E Diel, 1 Nëntor 2026

Dorëshkrimet bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri

30/04/2010 Fillimet e artit figurativ në Shqipëri lidhen me periudhën e hershme të neolitit. Qindra e mijëra qeramika, terakota, apo zbukurime ne metal etj., që u përkisnin fiseve ilire, paraardhës të drejtpërdrejt të shqiptarëve të sotëm janë dëshmi për këtë.

Zbukurimet e tyre janë të veçanta, të tilla që dallojnë nga arti i krijuar nga helenët, maqedonët, apo romakët. Tiparet dalluese shfaqen së shumti në qytetet e hershme ilire apo ngulmimet helene, dëshmi që thellohen më me epokën e afreskut, në kodikët e artit bizantin dhe stilin pasbizantin ku mund përmenden artistë si Onufri, David Seleenica, vëllezërit Zografi, etj. Një epokë e pasur me ngjyra e forma, që ka shumë për të gjurmuar. Një “gjurmim” i tillë është edhe ekspozita me dorëshkrime të kësaj periudhe, që do të çelet të hënën, më 3 maj në Arkivin Qendror të Shtetit në Tiranë. “Ekspozita e dorëshkrimeve bizantine dhe pasbizantine në Shqipëri”, kryhet nën kujdesin e prof. dr. Sali Berisha, Kryeministër i Shqipërisë dhe inaugurimi i saj do të bëhet pasditen e së enjtes nga Arkivi Qendror i shtetit shqiptar, Vatra e Tiranës së Fondacionit Grek të Kulturës, Fondacionin Kulturor i Bankës Kombëtare të Greqisë dhe Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë. Ekspozita, e cila i drejtohet publikut të gjerë, i sjell për herë të parë vizitorit mundësinë të adhurojë dorëshkrime dhe kodikë nga shek. VI deri në shek. XVIII pas Krishtit, që ruhen nga A.Q.SH dhe të vlerësojë rëndësinë e tyre historike artistike. Ekspozita do të vazhdojë nga 4 maji deri më 4 qershor 2010. Në kuadrin e saj do të organizohet edhe një konferencë shkencore, mbrëmje të muzikës bizantine si edhe shoqërim i grupeve të nxënësve, studentëve dhe vizitorëve nëpër ekspozitë. Deri më tani janë hapur disa ekspozita me vepra të këtij arti si në Paris (1975), Romë (1985), Nicë (1993) etj të cilat kanë ngjallur interes të shumtë te specialistët e artit. Ekspozitat janë shoqëruar me botime të ilustruara dhe me komente të shumta nga shtypi i huaj. Krijimet më të çmuara të këtij arti ruhen në Muzeun e Artit Mesjetar ne Korçë, Muzeun Onufri Berat, Muzeun Hustorik Kombëtar, Galerinë Kombëtare të Arteve, etj. Në Korçë është ngritur edhe një muze privat, i vetmi deri tani në Shqipëri, që ruan një koleksion të pasur me vepra të artit pasbizantin.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›