E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dorian Bylykbashi , serish kapiteni i Partizanit

Dorian Bylykbashi do të jetë kapiten i Partizanit edhe për sezonin e ri futbollistik. Në klubin i kuq, nga burime të sigurta pranë presidentit Xhani, mësohet se elbasanasi i kombëtares do të dalë në stërvitje, nën urdhrat e Bajkos, që nesër, duke hedhur poshtë cdo hije dyshimi për largimin e tij. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Delaini, që pritet të rikthehet po nesër, dhe përforcimi i skuadrës me disa elementë kryesorë, nuk do të kishin vlerë pa shërbimin e mesfushorit të shquar të kampionatit tonë. Siguria për ardhjen e Dorian Bylykbashit shihej qartë edhe në qëndrimin e presidentit Xhani. Kur e pyet për rinovimin me kapitenin e kuq, Xhani, sigurisht duke qenë i sigurt për rikthimin e tij, duke ironizuar edhe zërat për kalimin e elbasanasit te skuadrat e tjera të superligës, ngre supet, madje shton se Tirana është më pranë nënshkrimit me këtë futbollist. "Bylykbashi? Ai është i Tiranës, i Vllaznisë, i Elbasanit. Të paktën kështu kam lexuar në shtyp,"- ka ironizuar Xhani, duke qenë i sigurt për rinovimin me Bylykbashin. Interesimi i tifozërisë, për të cilën blerjet dhe afrimet e shumë lojtarëve kanë më pak vlerë se rinovimi me Bylykbashin, për ta parë elbasanasin në fushën e stërvitjes është shumë i madh. Pyetjes se kur do të shihet Bylykbashi nën urdhrat e Bajkos, Xhani i përgjigjet: "Të shohim. Por dua të them se kurrë nuk do ta zhgënjejmë tifozërinë. Kam premtuar se do të ndërtoj një Partizan pretendent dhe nuk do të zhgënjej,"- është shprehur më tej njëshi i të kuqve. Ndërsa Bylykbashi, nga ana e tij, vazhdon të mbetet enigmatik. Lidhja më të nepërmjet telefonit është e pamundur. Gjithsesi, burime pranë lojtarit konfirmojnë ardhjen e tij nesër në klubin e kuq, duke e justifikuar mungesën e deritanishme me zgjidhjen e disa problemeve personale. Nga dita e hënë Bajko do të marrë frymë lirisht. Sigurisht, puna e tij e deritanishme ka qenë shumë serioze dhe rezultative, por ajo merr vlerën e duhur kur në skuadër janë të gjithë elementët, sidomos ata më cilësorë. Partizani ka zhvilluar deri tani katër ndeshje miqësore, por asnjëherë skuadra nuk ka paraqitur atë nivel loje që kërkojnë drejtuesit e kuq, kjo falë mungesës së "regjisorit". Loja e sulmit nuk ka qenë shumë rezultative, pasi kombinimi me mesfushën nuk ka rezultuar në nivelin e kërkuar. Arbër Abilaliajt, që sezonin e kaluar ka shënuar 8 gola, i kanë munguar asistet e kapitenit. Gjithsesi, mungesa e gjatë bën që Bylykbashi të mos jetë në 100% të formës së tij, por pa dyshim ai është i domosdoshëm për mesfushën e kuqe.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›