E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorëzohen 10 muaj pas krimit dy atentatorë

Fier

Policia e Fierit ka mundur të vërë në pranga pas afro 1 viti dy autorët e plagosjes së nipit të kreut të PD-së së Fierit. Nga burimet policore mësohet se Elis Nuhaj, 21 vjeç dhe bashkëpunëtori i tij, Julian Lika (Meçi) 24 vjeç, u arrestuan mbrëmjen e së hënës. Ata akuzohen për “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim” dhe “Mbajtje pa leje të armëve luftarake”. Nga të njëjtat burime mësohet se për këta dy shtetas, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier ka lëshuar urdhër ndalimi në fund të muajit korrik të vitit 2009. Arrestimi i dy autorëve ka ardhur pas vetëdorëzimit të tyre. Oficeri i policisë gjyqësore, Sokrat Dhamo, tha se dy personat dhe avokati mbrojtës i tyre, Xhevahir Morina, i janë drejtuar Prokurorisë së Fierit mbrëmjen e së hënës dhe kanë thënë se ishin të gatshëm për të vuajtur dënimin për veprat penale të kryera prej tyre. Ngjarja për të cilën akuzohen dy të rinjtë ka ndodhur mesnatën e 28 korrikut të vitit të kaluar në lagjen “Kastriot” të qytetit të Fierit. Ata i kishin zënë pritë pranë pallatit ku banonte 35-vjeçarit Besnik Murati. Në momentin kur ky i fundit ka dalë nga automjeti i tij dhe është drejtuar për në banesë, është qëlluar dy herë me pistoletë dhe është plagosur në krah.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›