E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hidhet nga dritarja foshnja e sapolindur

Trupi u gjet në mëngjes në tarracën e spitalit të Pogradecit. Një grua e hodhi dhe iku

Një grua ka hedhur nga dritarja e spitalit të Pogradecit një foshnjë të sapolindur, që dyshohet se është sjellë në jetë prej saj. Ngjarja ka tronditur qytetin buzë liqenit kur foshnja e seksit mashkull është gjetur e vdekur në tarracën e katit të dytë të spitalit. Foshnja e sapolindur dyshohet se është hedhur nga e ëma, pasi ka ardhur në jetë nga një shtatzëni e padëshiruar. Rrethanat në të cilat ka ndodhur ngjarja kanë mbetur enigmë bashkë me identitetin e gruas që ka kryer këtë akt, për sa kohë që mjekët e spitalit kanë mohuar që të ketë qenë e shtruar një grua shtatzënë që të ketë kryer lindjen në kushtet spitalore. Kanë qenë pacientët e shtruar në dhomën e reanimacionit që kanë sinjalizuar fillimisht personelin mjekësor se në orët e para të mëngjesit një grua kishte hyrë në dhomën e këtij reparti dhe pasi kishte hapur dritaren kishte hedhur diçka, e më pas ishte larguar. Sipas dëshmitarëve, pacientë që kanë qenë në reanimacion kjo ka ndodhur rreth orës 05:00 të mëngjesit të së martës, kur një grua me moshë mesatare është shfaqur në dhomë dhe është larguar, pasi ka hedhur diçka nga dritarja e reanimacionit. Rreth orës 09:00 policia lokale është njoftuar nga ana e personelit mjekësor se kishin gjetur një foshnjë të vdekur në tarracën ndarëse mes dy kateve, rreth 40 centimetra poshtë dritares së repartit të reanimacionit. Autorja mendohet se ka hyrë në spital në orët e para të mëngjesit dhe dyshimet flasin për një person që mund të ketë hyrë nga jashtë dhe nuk ka qenë i shtruar në spital. Policia që ka nisur hetimet ka thënë se dyshohet se gruaja e ka kryer lindjen në vend tjetër dhe më pas për të humbur gjurmët dhe për të hedhur dyshime te personat që kanë qenë të shtruar, ka kryer këtë akt duke e braktisur foshnjën në ambientet e spitalit. Sipas policisë që ka shkuar në vendin e ngjarjes foshnja është gjetur pa jetë, por nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë gjallë kur është hedhur në tarracën mes kateve nga ana e autores. Për këtë trupi i pajetë i të sapolindurit është dërguar në morg për t’iu nënshtruar ekspertizave mjekoligjore që do të përcaktojnë kohën e saktë të lindjes dhe rrethanat e vdekjes së foshnjës. Sipas policisë, nuk përjashtohet as mundësia që foshnja të ketë lindur e vdekur e më pas është lënë në tarracë prej së ëmës. Edhe pse policia thotë se foshnja mund të ketë qenë gjallë në spital nuk janë dëgjuar të qara. Ai është lënë jashtë i zhveshur dhe kjo ka hedhur dyshimet se foshnja ka qenë i sapolindur, pasi ka pasur edhe cipën në trup, që tregon për një lindje normale. Megjithatë, sipas policisë, do të jetë akti i ekspertimit që do të përcaktojë rrethanat në të cilat ka vdekur foshnja. Ndërsa nuk dihet prindi që e ka braktisur atë për motive që mbeten të dyshimta, policia ka marrë në pyetje personelin mjekësor dhe dy prej pacientëve që kanë parë gruan në fjalë. Mjekët e Pogradecit kanë përjashtuar mundësinë që gruaja të ketë lindur në ambientet e spitalit, ku nuk është gjetur e kartelizuar. Por sipas policisë edhe pse dyshimet janë për një grua që ka hyrë nga jashtë, po kryen hetime nëse ajo ka shfrytëzuar ndonjë ambient të spitalit për të sjellë në jetë fëmijën dhe menjëherë pas kësaj e ka braktisur atë për shkak të një shtatzënie të padëshiruar. çdo gjë është veshur me mister dhe ka mbetur enigmë identiteti i nënës dhe vendi ku ajo ka kryer lindjen e fëmijës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›