E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pranga shpërndarësit me dy kilogramë kanabis

Antidroga

Një tjetër shpërndarës droge në Tiranë ka përfunduar në prangat e policisë, duke i sekuestruar edhe rreth dy kg kanabis. Kastriot Muharremi është kapur pranë stadiumit “Selman Stërmasi”, teksa po shpërndante kanabis, ndërkohë që gjatë kontrollit në banesë i është gjetur edhe sasia e lëndës narkotike. Sipas të dhënave hetimore, prej dy javësh kishte të dhëna se ai merrej me shpërndarjen e lëndëve narkotike, duke shfrytëzuar vende publike dhe private. Dy ditë më parë ai ndodhej te bar “Venge”, kur kishte marrë me vete disa doza kanabisi me peshë totale 34.6 gramë. Policia e ka mbajtur nën mbikëqyrje, duke e kapur në momentin që po tentonte ta shiste lëndën narkotike. Ai e ka hedhur kanabisin dhe ka tentuar të largohet, por është kapur shumë shpejt nga efektivët e policisë. Më pas, oficerët e Antidrogës kanë ushtruar kontroll në banesën e tij, ku i kanë gjetur edhe rreth 2 kg kanabis, që e kishte fshehur. E gjithë lënda narkotike është sekuestruar, ndërkohë që ai është arrestuar për prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike. Sipas të dhënave, 20-vjeçari mendohet se bashkëpunonte edhe me persona të tjerë për shpërndarjen e kanabisit, sidomos tek adoleshentët. Policia tha se po heton më tej në lidhje me këtë aktivitet kriminal që ishte shtrirë në zonën e stadiumit “Selman Stërmasi”, në rrugën “Komuna e Parisit” dhe në disa zona të tjera të Tiranës.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›