Tre motoçiklistë nga Durrësi sfidojnë policinë
Policisë së Gjirokastrës dhe Tepelenës i është dashur të vendosë katër postblloqe të njëpasnjëshme për të frenuar vrullin e tre motoçiklistëve nga Durrësi. Ata nuk kanë përfillur thirrjet e policisë për të ndaluar e për pasojë dy prej tyre kanë përfunduar në pranga, ndërsa i treti që u vetëdorëzua ndiqet në gjendje të lirë. Ngjarja ka ndodhur të shtunën, por është bërë publike vetëm dje nga policia. Mësohet se tre djemtë nga Durrësi po udhëtonin me tri motoçikletat e tyre nga Saranda në drejtim të Durrësit, kur kanë refuzuar t’i përgjigjen thirrjes së policëve të vendosur në postbllokun e parë në aksin rrugor nacional Gjirokastër-Kakavijë, midis fshatrave Derviçan dhe Lazarat. Pjesëtarët e patrullës së qarkullimit rrugor të Komisariatit të Gjirokastrës u kanë bërë shenjë për të ndaluar, pasi tre motoçiklistët udhëtonin me shpejtësi marramendëse. Asnjëri nuk ka ndaluar, por kanë vazhduar rrugën me shpejtësi akoma edhe më të madhe. Patrulla e parë ka lajmëruar në sallën operative të Drejtorisë së Policisë së Qarkut rastin dhe nuk ka vonuar që te kryqëzimi i Urës së Lumit në hyrje të qytetit të Gjirokastrës të ngrihet një tjetër postbllok nga patrulla e përgjithshme e policisë së rendit e Komisariatit të Gjirokastrës. Kur të tri motoçikletat janë afruar në postbllok, patrulla e policisë ka bërë shenjë të ndalojnë dhe ka bllokuar rrugën, por tre të rinjtë sërish nuk janë bindur, por janë larguar duke shpërthyer postbllokun. Ndërkohë që patrulla e përgjithshme është vënë në ndjekje të tyre, është lajmëruar Komisariati i Policisë Tepelenë, që ka ngritur një pritë të tretë për të bllokuar rrugën në afërsi të pikës turistike të Ujit të Ftohtë. Në afërsi të Urës së Subashit, patrulla e përgjithshme e Komisariatit të Gjirokastrës ka mundur të bllokojë njërën nga motoçikletat që drejtohej nga shtetasi Klemend Killo, i cili ka kundërshtuar me forcë policët gjatë ndalimit të tij. Ndërkaq, dy motoçikletat e tjera janë larguar me shpejtësi të madhe derisa janë përballur me postbllokun e tretë të policisë të ngritur në Ujin e Ftohtë nga ana e forcave të policisë të Tepelenës. Në këtë pritë, policët kanë përdorur mjetet e policisë për të bllokuar rrugën. Me gjithë pritën me automjete, në këtë vend është bërë i mundur ndalimi vetëm i njërës prej motoçikletave që drejtohej nga shtetasi Indrit Belegu. Motoçikleta e tretë ka shpërthyer postbllokun e policisë dhe është larguar me shpejtësi në drejtim të Tepelenës. Policisë i është dashur të ngrejë një postbllok tjetër në afërsi të qytetit të Memaliajt nga forcat e policisë së postës së Policisë Memaliaj, ku shtetasi Kreshik Kuçi që drejtonte motoçikletën e tretë ka ndaluar vetë para policëve dhe është dorëzuar. Të tre këta shtetas janë shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër për veprime të mëtejshme ku nga veprimet e para hetimore rezultoi se ata nuk i janë bindur urdhrit të policisë për të ndaluar, pasi motoçikletat e tyre ishin me dokumentacion të parregullt. Tashmë tre të rinjtë durrsakë do të përgjigjen për veprat e “Fyerjes për shkak të detyrës”, “Kundërshtim i punonjësve të rendit publik” dhe “Mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.
#