E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, nuk çelen fondet për shkollën e re

 

KORÇE - Edhe pse kanë mbetur vetëm tri javë nga dita kur fillon viti shkollor konstatohet, se për shkollën e re 9–vjeçare, që po ndërtohet në Korçë, qeveria ka lëvruar vetëm 40 për qind të fondit. Firma ndërtuese, për të mos i lënë nxënësit pa mësim, ka vazhduar punën për përfundimin e objektit me fondet e veta. Për këtë parregullsi është njoftuar edhe Kryeministri Sali Berisha gjatë vizitës së tij të fundit, por fondi i domosdoshëm ende nuk ka mbërritur. Shkolla po ndërtohet në lagjen afër Varrezave të ushtarëve francezë në Korçë. Objekti siç ka bërë të ditur kryetari i Bashkisë, Niko Peleshi është duke përfunduar. Mësohet se firma ndërtuese ka marrë nga grandi i qeverisë vetëm 30 milionë lekë nga 73 milionë lekë të vlerës së objektit. Parregullsia e mësipërme është evidentuar sërish nga kryetari i bashkisë gjatë një inspektimi të kryer dje nëpër objektet që janë duke u ndërtuar. Pas dekada vitesh është investimi i parë në Korçë për ndërtimin e një shkolle të re 9-vjeçare që nga themelet. Mësohet se kapaciteti i kësaj shkolle është për 720 nxënës ose 24 klasa me 30 nxënës.    j.gj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›