E Shtunë, 31 Tetor 2026

Masakra e Cërrikut, gardistët: Ishte grackë e përgatitur

Dy tankistë dëshmuan dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Treguan tmerrin e majit ‘97

Dy gardistë që kanë parë tmerr me sy gjatë masakrës së Cërrikut, janë paraqitur dje në Gjykatën e Krimeve të Rënda, duke u përballur me rebelët që kanë qëlluar mbi ta. Petrit Nikolla ishte i pari që u paraqit në sallën e gjyqit, duke deklaruar se kishin marrë urdhër për të neutralizuar zonat ku rebelët kishin pushtetin. Ai tha se në datën 22 maj 1997 ishte nisur nga Tirana. Në lidhje me armatimin, Nikolla tha se kishte vetëm një pistoletë dhe ishte veshur me uniformë ngjyrë bari me cërka. “Makina ku ndodhesha unë ishte një blindë e bardhë me goma, por kishte edhe 2 tanke, 2 blinda dhe një makinë policie. Arsyeja e vajtjes tonë në Cërrik ishte pasi na kishin njoftuar për një arsenal armësh, i cili duhej mbledhur”, tha dëshmitari i pyetur nga prokurori Anton Martini. Ai deklaroi se nëpërmjet radios janë njoftuar se ishte marrë nga civilët Komisariati i Cërrikut. “Kur u futëm në Cërrik, para nesh ishte një fugon policie, i cili ecte me shpejtësi shumë të madhe. Ne e ndoqëm, pasi mendonim se ishte i policisë dhe po na shoqëronte për të na treguar rrugën. Por ai ecte shumë shpejt dhe pasi pamë që fugoni kishte ndaluar, ndaluam edhe ne. Dolëm nga blinda dhe u afruam, kur pamë se në të nuk kishte asnjë person. Në këto momente shpërthyen të shtënat dhe pashë që u plagos Dritan Hasa në këmbë dhe plaga ishte rreth 8 cm e gjatë. E mora me vete dhe u afruam te një kioskë aty pranë dhe i thashë Pashk Dedës që të shikonte se mund të na godisnin. U plagos edhe Pashk Deda, plumbi iu fut në kurriz dhe i doli nga kraharori”, tregoi dëshmitari, ndërsa rrëfeu edhe momentin e plagosjes së Pashk Dedës. Dëshmitari tha se dy gardistët e plagosur i ka marrë prej krahu dhe është munduar të largohet. “I mora të dy prej aty, duke i mbajtur nga krahët dhe u thashë që duhej të largoheshim dhe të bashkoheshim me pjesën tjetër të grupit. Nga momenti që filluan të shtënat, 10 minuta pasi u plagos Dritan Hasa, shpërtheu blinda jonë. Ishim afër një kioske nga ana e perëndimit dhe aty bëra rezistencë për të dalë me forcë bashkë me dy shokët, të cilët nuk donin të largoheshin. Në momentin që u ngritëm për të lëvizur pa dalë ende te rruga e vogël 50 metra larg kioskës, u plagosa edhe unë në këmbë. U plagosa te shputa e këmbës nga cifla e një granate. Kur arritëm aty, gjetëm brenda një person të plagosur, ai kishte marrë një plumb në kokë. Emrin e tij e mësova kur vdiq, dhe ky person quhej Petrit Ndoi. Më tej hipëm brenda te tanku dhe ishim tre veta, më pas njoftova shoferin për t’u nisur menjëherë. Mbaj mend që të shtënat nisën nga sipër pallatit të kulturës. Ka një domethënie të madhe që nuk kishte lëvizje këmbësorësh në orën tetë të mëngjesit. Jemi qëlluar me automatik. Janë vrarë 5 veta dhe 7-8 janë plagosur. Kjo që ndodhi në Cërrik ishte një gracë e përgatitur ndaj nesh, pasi ne shkuam për të marrë armët. Në spital ishin 4 veta dhe aty kam marrë vesh që tre veta ishin marrë peng në Cërrik”, tha dëshmitari.
I dyti që iu bind apelit të prokurorisë ka qenë dëshmitari Pashk Deda. Ai tha se ka shkuar në Cërrik, ku dhe u plagos. “Unë kam qenë në një blindë ngjyrë të gjelbër dhe kur arritëm në Cërrik nuk kishte fare lëvizje qytetarësh, nuk kishte njeri të gjallë në rrugë. Në momentin e parë që u futëm, filluan krismat nga të gjitha anët. Në momentin e zjarrit u hapëm në drejtime të çrregullta. Në mjetin tim ishte Pjetër Ndoi, Tom Lacka edhe 2 të tjerë. U plagos i pari Dritan Hasa, ne nuk kemi qëlluar, por është qëlluar ndaj nesh me automatik, granatë, predha dhe kundërtank. Pasi u plagos Dritan Hasa, u plagosa unë dhe më tej Petrit Nikolla. Ne nxorëm Dritan Hasan për ta dërguar te blinda e bardhë dhe në ato momente u plagosa unë dhe Petrit Nikolla u plagos në fund. Me vështirësi arritëm te blinda e bardhë. Mbaj mend që Petrit Ndoi vdiq, se mori një plumb në kokë. Më tej kemi shkuar në spital dhe aty morëm vesh se kishte të vrarë dhe të plagosur. Ka pasur 6-7 të vdekur dhe të plagosur më shumë se 12-13 veta. Pas Elbasanit vajtëm në Spitalin Ushtarak në Tiranë”, tha dëshmitari.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›