Dorëzohet Inzagi: “Titulli? Nuk e kalojmë dot Interin”
Dhjetë tripleta në karrierën e tij të jashtëzakonshme. 304 gola të shënuar, nga këto 149 në Serinë A. Ky është bilanci i sulmuesi i Milanit, Filipo Inzagi. Tripletën e fundit “Super-Pipo” e shënoi dielën që sapo kaloi, në atë fitore madhështore 5-1 të Milanit kundër Torinos së shqiptarit nga Maqedonia, Blerim Xhemaili. “Bishtaleci” Roberto Baxhio, ka filluar të dridhet. Për faktin se Inzagi po i afrohet gjithmonë e më shumë. Baxhio ka shënuar në karrierën e tij 318 gola, ndërkohë që Inzagi me tripletën e Torinos ka kapur shifrat e 304 golave (149 në Serinë A). Dhe nëse jo këtë vit, vitin tjetër SuperPipo i ka të gjitha mundësitë për të thyer rekordin e Roberto Baxhios. Inzagi gjatë këtij sezoni ka shënuar 14 gola (11 në kampionat, 3 në Kupën UEFA), ja vlen për tu theksuar se gjatë 6 ndeshjeve të fundit Super Pipo ka shënuar 9 gola. Inzagi në përfundim të takimit Milan-Torino, pasi ka kryer rritet e zakonshme, ka hedhur dritë mbi ciklin e Milanit, cikël të cilin Rikardo Kaka, e quajti të përfunduar: “Pavarësisht ç’ka thuhet nëpër gazeta, kjo skuadër ka një të ardhme të madhe përpara – ka thënë sulmuesi kuqezi – sepse Milani, është e vetmja skuadër Italiane që ka pushtuar Evropën”. Megjithatë SuperPipo, nuk beson se Milani mund ti marrë kryesimin Interit, kur na ndajnë vetëm gjashtë javë nga përfundimi i kampionatit: “Jo, jo s’besoj se mund të parakalojmë Interin, ti marrësh zikaltërve 10 pikë kur na ndajnë vetëm 6 javë nga fundi i kampionatit është e pamundur. Objektivi im është të vazhdoj përpara e të shënoj sa më shumë nga java më javë. Besoj se Milani duhet të shikojmë edhe mbrapa, pasi objektivi ynë i vetëm është ta mbyllim kampionatin në vend të dytë apo të tretë. Por megjithatë më vjen keq, sepse po të kishim tre pikë më shumë, tani do shpresonim për ti marrë titullin Interit”. Dhe në përfundim Inzagi ka numëruar të gjithë tripletat që ka bërë gjatë karrierës së tij futbollistike: “Kam arritur në kuotën e 10 tripletave në karrierën time. Dhe si për ironi të fatit tre tripleta u kam shënuar skuadrave të drejtuara nga tekniku Kamoleze. Më vjen keq për të, sepse është një trajner shumë i zoti. Shpresoj të më falë”. Ndër milanistët më të gëzuar se Inzagi ka qenë padyshim Devid Bekham, që kundër Torinos ka kontribuar me dy asiste në mbrëmjen magjike të SuperPipos: “Inzagi është fantastik – ka pohuar mesfushori anglez – shënon gjithmonë, është një nga sulmuesit më të mëdhenj që kam njohur”, përfunduar anglezi.
Kaka
Kaka bëri të ditur se nga Milani nuk do largohet për asnjë motiv: “Është e vështirë të flasësh për të ardhmen sepse futbolli ndryshon nga momenti në moment, si rrjedhojë preferoj të flas për të tashmen. Më pëlqen shumë kjo skuadër, e adhuroj këtë qytet e do më pëlqente të luaja gjatë këtu. Mosha disi të vjetër të disa prej protagonistëve të skuadrës kuqezi, nuk e shqetëson Kakanë: “Është normale që në një skuadër disa lojtarë të ikin e të tjerë të vijnë. Besoj se është normale të rindërtojmë Milanin mbi lojtarët që janë këtu prej kohësh, por njëkohësisht besoj se kemi nevojë edhe për prurje të tjera lojtarësh. Ne nuk kemi nevojë për një rigjenerim të skuadrës, por vetëm një miks perfekt ndërmjet lojtare me eksperiencë dhe talenteve të reja që duhet ta marrim”. Interi po funksionon shumë mirë, ne duhet të besojmë deri në fund të kampionatit se mund të shpallemi kampion. Futbolli është plot me të papritura, e duke qenë i tillë unë besoj tek titulli”.
AMBROZINI
Masimo Ambrozini ka shënuar golin e tij të katërt kundër Torinos, duke konfirmuar akoma edhe një herë që është një lojtar i domosdoshëm për skuadrën kuqezi. Në pritje të rinovimit të kontratës, Ambrozini flet mbi raportin e tij me drejtuesit e klubit: “Dua të theksoj se nuk kam pasur divergjenca me klubin për sa i takon rinovimit të kontratës, përfitoj nga rasti të falënderoj tifozerinë kuqezi për ngrohtësinë që më ka dhuruar gjatë mbrëmjes të së dielës. Tani dua tu kujtoj të gjithëve që kam një kontratë të vlefshme edhe për sezonin që vjen, besoj se do flas mbi rinovimin e kontratës tim me drejtuesit e Milanit deri në fund të sezonit. Për sa i takon paraqitjes time të mirë kundër Torinos jam i lumtur, e shpresoj të shënoj sa më shumë gola vendimtarë për Milanin gjatë këtij fund kampionati.
21 Prill 2009