Rikthehen zjarret në Vlorë,digjen kullota dhe bagëti
VLORE – Vatra të tëra zjarri janë shfaqur dje në Vlorë, duke shkaktuar dëme të tjera në kullota e në bagëti. Reparti i zjarrfikësve dhe policia u njoftuan në mesditë se në fshatin Kocul kishte shpërthyer një zjarr. Menjëherë është formuar grupi hetimor, i cili konstatoi se flakët e rënë në zonën e Gorishtit kishin djegur kullota, si dhe një sasi prej 1 mijë rrënjë ullinj. Dëme më të mëdha ekonomike ka pësuar Perlat Malaj, prona e të cilit ishte mbjellë me ullinj e pemë frutore. Policia nisi hetimet për këtë ngjarje për të identifikuar zjarrvënësin, por ende pa përfunduar puna, një tjetër vatër u shfaq. Këtë herë në fshatin Trevllazër në Vlorë shpërtheu një zjarr i fuqishëm. Në momentin e ndërhyrjes së zjarrfikëseve ishin djegur 5 hektarë kullota, si dhe stani i bagëtive të Isuf Mukaj. Zjarri kishte rënë në një distancë të largët me stanin e bagëtive, por favorizuar dhe nga era flakët e zjarrit kanë arritur shumë shpejt pranë stanit. Sipas pronarit, 110 krerë bagëti iu dogjën brenda në stan, duke i shkaktuar dëm të konsiderueshëm ekonomik. q.b