Shqipëria në NATO, një premtim mbajtur, sytë nga BE-ja
Zhvillohet në Tiranë Konferenca e 13-të Kombëtare e Këshillit të Atlantikut të Shqipërisë
TIRANE - Është zhvilluar dje në Tiranë Konferenca e 13-të Kombëtare e Këshillit të Atlantikut të Shqipërisë. Temë diskutimi ishte në këtë konferencë, pranimi zyrtarisht i Shqipërisë në NATO, që pritet të realizohet në samitin e radhës së Aleancës, në fillim të muajit prill të këtij viti, është një nga arritjet më madhore në historinë e Shqipërisë.
“Shqipëria dhe Kroacia do të bëhen anëtare të NATO-s më 3 prill të këtij viti. Kjo është bërë e mundur për shkak të përmbushjes së standardeve për t’u anëtarësuar në Aleancën e Atlantikut Verior”, deklaroi në këtë konferencë zëvendësambasadori amerikan në Tiranë Stefen Kristina.
Shqipëria me anëtarësimin e saj në Aleancë, cilësoi ai, do të shërbejë si shembull për vendet e tjera që do të aplikojnë.
Këshilli i Atlantikut është një shoqatë që grumbullon rreth vetes përfaqësues të ndryshëm të politikës e shoqërisë civile dhe promovon vlerat demokratike që frymëzon Aleanca e Atlantikut të Veriut si dhe përparimin e Shqipërisë në afrimin me këtë organizatë.
Jozefina Topalli
Për Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli NATO në këtë 60 vjetor vjen me mësimin më të vyer për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen pjesë e saj.
Gjatë fjalës së mbajtur në këtë event, kryetarja e Kuvendit u shpreh se “NATO-n si aleanca më e suksesshme e lirisë dhe sigurisë në historinë e njerëzimit, që u jepte rreze shpresë edhe atyre që u kishte rënë për të jetuar në anën e gjymtuar të kontinentit të vjetër, e ku fatkeqësisht gjendeshim edhe ne”.
Duke kujtuar të shkuarën diktatoriale të vendit tonë, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “me gjithë mpirjen e mendjes, ne shqiptarët shihnim drejt saj me sytë e shpirtit dhe thellë thellë trashëguam besimin se i përkisnin Evropës së lirë dhe të sigurt, garanci që jepte vetëm një aleancë si NATO në mbrojtje të lirisë dhe e mbështetur në vlerat e demokracisë”.
Duke kujtuar samitin e prillit, kryetarja Topalli u shpreh se “NATO në këtë 60 vjetor vjen me mësimin më të vyer për të gjithë ata që aspirojnë të bëhen pjesë e saj. Ajo u hap dyert vetëm atyre që duan të ndajnë me të krahas të tjerash edhe vlerën - jo vetëm konsumues të sigurisë së përbashkët por edhe kontribuues në këtë siguri”.
Duke u ndalur tek anëtarësimi i pritshëm i Shqipërisë në NATO, Topalli u shpreh se “këtë vlerë e ka bërë të veten edhe Shqipëria që në më pak se dy javë bëhet anëtare me të drejta të plota e kësaj Aleance e të mrekullueshme të sigurisë dhe të lirisë”. “Në më pak se dy javë vendi ynë përjeton një ngjarje kulmore historike për nga dimensioni e domethënia”.
Kryetarja Topalli u shpreh se me anëtarësimin e plotë në NATO “Shqipëria fshin, një herë e përgjithmonë, nga memoria e saj periudha nënshtrimi në blloqe e traktate famëkeq, periudha trusnie vetizolimi e vetasgjësimi”.
Duke u ndalur tek aspirata tjetër e që Shqipëria kërkon të përmbushë, Topalli u shpreh se “Sot ne ndihemi të lumtur se përjetuam një sfidë të lakmueshme dhe jetuam një etapë thelbësorë të rrugëtimit tonë drejt BE dhe institucioneve të saj, por ne ndihemi po kaq të vetëdijshëm se kemi rrugë për të bërë, kemi vështirësi për të kapërcyer, kemi sfida më të forta për të përballuar”. Në përfundim të fjalës së saj, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “Në më pak se dy javë, ne shqiptarët ku do që jemi, do të përjetojmë momentin e mrekullisë së jetësimit të një ëndrre në sirtar të prindërve tanë dhe të ndihemi të shpërblyer në përpjekjet tona dhe të bekuar që ia arritëm të jetojmë këtë moment të rikthimit në Evropën e vullnetit të lirë, të guximit dhe drejtësisë”.
Lulzim Basha
Ndërsa ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, vuri në dukje se “në prill 2009 Shqipëria do të jetë vend anëtar i NATO-s dhe vend i asocuar i Bashkimit Evropian”.
Sipas tij në 1 prill hyn në fuqi Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit të Shqipërisë me BE-në dhe po të konsiderojmë këtu edhe pavarësinë e Kosovës, mund të themi pa frikë se kjo është konjuktura më e favorshme historike që ka përjetuar ndonjëherë kombi ynë.
“Ai po largon njëherë e përgjithmonë brengën shekullore për një ekzistencë të lirë dhe të sigurt. Pas kësaj, të gjithë së bashku mund të shohim të sigurt drejt së ardhmes tonë Evropiane, që po materializohet dita-ditës me intensifikimin e pandërprerë të proceseve integruese të vendit drejt BE-së”, tha Basha.
Për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, ministri Basha u shpreh se “Tashmë jemi në një fazë të avancuar të dialogut për liberalizimin e plotë të vizave në zonën Shengen për qytetarët shqiptarë dhe në një bashkëpunim konstant me institucionet Evropiane për të koordinuar aplikimin e shpejtë për vend anëtar në Bashkimin Evropian”.
Ministri Basha i cilësoi pavarësinë e Kosovës, Samitin e Bukureshtit dhe Samitin e ardhshëm të Starsburg-Kehl si tre gurët kilometrikë të rrugës së pakthyeshme të Ballkanit Perëndimor drejt paqes, stabilitetit dhe vlerave të Evropës së lirë dhe demokratike. “Kurrë më parë, siguria e rajonit tonë nuk ka qenë më lart se sot dhe perspektiva për paqe dhe zhvillim afatgjatë, kaq e prekshme”, theksoi ministri.
Në kuadër të bashkëpunimit rajonal, Ministria Basha theksoi se, “Shqipëria mirëpret fillimin e Dialogut të Intensifikuar të NATO-s me Bosnje-Hercegovinën dhe Malin e Zi, për tërë spektrin e çështjeve politike, ushtarake, të sigurisë, si dhe është e gatshme t`iu ofrojë bashkëpunimin e saj maksimal dhe përvojën e fituar vendeve të rajonit, pjesëmarrëse në Partneritetin për Paqe”.
Duke u ndalur tek progreset që ka njohur Shqipëria, dhe panorama e shtrembër që I është bërë vendit tonë në disa raste, Ministri Basha tha se “Vetëm pak vjet më parë, askush, nuk do të guxonte të mendonte që edhe Shqipëria, vendi që përmendej kryesisht për trafiqet, korrupsionin dhe paaftësinë për tu përballur me krimin e organizuar, do të përfshihej në kremtimet e 60 vjetorit të themelimit të Aleancës, si anëtare me të drejta të plota të saj, si shtet me dinjitet të barabartë mes partnerëve tanë. Sot, të gjithë ne mund të dëshmojmë që aspirata e qytetarëve shqiptarë për një Shqipëri në Evropë po bëhet realitet dhe po kurorëzohet me përmbylljen e fazës së parë të procesit të integrimit Euroatlantik”.