Prokuroria, hetim për anestezistin, mjekun ndihmës dhe infermieren
çështja e vajzës nga Kuçova, e cila u operua në këmbën e gabuar, ka çuar për hetim jo vetëm ortopedin, por edhe tre persona të tjerë. I gjithë stafi mjekësor do të merret në pyetje nga prokuroria, me qëllim për të dokumentuar tërësisht këtë rast, ku janë përfshirë anestezisti, infermierja dhe një ndihmësmjek. Burime nga hetimet tregojnë se këta persona kanë marrë pjesë në ndërhyrjen kirurgjikale të vajzës së re dhe emrat e tyre janë zbardhur pas sekuestrimit të kartelës mjekësore.
Vajza e re nga Kuçova, Enxhi Praka, e cila u operua në datën 10 maj për shkak të një sëmundjeje kockash në këmbë, ishte futur në operim pa e ditur se do i operonin këmbën e gabuar. Vetëm kur ka dalë nga salla kirurgjikale është mësuar se asaj i ishte operuar këmba e gabuar. Për këtë arsye, nëna e saj denoncoi në polici. Një ditë pas denoncimit, grupi hetimor mbërriti në spital dhe sekuestroi kartelën mjekësore. Në të ishin shkruar edhe emrat e katër personave të lartpërmendur, të cilët janë marrë nën hetim për të gjetur se kush e ka pasur fajin që ka çuar në mjekim të pakujdesshëm. Sipas të dhënave, vajza 15-vjeçare tashmë është operuar edhe në këmbën e sëmurë, ndërkohë që mjeku kryesor, ortopedi Gjergji çaushi, është pezulluar nga detyra.
Sipas hetimeve, gjatë bisedave paraprake dhe nga provat e mbledhura, mësohet se mjeku, kur ka hyrë në sallën e kirurgjisë e ka gjetur gati këmbën që do të operonte dhe kështu që faji për mjekimin e pakujdesshëm mund të bjerë mbi punonjësit e tjerë. Megjithatë, specialistët tregojnë se këtë do ta zbardhë hetimi i mëtejshëm, duke u bazuar edhe në kartelën mjekësore të vajzës së re. E gjithë dosja është dërguar në prokurori, ku janë sekuestruar edhe grafitë e këmbës së vajzës. Burimet nga prokuroria thanë se vajzës së re do t’i hiqej nga këmba një formë kocke. Duke qenë se vajza mund ta ketë pasur të zhvilluar këtë sëmundje edhe në këmbën tjetër, mendohet se kjo ka sjellë edhe gabimin e mjekut kryesor.
Megjithatë, rasti do të hetohet edhe nga Urdhri i Mjekut, që për momentin nuk po kryen verifikime, pasi kartela mjekësore është sekuestruar nga policia dhe prokuroria. Në përfundim të hetimeve nga ana e grupit të punës, dosja do t’i kalohet edhe Urdhrit të Mjekut për të parë vendimin e tyre në lidhje me çështjen e mjekut. Sipas të dhënave, operimi i gabuar ndaj vajzës mund të sjellë probleme jo të vogla për të, pasi mendohet se rikuperimi i saj bëhet për jo më pak se katër deri në pesë vjet. Më 13 maj, nëna e vajzës së re, Edlira Praka, iu drejtua policisë së Tiranës dhe denoncoi rastin flagrant. Ndërkaq, katër personat e stafit mjekësor do të hetohen për mjekim të pakujdesshëm, vepër e parashikuar nga Kodi Penal, ku parashikohet edhe dënimi me burg, nëse vajza e re do të ketë probleme të rënda shëndetësore.
Ata hetohen në gjendje të lirë dhe prokuroria, pasi t’i thërrasë për dëshmitë përkatëse, ashtu siç pritet të thërrasë vajzën e re, bashkë me prindërit, do të ngrejë akuzë ndaj tyre, ose çështja do pushohet. Megjithatë, një fakt i dalë në dritë në lidhje me këtë rast, sipas policisë, ka të bëjë me korrupsionin. Mjeku dhe asnjë nga stafi mjekësor nuk kanë kërkuar para dhe nuk e kanë detyruar familjen nga Kuçova që të japë ryshfet në lidhje me këtë ndërhyrje kirurgjikale. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë familja gjatë deklarimeve në polici.
#