E Diel, 1 Nëntor 2026

Koret raciste, Juve një ndeshje pa tifozë



Juventusi u ndëshkua nga gjykata sportive italiane për të luajtur një ndeshje në shtëpi me dyer të mbyllura, për shkak të koreve raciste të tifozëve bardhezinj në drejtim të lojtarit të Interit, Mario Baloteli. Tifozët të Juventusit në sektorë të ndryshëm të stadiumit shprehën me thirrjet e tyre fyerje diskriminuese raciale në drejtim të lojtarit të skuadrës kundërshtare. Formacioni i Klaudio Ranierit është i detyruar të luajë një ndeshje pa tifozë, dhe pikërisht atë kundër Leçes, e vlefshme për javën e 15-të të fazës së dytë, e programuar për 3 majin e ardhshëm.
KANAVARO - Reali nuk duket se ka ndërmend ta rinovojë kontratën e Kanavaros, ndërkohë që Juventusi po mendon seriozisht ta rrëmbejë atë. Do të ishte një rikthim i zjarrtë, për të përforcuar mbrojtjen. Enriko Fedele, agjent i Fabios, ka konfirmuar në fakt ekzistencën e një tratative për ta riveshur mbrojtësin bardhezi. “Një muaj më parë, Juve deshi të dinte nga ne nëse ishim të gatshëm për të nisur bisedimet. Pasi fola me Fabion, morëm këtë vendim për të filluar tratativat, – bën të ditur Fedele. – Klubi juventin u tregua mjaft korrekt e, për transparencë, kontaktoi menjëherë me Realin e Madridit, meqenëse Kanavaros i përfundon kontrata. Mbrojtësi do të ishte shumë i kënaqur nëse kthehej te Juventusi, madje edhe me shifra më të ulëta se ato që përfiton aktualisht. Ai kërkon t’i japë vazhdimësi një karriere të lavdishme, prandaj primare për të është të luajturit në një klub me rëndësi". Bisedimet duken në fazë të avancuar, aq sa është folur edhe për një telefonatë midis lojtarit dhe drejtuesve të Juves, pas ndeshjes së të shtunës në mbrëmje kundër Interit.

21 Prill 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›