Hitaj: Kalendari diskutohet ditën e hënë
Ka reaguar menjëherë sektori i garave pas deklarimeve të drejtorit të stadiumit, Perikli Dhales, i cili haptazi kërkonte që të ndryshohej kalendari i aktivitetit. Kështu dje shefi i sektorit të garave, Hito Hitaj, ka pranuar të flasë për këtë problem. Sipas tij, nuk është aspak e vërtetë që federata ka bërë qëllimisht një kalendar për të dëmtuar stadiumin kombëtar "Qemal Stafa". Hitaj ka shtuar se kalendari është hedhur në sy të të gjitha klubeve dhe nuk ka pasur asnjë paragjykim. Thjesht ka qenë skema ajo që ka diktuar kalendarin e kampionatit. "E dëgjova me kujdes drejtorin e stadiumit. Normalisht ai ka të drejtë për ato që thotë. Në radhë të parë, nuk ka asnjë paragjykim për kalendarin e stadiumit kombëtar "Qemal Stafa". Kur u hodh shorti i kalendarit, për ekipet e Tiranës pati një short më vete. Fati vendosi këtë skemë. Gjithsesi, edhe një herë e pohoj me përgjegjshmëri të plotë se nuk ka ndonjë lloj paragjykimi për stadiumin më të madh të vendit," është shprehur në lidhje me këtë temë shefi i sektorit të garave në federatë. Hitaj gjithashtu ka pohuar për gazetën "Sporti shqiptar" se shumë shpejt kalendari i aktivitetit mund të pësojë ndonjë modifikim të vogël në të mirë të garës. Shefi i sektorit të garave në FSHF ka pohuar se ditën e hënë në sektorin e garave do të diskutohet gjatë për modifikimin e kalendarit për ndeshjet që do të luajnë Partizani dhe Dinamo. "Ditën e hënë, në FSHF kam thirrur të dy klubet e kryeqytetit, Partizanin dhe Dinamon. Do të diskutojmë për zgjidhjen që do të bëjmë për kalendarin e aktivitetit. Me të gjitha gjasat, një nga skuadrat e Tiranës do të invertojë ndeshjet dhe do të luajë jashtë Tiranës. Kështu, edhe stadiumi mund të marrë ndeshjet që kërkon dhe gjithcka mbyllet pas të hënës," ka përfunduar Hitaj. Pra, duket se përplasja mes stadiumit dhe FSHF së është evituar falë konsensusit të palëve. Me siguri, një skuadër, Partizani ose Dinamo, do të luajë në transfertë javën e parë të kampionatit.
Olsi Avdiaj