I vë gjobë për makinën, shoferi rreh policin rrugor
Drejtuesi i një automjeti ka goditur një punonjës të policisë rrugore, teksa ky i fundit ishte në krye të detyrës. Ngjarja ndodhi pranë Stacionit të Trenit në kryeqytet dhe shkak mësohet të jetë bërë një gjobë për shkelje të qarkullimit rrugor. Debati mes drejtuesit të mjetit dhe policit rrugor ka denigruar në përplasje fizike mes tyre. Pas ngjarjes, polici rrugor është dërguar në Spitalin Ushtarak dhe mjekët thonë se ka fraktura të lehta, ndërsa policia ka shpallur në kërkim autorin. Burimet zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Tiranës bënë të ditur se ngjarja është regjistruar paraditen e djeshme. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet e Komisariatit Nr.3, të cilat i kanë dhënë ndihmën e parë mjekut dhe kanë shpallur në kërkim autorin, tashmë të identifikuar. Sipas të dhënave paraprake, drejtuesi i mjetit mendohet se e ka goditur punonjësin e policisë kur ky i fundit ka qenë me kurriz. Aty dyshohet se ai ka përdorur mjete të forta, megjithatë kjo do të vërtetohet nga hetimet. Sipas të dhënave, gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar disa persona në lidhje me këtë ngjarje. Ky nuk është rasti i parë kur një punonjës policie goditet për shkak të detyrës. Madje ka pasur raste edhe më të rënda, që punonjësit e policisë, sidomos ata të rendit dhe të qarkullimit rrugor, kanë marrë plagë të rënda.
#