Dorëhiqet presidenti i Apolonisë, polemika dhe akuza ndaj FSHF-së
Që nga dita e djeshme, Apolonia, nuk do ta ketë më presidentin e saj, Endri Puka. Në përfundim të ndeshjes ndaj Dinamos, e cila u shoqëruar me tension, polemika dhe kontestime të shumta për vendimet e gjyqtarit të ri, Edvin Hoxha, për një penallti të padhënë dhe për një gol të parregullt në rastin e Diop, ai ka vendosur të japë dorëheqjen. Humbja e padrejtë, që sipas tij është gatuar jashtë lojës së ndershme, e cila duhet të luhet nga dy skuadra në futboll, 11 lojtarë kundër 11 të tjerëve, pa interferenca të gjykimit, siç ndodhi në sfidën Dinamo-Apolonia 3-2, ka bërë që të rishikojë pozicionin e tij edhe presidenti i Apolonisë, Endri Puka. I lodhur dhe shumë i zhgënjyer nga ky lloj futbolli që po luhet në Shqipëri, ku edhe në mes të Tiranës, në stadiumin kombëtar "Qemal Stafa", sipas tij, vendosin gjyqtarët dhe faktorë dytësorë, numri një i klubit fierak ka vendosur të japë dorëheqjen nga posti i tij. Lidhur më këtë veprim, presidenti i Apolonisë, Endri Puka, ka komentuar: "Në këto dy vite që kam ushtruar funksionin si president i Apolonisë kam punuar me filozofinë që shumë shpejt Federata Shqiptare e Futbollit do të krijonte rregulla të barabarta loje për të gjitha skuadrat. Për fat të keq, të gjitha strukturat e FSHF-së, të cilat kanë kompetencat për të gjykuar, qofshin arbitra apo komisione, njohin vetëm dy gjuhë: dhunën dhe lekun. As unë dhe askush tjetër tek Apolonia nuk i njeh këto gjuhë, ndaj, duke qenë i bindur se autoritetet drejtuese të FSHF-së nuk kanë vullnet për ta reformuar dhe për të vënë standarde normale në futbollin shqiptar, kam vendosur që të jap dorëheqjen nga detyra e presidentit të Apolonisë". Kjo deklaratë ka qenë dhe akuzë shumë e ashpër drejtuar institucionit më të lartë të futbollit në vendin tonë, i cili sipas Pukës, është edhe strumbullari i parregullsive në këtë edicion.
A. Manallari
A. Manallari