E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e Aleksandër Solzhenicinit, Berisha ngushëllon popullin rus

Kryeministri Berisha i dërgoi ditën e djeshme një mesazh ngushëllimi Kryeministrit rus, Vladimir Putin, për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh rus Aleksandër Solzhenicin. Në mesazhin e tij, Berisha theksoi se kombi rus humbi një kolos. “Me hidhërim të thellë mësova lajmin për ndarjen nga jeta të shkrimtarit të madh Aleksandër Solzhenicin. Me vdekjen e Aleksandër Solzhenicinit kombi juaj dhe mbarë njerëzimi humbi një gjeni të rrallë të letrave, korife të mendimit dhe të humanizmit të sotëm, një kolos gjigand të lirisë dhe dinjitetit njerëzor. Aleksandër Solzhenicin me jetën dhe veprën e tij të pavdekshme frymëzoi miliona intelektualë dhe qytetarë të shtypur nga regjimet totalitare komuniste në Evropë dhe në botë. Me këtë rast, më lejoni t’ju shpreh ju z. Kryeministër, familjes Solzhenicin dhe kombit tuaj të madh, simpatinë e thellë dhe ngushëllimet më të sinqerta të qeverisë dhe kombit shqiptar”, - thuhet në mesazhin e Berishës dërguar homologut Vladimir Putin.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›