E Hënë, 2 Nëntor 2026

Popullsia 2003–2021, kombi që rrezikon të plaket

15/02/2005  Femrat arsimohen më shumë, paguhen më pak. Punësimi, mazhoranca vetëm në punën në ara

Shqiptarët vazhdojnë të jenë një popull me moshë të re, por e ardhmja nuk është e sigurtë. Jo vetëm plakje e popullisë, por më shumë emigracion, më pak lindje, madje dhe më pak kufij, do të jetë Shqipëria dhe shqiptarët e 2021-shit. INSTAT ka publikuar të dhënat më të fundit mbi popullsinë e 2003-shit, bërë të ditur se 3.1 milionë banorë kanë qenë të regjistruar për këtë vit, ndërkohë që mendohet se në 2021-shin numri i tyre do të arrijë në 3.7 milionë banorë. Vetëm 600 mijë shqiptarë do të jetë shtesa e popullisë pas 16 vjetësh dhe INSTAT ka lajmëruar se lëvizje të mëdha migrative do të ndodhin gjatë këtyre viteve. Ndërkaq, mosha mesatare e regjistruar është 77 vjeç për femrat dhe 72.1 vjeç për meshkujt. Por shqiptarët, përveçse janë jetëgjatë, kanë dhe kombin me moshën më të re në Evrokjhhhhpë. Sot mbi 59.5 për qind të saj e përbëjnë të rinjtë, deri në moshën 34 vjeç. Në fund të vitit 2003, kategoria e popullsisë që mbushi moshën e pensionit zinte 13.6 për qind të popullsisë gjithsej. Një hulumtim mbi jetën sociale të shoqërisë shqiptare ka treguar se nga viti në vit rritet numri i divorceve, që në 2003-shin llogaritet 13.3 divorce në 100 martesa. Por ky nuk është i vetmi fenomen negativ i konstatuar në 2003-shin. Niveli arsimor është një tjetër tregues, që dënon ashpër në shoqëri statusin e femrës. Ndërsa kur flitet për nivel arsimimi, femrat shqiptare janë më të suksesshme sesa meshkujt, kur vjen fjala për punësim, statistikat ndryshojnë dukshëm. Sipas statistikave, pas përfundimit të çdo viti shkollor me arsim të mesëm dhe të lartë, nxënëset dhe studentet femra janë më të shumta, pavarësisht se ka më shumë meshkuj të regjistruar në krahasim me femrat. Pas përfundimit të shkollës 8-vjeçare, ose viteve të para të shkollës së mesme, meshkujt preferojnë të futen në tregun e punës, ose të emigrojnë jashtë vendit, duke mos përfunduar shkollën, ndërsa femrat preferojnë të përfundojnë studimet. Megjithatë, niveli arsimor i femrave në Shqipëri është më i ulët në krahasim me vendet e tjera. 27% e femrave të moshës 15 vjeç e lart, kanë përfunduar shkollën e mesme, ndërsa 13 për qind kanë përfunduar studimet universitare. Kjo lidhet me faktin që, në zonën fshatare të vendit pjesëmarrja e femrave në shkolla është e ulët dhe shpesh femrat në zonat fshatare, pasi përfundojnë arsimin 8-vjeçar, nuk preferojnë të vazhdojnë shkollat. Pikërisht këtu ndryshojnë dhe statistikat. Në 100 meshkuj, vetëm 28 prej tyre llogariten inaktivë në tregun e punës, ndërsa në 100 femra, 52 prej tyre janë inaktivë në këtë treg. Kjo diferencë vihet re në të gjitha grupmoshat. Gjatë këtij viti ishin punësuar 926 mijë persona, nga të cilët 579 mijë janë meshkuj dhe 347 mijë janë femra. Nga viti 1993-2003, analiza tregon se niveli i punësimit të femrave është dukshëm në ulje, se sa ai i meshkujve. Në nivelin e të punësuarve për vitin 2003, meshkujt zënë 62.6% të të punësuarve, ndërsa femrat vetëm 39.1%. Sa i përket statusit në punësim, të punësuar apo të vetëpunësuar, vihet re një përqindje e lartë e femrave të vetëpunësuara në bujqësi, me 52.6 për qind. Duket se puna në arë është i vetmi treg ku ato triumfojnë. Jo vetëm kaq, por dhe paga e femrave të punësuara në të gjitha degët e ekonomisë, është më e ulët sesa e meshkujve dhe, kjo diferencë është më e lartë tek të punësuarit me pagë në sektorin privat, jo bujqësor. Por në sektorin shtetëror, kjo diferencë është e papërfillshme.

