Dorëzohet PDR-ja, Shehu: Do të bashkohemi me PD-në
Ndryshimi i sistemit zgjedhor, realiteti politik në vend e shumë rrethana të tjera politike kanë detyruar Partinë Demokrate të Re që të marrë vendimin për t’u bashkuar me Partinë Demokratike. Nënkryetari i PDR-së, Tritan Shehu, tha ditën e djeshme se PD-ja dhe PDR-ja janë parti të ngjashme pa diferenca, pavarësisht se 9 vite më parë, eksponentët e kësaj partie, u përçanë dhe krijuan forcë politike më vete. “Ne jemi të hapur realisht për të gjetur forma të reja bashkëpunimi me PD-në, gjithmonë e më të ngushta, përfshi këtu dhe një bashkim të plotë të të dyja forcave tona politike”, - tha Shehu. Ai shtoi më tej se periudha që këto forca kanë qenë në koalicion qeverisës, ka pasur një afrim më të madh mes këtyre forcave politike. “Në këto periudha të qeverisjes së përbashkët dhe të një koalicioni me PD-në, gjithmonë e më tepër ka një afrim dhe sinkronizim të programeve, formave të organizimit dhe bashkërendimit të luftës politike”, - tha Shehu, duke shtuar se “tashmë ky vullnet ekziston edhe nga PD-ja dhe u mbetet atyre ta konfirmojnë këtë gjë. Janë të gjitha hapësirat drejt një afrimi akoma më të madh mes PDR-së dhe PD-së, tashmë që diferencat mes nesh realisht nuk ekzistojnë dhe kur qëllimet tona për të ardhmen janë të njëjta”. Duke komentuar realitetin politik në vend, ai shtoi se mocioni i tretë për shkarkimin e Kryetares së Kuvendit, Topalli, i kërkuar nga opozita, do të pësojë fatin e dy të parëve, rrëzimin. “Mendoj se roli i Kryetares Topalli ka qenë mjaft pozitiv në tërësi. Jam i bindur se dhe kërkesa për mocion ndaj saj do të përfundojë si dy mocionet e para që u rrëzuan në Kuvend”, - tha më tej Shehu.