Topi: Zgjedhjet e 2009-ës do jenë të pakontestueshme
• Presidenti Bamir Topi deklaroi dje nga qyteti i Korçës se, beson se zgjedhjet e vitit të ardhshëm do të jenë sipas standardeve dhe të pakontestueshme. Duke folur për debatin e fundit lidhur me reformën zgjedhore kreu i shtetit theksoi se, nëse arrihet të ndërtohen institucione të forta, njerëzit do të jenë me përfaqësues më cilësorë, veprimtaria e institucioneve do të jetë më kualitative dhe Shqipëria do të ketë shanse t'i arrijë standardet më shpejt. "Jam i bindur që në vitin 2009 Shqipëria do të realizojë zgjedhje politike, korrekte, të drejta, besoj pa elementë kontestues duke na dhënë shansin të gjithëve t'i drejtohemi më në fund vetëm terminologjisë, që ka të bëjë me zhvillimin ekonomik dhe të standardeve. Ajo shoqëri që ka standarde ekonomike di ta bëjë edhe politikën më fine, më të mirëkuptimtë, për ta çuar Shqipërinë drejt integrimit euroatlantik. Orientimi ynë në këtë drejtim është i qartë", ka theksuar kreu i shtetit në fjalën e tij. Sipas Topit, është normale që partitë politike të ruajnë pozicionet e tyre në debatin politik për reformën zgjedhore, por sipas tij, edhe debati duhet të ketë një fund. Një ditë më parë kreu i shtetit kërkoi angazhimin e të gjitha forcave politike për kryerjen e reformës elektorale, duke thënë se, ajo duhet të kalojë përmes komisionit të posaçëm parlamentar. Megjithatë sipas Topit, në fund vendos shumica.