotit Nano në fakt nuk ka kurrfarë dobie për përmbajtjen e debatit politik sot në Shqipëri. Se çfarë do të bëjë partia e tij me liderin që nuk e mbajti dot në pushtet, kjo me të vërtetë nuk ka asnjë interes më shumë sesa për kulisat politik të lidershipit të Partisë Socialiste apo të së majtës shqiptare.

Thelbi i asaj që pretendohet nga Nano si kryeministër dhe kryetar i shumicës që qeveris vendin është një dhe i vetëm: pse kanë dështuar apo kanë ngecur reformat në vend, pse janë përkeqësuar treguesit ekonimikë e socialë në vend, pse është rritur korrupsioni dhe moszbatimi i ligjit. Nga ana tjetër cilat janë idetë e Kryeministrit mbi të projektin e ardhshëm elektoral të Partisë Socialiste. Të tjerat janë me të vërtetë “punë e tij, punë e të vetëve”.

Kryeministri Nano në kronikën politike të Shqipërisë njihet si njeri i thyrjeve të forta dhe i “lajmit politik”. Me lëvizjet e tij, ai ka bërë gjithnjë “lajm politik”. Fatkeqësisht për karrierën e tij dhe për qytetarët shqiptarë nuk ka arritur asnjëherë të qeverisë në nivelin e deklaratave të tij. Më 1992, ai së bashke me ish-kryeministrin grek, Papandreu, firmosi deklaratën e famshme “Ballkani ballkanasve” në një kohë kur shqiptarët ishin duke gjetur te Shtetet e Bashkuara të Amerikës një aleat të madh për të zgjidhur çëshjen kombëtare shqiptare në Kosovë dhe Malin e Zi. Në vitin 1996, ai harton mocionin e famshëm, ku përmbys që nga burgu lidershipin e partisë së tij të gjithin. Më 1998, ai tërhiqet nga kryeministër dhe më 1999, ai “tërhiqet nga drejtimi i Partisë Socialiste” për shkak të situatës ku ishte kjo parti dhe të shënjestrës, në të cilin e kishin vënë aleatët ndërkombëtarë figurën e tij në kontekstin e luftës në Kosovë.

Kurse më 2001, ai ndërmerr Lëvizjen për Katarsis, i cili solli rrëzimin nga pushteti dhe më pas ikjen nga Partia Socialiste të Ilir Metës dhe ish–grupit të tij, një investim i fortë i Perëndimit për lidershipin e Partisë Socialiste.

Siç shihet nga një koleksiomin i thjeshtë, zoti Nano ka material të bollshëm për çdo biograf të tij, apo për autobiografinë e tij. Politika moderne është diçka tjetër, ose më saktë edhe diçka tjetër. Eshte efektivitet në qeverisjen për qytetarët dhe shoqërinë. Këtu ai ka çaluar vërtet. Duhet më në fund të kemi zgjedhje të lira për të matur në publik reagimin e qytetarëve për qeverisjen e tij. Me atë se çfarë do të bëjë ai më pas, nëse konsensusi elektoral nuk shkon më në drejtim të tij, kjo është vërtet “punë e tij”. Ta komentosh ndryshe këtë deklaratë të zotit Nano, do të thotë ndoshta që realisht të biesh në kurthin komunikativ ku ai i fut shpesh të gjithë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›