S’ka pushime të gjata për Berishën, vetëm fundjavave në Dhërmi me mbesat
Kryeministri Sali Berisha ka vendosur që edhe këtë vit të mos bëjë pushime të zgjatura me javë, por ka preferuar që të pushojë vetëm fundjavave. Këtë fundjavë, ai ka preferuar si gjithnjë, ta kalojë së bashku me bashkëshorten Liri Berisha me mbesat, vajzën dhe dhëndrin e tij, në ujërat e kaltra të Dhërmiut dhe në diellin e jugut të vendit. Prej disa vitesh tashmë, Kryeministri shqiptar preferon këtë zonë të vendit duke mos u larguar me pushime jashtë vendit, siç bënin ish-kryeministrat e tjetër. Numri një i qeverisë preferon jugun e vendit, por gjithnjë ka kaluar fundjavat e tij me mbesat, dy fëmijët, si dhe bashkëshorten. Fundjava e kaluar gjeti kryeministrin Sali Berisha në Vlorë, në kuadër të turit të tij “Shqipëria në NATO”. Vizita e ditës së shtunë iu përkushtua banorëve të Vlorës, si dhe u inauguruan disa vepra publike. Dita e diel duket se ka qenë e zgjedhur prej Kryeministrit për të notuar në ujerat e detit Jon si dhe për të marrë rreze në rërën e plazhit të Dhërmiut. Pavarësisht ditëve të nxehta të gushtit apo edhe të drejtës si funksionar publik për të pushuar tri javë në verë, Kryeministri nuk ka preferuar të qëndrojë më shumë se një ditë në Dhërmi, por ka udhëtuar në mbrëmje drejt Tiranës dhe ditën e hënë ai është paraqitur në orët e para të paradites në punë. Dita e parë e Kryeministrit nisi me takimin me presidentin dhe drejtorin ekzekutiv të kompanisë së prodhimit të avionëve Turbo-Jet, ETIRC, Roel Pieper, i cili i paraqiti planin për të prodhuar avionë në Shqipëri.