Doris Pack, dush të ftohtë atyre që kërkojnë të bllokojnë zgjedhjet dhe kartat e identitetit
Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian, Doris Pack u kujtoi opozitarëve dje se në asnjë vend të botës nuk ekzistojnë karta identiteti që jepen falas. Ajo i bën thirrje opozitës që të bëhet pjesë e procesit të pajisjes me karta identiteti dhe e fton të ndërpresë fushatën denigruese ndaj procesit zgjedhor.
TIRANE - Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Evropian (PE), Doris Pack, hodhi poshtë dje propozimin e Partisë Socialiste për dhënien falas të kartave të identitetit për personat që nuk kanë pasaportë. Në mbyllje të takimit të 16-të ndërparlamentar Shqipëri-PE, Pack reagoi ndaj kërkesës së opozitës së majtë, duke theksuar se kartat e identitetit kushtojnë shumë pak, krahasuar me të gjithë vendet e tjera.
“Qytetarët duhet të aplikojnë. Kartat e identitetit kushtojnë shumë pak, krahasuar me të gjithë vendet e tjera. Më e lira është 4 euro, ndërsa më e shtrenjta 10 euro. Nuk është shumë për t’u marrë një kartë identiteti që duhet për gjithë jetën. Nëse opozita e mban parasysh këtë është e drejtë të thuhet ju lutem shkoni bëni kërkesë për të marrë kartë identiteti të gjithë ju. Dje diskutuam midis nesh dhe thamë se nëse ka njerëz që nuk e përballojnë dot të paguajnë 4 euro atëherë ky person të shkojë të bëjë kërkesë dhe të provojë se nuk është në gjendje të paguajë kaq sa duhet. Nëse është e mundur në rregull, por ne nuk duhet të krijojmë përshtypjen se karta duhet marrë pa para. Një kartë që jepet pa para nuk ekziston në asnjë vend të botës. Ne i bëjmë thirrje të gjitha partive dhe medias të dilni e thoni që njerëzit të bëjnë kërkesë për kartat e identitetit. Nuk mendoj se opozita duhet t’u thotë njerëzve prisni, prisni dhe pak se pas disa muajsh do të jetë pa para. Kjo nuk është mënyra e drejtë. Nëse u vendos në fillim se do të kushtojë 10 euro, apo 7, 6 apo 4 duhet që t’i përmbahen premtimeve dhe t’i bëjnë thirrje njerëzve të aplikojnë për kartat e identitetit”, u shpreh Doris Pack.
Sipas saj, opozita dhe partia në pushtet kanë rënë dakord për disa modalitete që janë 10 euro dhe disa lehtësira për ata njerëz që janë në pozitë të vështirë financiare, siç janë pensionistët dhe disa kategori të tjera, 6 euro, 4 euro.
“Kjo është ajo që duhet, është e drejtë”, tha kryetarja e delegacionit të PE, Doris Pack.
Ajo vuri në dukje se kartat zëvendësojnë të gjitha certifikatat e lindjes për të cilat shtetasve u është dashur të kërkojnë për kohë të tëra.
“Më kanë thënë njerëzit që u është dashur të marrin 10-12 herë certifikata për arsye të ndryshme. Në rast se shihni se sa i është dashur dikujt të paguajë për të marrë certifikatat e lindjes, të shkojë aty të presë, duke menduar që i është dashur të paguajë 1 euro për çdo herë, tani jemi në një situatë”, u shpreh më tej europarlamentarja.
Për sa i përket pasaportave të reja biometrike, Pack vuri në dukje se puna është duke u bërë dhe se në vitin 2011 të gjithë qytetarët do të marrin pasaporta biometrike.
“Ju e dini se ka shumë rëndësi për sa i përket liberalizimit të vizave. Shqipëria është në rrugë të mbarë dhe më duhet të theksoj se edhe opozita ka punuar mirë me qeverinë në disa aspekte dhe kjo është diçka e re, sepse ju në Ballkan e dini mirë që është e vështirë të bësh kompromise sepse duket sikur je i dobët kur bën konsensus. Por nuk je i dobët nëse bën një marrëveshje në emër të popullit”, u shpreh ajo.
Kryetarja e delegacionit të Parlamentit Europian (PE), Doris Pack, vlerësoi midis të tjerave me superlativa angazhimin dinjitoz të Shqipërisë në kuadër të integrimit të plotë në NATO dhe hyrjen e MSA-së në fuqi, vetëm pas një jave. Ajo theksoi se “Shqipëria ka plotësuar detyrimet për të qenë anëtar i NATO-s, dhe kjo është një arritje e madhe për Shqipërinë dhe për këtë duhet të jeni krenar”.
“Ky është një sinjal për popullin tuaj që bën një hap përpara për të hyrë në NATO. Ju jeni pjesë e procesit të Selanikut, që do të thotë se jeni në rrugën e afrimit me BE. Në 3 prill hyn në fuqi MSA. Ky është një hap i madh përpara se për këtë duhet të jeni krenarë të gjithë, qeveria, opozita, të gjithë ju. Tani duhet të vazhdoni në këtë rrugë, është një rrugë e gjatë për të shkuar në BE, sepse të pranoni të gjitha ato që kemi bërë ne në 50 vitet e fundit, të gjithë legjislacionin tonë dhe kjo është shumë e vështirë”, u shpreh Pack.
Më tej, kryetarja e delegacionit të PE, vuri në dukje se vendet e ballkanit perëndimor, do të marrin një datë për integrimin në BE, në një kohë të përshtatshme dhe kur të kenë përmbushur kriteret.
“Këtë gjë ne e mësuam duke pranuar Bullgarinë dhe Rumaninë, ne nuk vumë kushte të tilla dhe për fat të keq ose për fat të mirë këto piketa janë më të larta. Kroacia është e para që duhet ti kalojë dhe pastaj të tjera. Nëse qeveria dhe parlamenti e përshpejtojnë punën ju bëni një përparim të madh. Duhet të punoni dhe jo të prisni deri sa tu japim ne një datë. Nuk do tu japim asnjë datë përpara se ti përmbushni piketat që u kemi vendosur dhe kjo nuk është vetëm për ju por për të gjitha vendet e rajonit”, deklaroi më tej Doris Pack.