2021, Shqipëria do të jetë një komb i plakur

Duke njohur dhe studiuar të tashmen, INSTAT ka parashikuar jetën pas dhjetë vjetëve, duke lajmëruar institucionet që organizojnë politika, se Shqipëria nuk do të jetë më pas dhjetë vjetëve kombi me moshën më të re të popullsisë, ndërkohë që Veriu rrezikon boshatisjen, falë lëvizjeve imigrative. „E ardhmja, kushdoqoftë ajo, do të jetë gjithnjë e më e pasigurtë”, thotë INSTAT në publikimin e saj të fundit, ku parashikon, mbështetur në statistikat e sotme, kush do të jetë popullsia shqiptare në 2021-shin. Rreziku i vdekjeve do të jetë i lartë, por numri i lindjeve i vogël, sepse familjet përplasen gjithnjë e më shpesh me halle financiare. Kufijtë me fqinjët do eliminohen, por jo hemorragjia e shqiptarëve jashtë kufijve, madje, as hemorragjia e banorëve nga Veriu. Shqipëria ka diferenca të mëdha për sa i takon vdekshmërisë foshnjore, lindshmërisë, por dhe treguesve të tjerë social me vëndin fqinjë Italinë. Por parashikimet e INSTAT në supozimin më të mirë të saj, tregojnë se hendeku,që ekziston mes dy vëndeve në disa drejtime do të kapërcehet deri në vitin 2021.Duke u mbështetur në treguesit e parashikuar mund të thuhet se nga pikpamja sociale shqiptarët do ta ndjejnë veten njëlloj të barabartë me kombe e tjera të zhvilluara të Mesdheut. “Të parashikosh me anë të projeksioneve se cila do të jetë popullsia shqiptare në 2021-shin, është një bonus që i bën shoqërisë për të gjetur dhe zbatuar format më të mira që ndihmojnë në zbutjen e varfërisë, barazinë gjinore dhe ngritjen e nivelit të jetesës”, thotë Milva Konomi, në parathënien e një prej serive të studimeve të ndërmarra nga INSTAT. Nga regjistrimi i fundit i popullsisë, del se në Shqipëri jetojnë 3.069 milionë banorë. Por, sipas parashikimeve, në 2021-shin ata që do të kenë pasaportë shqiptare, do të jenë 3.725 milionë banorë, pra, rreth gjysmë milioni më shumë. “Parashikimet e popullsisë mbështeten në shumë tendenca, ku më të rëndësishmet janë lëvizja demografike dhe plakja dhe shumëllojshmëria e tyre na kujton se e ardhmja është e pasigurtë”, thuhet në raportin e INSTAT.

Specialistët që kanë përgatitur raportin, kanë bërë të ditur se janë mbështetur në supozimet e tyre për të ardhmen në dy regjistrimet e fundit të popullsisë, përkatësisht në ‘89 dhe në 2001. Duke patur parasysh rritjen e popullsisë mes dy regjistrimeve, fluksin e emigracionit, lëvizjet demografike, janë parashkikuar dhe cilat do të jenë lëvizjet e popullsisë në dhjetëvjeçarin e ardhshëm. Kështu është bërë e ditur se, në Veri lindshmëria është më e lartë se mesatarja e lindshmërisë në gjithë vendin dhe emigracioni i brendshëm në shkallë të gjerë. Në pjesën tjetër të vendit, lindshmëria është pak më poshtë mesatares së vendit, pak më e ulët në Jug sesa në qendër, ka shpërngulje të popullsisë nga zona e jugut të ardhur në Durrës dhe në Tiranë dhe një ekuilibër mes hyrje-daljeve në pjesën tjetër të Shqipërisë Qendrore. “Po të bazohemi në metoda krahasuese, mund të thuhet se indeksi i lindshmërisë në 2001-shin ishte më i larti në të gjithë Evropën”, thuhet në raport. Ne jemi të vetmit, bashkë me Islandën, me dy lindje për grua. Por, Shqipëria është dhe vendi me rënien më të shpejtë të lindshmërisë në dekadat e fundit, bashkë me një numër të vogël vendesh që sapo kanë fituar pavarësinë, si Kaukazi dhe Azerbajxhani. Në kryqëzimin e dy lëvizjeve, Shqipëria dhe Ballkani rrethohen me disa vende me lindshmëri më të ulët, si Italia në Perëndim, ose Bullgaria në Lindje, me më pak se 1.3 lindje për grua. “Në parashikimet për të gjithë vendin, supozojmë se lindshmëria do të vazhdojë të bjerë në mënyrë lineare në dy dekadat e ardhshme drejt mesatareve deri në 1.8 fëmijë për grua, ose në nivele më të ulëta 1.4 fëmijë të gjallë të lindur për grua”, thuhet në raportin e INSTAT.

Parashikimet e INSTAT për 2021

Për të ardhmen, supozimi ynë i parë është se rreziqet e vdekshmërisë në Shqipëri, do të mbeten të pandryshuara deri në 2021.

Për të ardhmen supozojmë se lindshmëria do të bjerë në mënyrë lineare drejt mesatareve deri në 1.8 fëmijë për grua, ose në nivele më të ulëta, 1.4 fëmijë të gjallë të lindur për grua.

Në të ardhmen supozohet se imigracioni i brendshëm i viteve 2000–2001 do të ruhet deri në 2021

Hendeku i tanishëm me Italinë do të zhduket brenda dy dekadave, nga 2001–2005 dhe 20021–2025

2003 3.126 milionë banorë

2021 3.725 milionë

Femra 50.2 për qind

Meshkuj 49.8 për qind

Mosha 77 vjeç femrat

Mosha 72.1 meshkujt

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›