E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konventa, Obama merr emërimin zyrtar

 

Konventa e demokratëve vazhdoi dje ditën e saj të tretë, ku gjatë votimit delegatët i dhanë besimin e tyre senatorit të Illinoisit, Barak Obama, për kandidaturën e tij si kreu i Shtëpisë së Bardhë.

Dita e tretë ishte e rëndësishme pasi para të gjithë delegatëve foli për herë të parë kandidati i Obamës për zëvendëspresident, Joe Biden. Eksperienca e tij mbi politikën e Jashtme ishte një nga pikat, që i duheshin Obamës për të plotësuar imazhin dhe forcën e tij. Fjalimi i Biden u mirëprit nga delegatët, shumë prej të cilëve mendojnë se ai ishte zgjidhja më e mirë që mund të bënte Obama për zëvendësin e tij. Pas tij foli bashkëshorti i rivales më të fortë të Obamës deri në çastet e fundit për kandidaturën e demokratëve, Bill Klinton. Argumentet e tij iu drejtuan këndvështrimit të partisë mbi çështjet e sigurisë kombëtare, një nga pikat e forta, ku rivali Mekein ka sulmuar Omabën, duke e vlerësuar si të papërgatitur për të qenë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Por Barak Obama ka marrë një fjalim të fuqishëm nga Senatorja Klinton një ditë më parë, e cila me forcë dhe energji ka kërkuar mbështetje të plotë për të dhe ka sulmuar Xhon Mekeinin. Ky u komentua nga mediat si fjalimi i parë  i fushatës së ardhshme të senatores. “Është koha ta rimarrim vendin tonë që e duam. Dhe nëse votuat për mua apo për Barakun, tani është koha të bashkohemi si një parti e vetme, me një qëllim të vetëm”, tha Klinton. Ajo shtoi se amerikanët nuk i kishin duruar më kot tetë vjetët e fundit, për të kaluar vuajtje të tjetra për shkak të dështimeve të tjera në qeverisje. Klinton u shoqërua me duartrokitje në këmbë nga delegatët, teksa ngjitej në podiumin e konventës, ku falënderoi të gjithë ata që mbështetën fushatën e saj, por tha se “Tani Obama është kandidati im”. “Partia nuk mund të lejonte të kishte një republikan tjetër në Shtëpinë e Bardhë që do të shpërdoronte shpresat e popullit amerikan. Mekein është kolegu dhe shoku im, por nuk na duhen katër vite më shumë si tetë vjetët e fundit”, tha ajo. Mbështetja e senatores Klinton konsiderohej vendimtare për Obamën. “Barak Obama është kandidati im dhe ai duhet të jetë presidenti ynë”, theksoi ajo. Në Denver ka fjalë se ekzistonte një marrëveshje mes kampeve të Barak Obamës dhe Hilari Rodham Klintonit mbi votën historike rulon në Konventën e Demokratëve. Vota do të shërbejë për të dorëzuar zyrtarisht emërimin presidencial për Obamën, por do t’u lejojë edhe mbështetësve të Klintonit të japin votën për të. Këshilltarë të Klintonit dhe Obamës i kanë dërguar një letër të përbashkët delegacionit shtetëror duke shpjeguar se si do të funksionojë vota rulon. Një kopje e kësaj letre është siguruar nga “The Associated Press”. Në letër thuhet se Klinton do të ketë një fjalim nominimi dhe dy fjalime të tjera. Ai do të ndiqet nga fjalimi i nominimit të Obamës dhe tre fjalime të tjera ndihmëse. Më pas do të nisë votimi. Vota do të vazhdojë derisa të gjithë të numërohen apo dikush t’i kërkojë delegatëve të japin me brohoritje nominimin për Obamën. Sipas zyrtarëve demokratë afër Klintonit, planifikohet që dikush, mbase vetë senatorja, të ndërpresë votimin pas delegatëve të disa shteteve dhe të thërrasë Obamën kandidat.

Mekein: Obama, rrezikshmërisht i papërgatitur

Xhon Mekein gjatë të mërkurës, në vijim të fushatës së tij, e ka portretizuar Barak Obamën si “rrezikshmërisht të papërgatitur” për të marrë në dorë kërcënimet e sigurisë kombëtare. “Irani. Qeveria Radikale Islamike. Sponsor i njohur i terroristëve”, tha folësi i Mekein, “Zhvillimi i kapaciteteve nukleare për të ‘prodhuar energji’, por kërcënuese për eliminimin e Izraelit”. Spoti 30-sekondash u fokusua mbi komentet “e vogla” të Obamës të bëra në maj mbi këtë çështje, kur ai e minimizoi Iranin si një “kërcënim serioz” dhe tha se, ai do të dëshironte të ulej me presidentin iranian të diskutonte nëse zgjidhet në nëntor. “Terrorizmi, shkatërrimi i Izraelit, këto nuk janë kërcënime serioze?’”, tha folësi i Mekein në spot. “Obama është rrezikshmërisht i papërgatitur për të qenë president”. Spoti në fushatën e Mekein u bë ndërkohë që demokratët përgatiteshin të flisnin mbi sigurinë kombëtare gjatë Konventës në Denver. Siguria Kombëtare është një nga pikat që ka luhatur disi sondazhet. Sipas CNN, duke përllogaritur sondazhet në të gjitha sferat, Mekein është lehtësisht në favor ndaj Obamës, 47 me 46 për qind. 

Vajza e Nensi Pelozit, film për Mekein

Vajza e presidentes demokrate të Dhomës përfaqësuese, Nensi Pelozit, Aleksandra, po përgatit një dokumentar mbi kandidatin Xhon Mekein. Shumë konsiderojnë se filmi i saj nuk do të jetë i drejtë dhe i balancuar. Nuk është hera e parë që Aleksandra Pelozi ka vendosur aftësitë e saj për të realizuar një film gjatë viteve elektorale. “Ditari i një turisti politikan”, u shfaq në rrjetin HBO pak para votimit të nëntorit 2004. Filmi dokumentar mbi Mekein nuk është deklaruar ende se ku do të shfaqet.

Joe Biden, kandidati i duhur

Sipas ekspertëve të politikës në SHBA, zgjedhja e senatorit Joe Biden si kandidati për postin e zëvendëspresidentit demokrat i sjell kandidaturës së zotit Obama përvojë të gjatë në politikën e jashtme dhe në senat. Profesori Robert Dudley nga Universiteti “George Mason” në Virginia, tha për VOA se senatori Biden mund t’i bëjë ballë një pike të fortë që e ka kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë, Senatori Xhon Mekein. “Biden i sjell kandidaturës demokrate përvojë në politikën e jashtme së të njëjtit niveli me atë të Mekein”, tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›