E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhihani mbush “10”, por qahet për pikët



“Gooooooooool!”. Kështu e shprehu entuziazmin për shënimin e golit nga ana e Parid Xhihanit, komentatori i ndeshjes në internet në faqen zyrtare të klubit të Zorja Lukansk në ndeshjen në transfertë kundër Karpatit (1-1) në kampionatin ukrainas. Sulmuesi kavajas fitoi një dyluftim një për një kundër portierit të Karpatit, duke realizuar golin e vetëm të ekipit të tij e njëherësh edhe të dhjetin sezonal në kampionat.
Parid Xhihani është shndërruar në një personazh simpatik në median sportive ukrainase, duke qenë një protagonist në kampionatin e vlerësuar si i 10-ti më i fortë në botë.
“Karpati ishte një ekip shumë i mirë, duke luajtur një futboll të shpejtë e sulmues. Dhe këtë e kanë treguar jo vetëm kundër nesh. Bashkautor i golit mendoj se ishte dhe Nikita Kamenyky, pasi shënova pas asistit të tij. Nikita është një futbollist i mirë dhe një kapiten i vërtetë”, - tha Xhihani, i cili shënon prej dy ndeshje radhazi në kampionat.
“Na vjen pak keq, që nuk mundëm dot të marrim tri pikë, por ky është futbolli. Mund të ndodhë gjithçka. Barazimin me Karpatin, në shtëpinë e tyre, mund ta konsideroj një rezultat të mirë. Mendoj se herë tjetër ne do të jemi të aftë të marrim tri pikë. Unë dëshiroj t’iu dërgoj falënderime speciale tifozëve tanë, të cilët na kanë mbështetur gjithmonë e kudo”.
Zorja Lugansk e Parid Xhihanit pas 24 javësh ndodhet në vendin e 10-të me 28 pikë, ndërkohë që sulmuesi shqiptar ka realizuar 10 nga 35 golat që ka shënuar skuadra.
25-vjeçari Xhihani, i cili në Shqipëri ka luajtur për ngjyrat e Besës, Dinamos, Shkumbinit e Teutës, i ka realizuar 10 golat e tij në 24 ndeshje, madje i ka shënuar një gol edhe Shahktar Donteskut, skuadra e dytë më e njohur në Ukrainë.
Xhihani me 10 golat e realizuar është shënuesi më i mirë i ekipit të tij, ndërkohë që lojtari i dytë me më shumë gola në ekipin e Zorjas është Antonio Zhunjor, por braziliani ka shënuar vetëm 3 gola.

“Hi-Bu-By”, heronjtë shqiptarë të Kribasit

Përpara se të niste ndeshja asnjë ekspert futbolli apo dhe më ultrasi më snob nuk fliste në favor të Krivbasit, por ekipi i “tre shqiptarëve” Hidi(Hi), Bulku (Bu) e Bylykbashi(By) e që nuk kishte fituar kurrë me Dinamon e Kievit që nga fillimi i viteve ’90, arriti ta thyejë 2-1 njërën prej skuadrave më të famshme ukrainase, e njëherësh gjysmëfinaliste në Kupën UEFA të këtij edicioni. Faqja e njohur ukrainase, football.ua, vëren se Dinamo nuk luajti aspak keq, madje pati raste, por forma e mirë e treguar sidomos nga portieri shqiptar Isli Hidi, rezultoi faktor kyç në fitoren historike të Krivbasit, ndërkohë që puna e shkëlqyer e Dorian Bylykbashit në mesfushën e avancuar e asistin e tij në golin e Mutzos ishte e jashtëzakonshme. Edhe Ervin Bulku ishte në një ditë të mirë, madje duke e përfunduar takimin i “pastër”, pasi si Hidi ashtu dhe Bylykbashi u ndëshkuan me karton të verdhë. Krivbasi i shkaktoi humbjen e tretë Dinamos kryesuese (61 pikë) në 24 javët e zhvilluara të kampionatit ukrainas, edhe pse diferenca midis tyre flet qartë, + 29 pikë për skuadrën kryeqytetase.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›