E Diel, 1 Nëntor 2026

Reagimi i OSBE-së: Nuk do të largohemi nga Shqipëria, do të rrisim rolin

Prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka konfirmuar faktin se nuk do të largohet nga Shqipëria, si dhe roli i saj nuk ka për t’u zvogëluar, por përkundrazi. Burime zyrtare nga prezenca e OSBE-së në Tiranë bëjnë të ditur për gazetën “Standard” se kreu i OSBE-së në Helsinki të Finlandës, Aleksandër Scub, i ka dërguar një letër ministrit të Jashtëm, Lulzim Basha, në datën 14 korrik të këtij viti ku i konfirmon faktin se prezenca e OSBE-së në Shqipëri do të jetë e plotë madje ka kërkuar që kjo prezencë të jetë më aktive në projekte të tjera për rritjen e demokracisë shqiptare. Në këtë letër është konfirmuar fakti se bashkëpunimi mes OSBE-së dhe Shqipërisë do të jetë kuptimplotë dhe me një dimension të ri të punës së organizatës ndërkombëtare. “OSBE-ja do të luajë një rol në ndihmën e përpjekjeve të Shqipërisë në realizimin e reformave të rëndësishme për të reformuar shtetin shqiptar, për të rritur demokracinë në vend. Bashkëpunimi ynë do të rritet edhe në projekte të tjera në përputhje me mandatin e OSBE-së në Shqipëri në mënyrë që prezenca e OSBE-së t’u vijë sa më në ndihmë përpjekjeve të popullit shqiptar në aspiratën e tij për një demokraci sa më të madhe”, - thuhet në letrën e Presidentit të OSBE-së, Scub, dërguar ministrit shqiptar Basha.

Reagimi

Reagimi i OSBE-së vjen në një moment ku në vend është rihapur debati në lidhje me rolin e kësaj organizate ndërkombëtare në Shqipëri. U fol se qeveria ka kërkuar largimin apo uljen e rolit të OSBE-së në Shqipëri, por Kryeministri Berisha, si dhe Ministria e Jashtme kanë konfirmuar se prezenca e OSBE-së nuk do të largohet nga Shqipëria. “Në zgjedhjet e ardhshme do të ketë dyfish më shumë vëzhgues të OSBE-së për zgjedhjet”, - ka thënë Kryeministri Berisha. Njëkohësisht, edhe Ministria e Jashtme ka hedhur dritë mbi prezencën e OSBE-së në Tiranë. Në një reagim zyrtar, Ministria e Punëve të Jashtme ka përgënjeshtruar të gjithë zërat mbi largimin e mundshëm të misionit të OSBE-së nga Shqipëria. “Duke i konsideruar abuzive dhe të pavërteta pretendimet e ngritura në disa mjete të informimit mbi këtë çështje, Ministria e Punëve të Jashtme deklaron se nuk është kërkuar asnjëherë kufizimi i prezencës së OSBE-së apo i rolit të saj në lidhje me zgjedhjet. E kundërta është e vërtetë. Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar përqendrimin e rolit të OSBE-së në lidhje me sigurimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe reformën zgjedhore. Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, prej më shumë se 3 vitesh është angazhuar në një dialog të hapur me OSBE-në, të trashëguar nga qeverisja e mëparshme, në qendër të të cilit është përshtatja e rolit të OSBE-së në përputhje me realitetet e reja në vend”, - thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme. Në deklaratën e Ministrisë së Jashtme theksohet se OSBE-ja është duke bashkëpunuar në lidhje me realizimin e një sërë reformash delikate në vend.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›