E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ratifikimi i MSA-së, Bregu: Në pritje të Greqisë dhe të Gjermanisë

Procesi i mbylljes së ratifikimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit nuk ka përfunduar ende dhe kjo ka si shkak hezitimin e Greqisë dhe Gjermanisë. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha ditën e djeshme se kundrejt parashikimit për të mbyllur ratifikimet e 27 vendeve të BE-së brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, Greqia dhe Gjermania kanë premtuar ta mbyllin këtë ratifikim në vjeshtë. “Me gjithë parashikimin tonë që marrëveshja e Asociim-Stabilizimit të përmbyllej brenda gjashtëmujorit të parë të këtij viti, ne do të kemi një mbyllje të plotë të procesit të ratifikimit të vendeve që kanë mbetur në periudhën e fillimvjeshtës së po këtij viti. Të paktën këto janë premtimet me kancelaritë e vendeve që nuk e kanë ratifikuar ende marrëveshjen me Shqipërinë”, - tha ministrja Bregu. Ajo shtoi se gjatë negociatave me këto vende, nuk është shprehur asnjë shqetësim në lidhje me ecurinë e reformave në Shqipëri. “Pra, nuk ka të shprehur asnjë lloj shqetësimi politik, apo asnjë lloj klime mosbesimi, apo le të themi, problematike, që të na jetë adresuar ne, palës shqiptare dhe që të na bëjë të pamundur ose vështirësojë ratifikimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit me vendet që kanë mbetur”, - shtoi Bregu. Ratifikimi i plotë i MSA-së do të bëjë të mundur marrjen e statusit si vend kandidat për të hyrë në BE, duke e vendosur Shqipërinë në një stad të ri. Gjatë vizitës së Tiranë në datat 11-13 maj të Kryetarit të Parlamentit gjerman, Norbert Lammert, u premtua nga ky i fundit se Gjermania do të ratifikojë MSA-në me Shqipërinë, por si rezultat i procedurave parlamentare të vendit të tij, procesi do të mbyllej ne vjeshtën e këtij viti. Ndërkohë, publikisht ka munguar reagimi nga ana e Greqisë në lidhje me këtë vonesë në ratifikimin e MSA-së.

Procesi

Aktualisht, Shqipëria po merret me procesin e përafrimit të legjislacionit me atë të BE-së dhe sipas Bregut, në dy sesionet e fundit janë miratuar në Parlament rreth 150 akte ligjore që janë pjesë të listës që duhen përshtatur. Ministrja Bregu tha se janë dhe 110 akte të certifikuara. “Bëhet fjalë këtu për ligje të miratuara nga Parlamenti shqiptar, iniciativa ligjore që janë vlerësuar si të domosdoshme, por janë dhe pjesë e planit të punës, pjesë e planit kombëtar për përmbushjen e marrëveshjes. Janë 30 iniciativa ligjore, të cilat janë vlerësuar si të domosdoshme, por janë dhe pjesë e planit të punës, pjesë e planit për përditësimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit. Janë 30 iniciativa ligjore të cilat i përkasin fushës së drejtësisë dhe fushës së brendshme, që kanë të bëjnë me mbrojtjen të dhënave me respektimin e të drejtave të njeriut, me mbrojtjen e të drejtave të të miturve, pra përmirësimin e sistemit të drejtësisë për të miturit, modernizimin e gjendjes civile, modernizimin integrues të kufijve”, - tha Bregu.

Liberalizimi i vizave

Ministrja Bregu tha më tej se të gjitha ligjet që po miratohen sipas rekomandimeve të BE-së, janë të domosdoshme edhe në përmbushjen e kritereve për procesin e liberalizimit të plotë të vizave. “Të gjitha këto janë elemente të domosdoshme edhe për një hap tjetër që do të ndihmojë përmbushjen e plotësimit të liberalizimit të plotë të vizave. Por ajo që ka më shumë rëndësi në këtë mes, është se flasim për një vendosmëri dhe marrjen me seriozitet të vendimeve që vijnë nga pala evropiane. Pra, janë shprehje të një politikëbërjeje dhe një qeverisjeje të përgjegjshme serioze dhe sigurisht që do të sjellin një impakt pozitiv”, - tha Bregu për këtë çështje. Ajo tha më tej se në Ministrinë e Integrimit do të ngrihet Drejtoria e Përkthimit, e cila do të bëjë të mundur një përkthim cilësor të ligjeve. “Drejtoria e Përkthimit që do të ngrihet në ministri, do të merret me menaxhimin e cilësisë së përkthimit, me kontrollin e cilësisë së përkthimit, do të ketë një bord që do të ketë një nivel specialistësh në këtë drejtori, me redaktorë të gjuhës shqipe, njëkohësisht të gjuhës angleze dhe juristë që të njohin shumë mirë terminologjinë evropiane”, - tha ministrja e Integrimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›