Rama pa alternativë për kartat, Taulant Balla dhe Arta Dade, “make up”, propozimit të tij

Pas përcjelljes pa jehonën e pretenduar të protestës në përvjetorin e parë të Gërdecit, PS-ja ka shndërruar në “kalin e betejës” zhurmën për pasaportat elektronike, të njohura ndryshe edhe si karta identiteti. Por ndërsa, udhëheqës të PS, nga Edi Rama e deri te Taulant Balla, artikulojnë në të gjitha rasat, lakimin e togfjalëshit “karta identiteti”, për ditë e më shumë veç propagandës zhurmëmadhe, ata duken se nuk kanë një strategji të saktë për këtë proces, përveçse përbaltjes së tij në mënyrën më kaotike të mundshme.
Jo më larg se tre ditë më parë Edi Rama propozonte publikisht “shpërndarjen e letërnjoftimeve (kartave të identitetit) falas për të gjithë shtetasi pa pasaportë, deri më 28 qershor”
Duke pasur bindjen në vetvete se personat pa pasaporta (që kanë përparësi në aplikim për kartë identitetit), janë “më të varfrit”, Rama shkonte edhe më tej me propozimin e tij kur theksonte se, “aplikimet e të gjithë shtetasve me pasaportë duhet të ndërpriten deri në 28 qershor...”.
Këtij avazi i “mbajtën ison” të nesërmen në sallën e parlamentit edhe Valnetina Lesakj, Ermelinda Meksi, etj., etj.
Por çuditërisht, jo më larg se dje, qëndrimi i PS-ës, ndoshta nga shuplaka e Doris Pack, bëri një kthim mbrapa kur propozimin e para tri ditëve të Edi Ramës, udhëheqës të niveleve të mëposhtme në PS, e katandisën nga “shpërndarje falas për të gjithë shtetasi pa pasaportë”, në “lehtësira financiare për shtresat e disavantazhuara, vulnerabël ( pra, me të ardhura të pakta)”.
Zbritja nga niveli i një numër të caktuar shtetasish pa pasaportë, në nivelin e një shtrese, me numër të papërcaktuar personash me të ardhura të pakta, u mor përsipër të korrigjohej dje, e thënë ndryshe, u mor përsipër për ti bërë “make up” Edi Ramës, nga Taulant Balla.
I ngelur “i vetëm trim në luftë”, në kushte kur “mediatiku” tjetër Erjon Braçe po vazhdon ti mbajë mëri Edi Ramës për shkakun e Erjon Veliajt, Taulant Balla duke shfrytëzuar jo vetëm “boshllëkun”, nuk lë rast këto ditë të dalë e të flasë për të gjitha, por pa thënë asgjë. Këtë gjë ai bëri edhe dje kur, ndërsa la shijen se nuk kishte kuptuara asgjë nga ato që ishin thënë nga europarlamentarja, shkoi edhe më tej kur pati bindjen apo vegimin se “ia përplasi në fytyrë” Doris Pack, me deklarimin se “Parlamenti Evropian pra, e ka pranuar këtë propozim, që të krijohen, e them dhe një herë, lehtësi të mëtejshme financiare për grupet e disavantazhuara”.
Në fakt, apo më saktë, me këtë moskuptimin e tij, Taulant Balla nuk ka bërë asgjë më shumë se sa ka “modifikuar” qëndrimin e Edi Ramës, i cili propozimin e para tri ditëve për pajisje falas me karta identiteti e kishte për “të gjithë shtetasit pa pasaportë”, ndërsa Taulant Balla, “merak” të tijin dje kishte vetëm “grupet e disavantazhuara”.
Në këtë sforcim të Taulant Ballës, për të bërë rolin e atij që “s’kishte kuptuar gjë”, u bashkua edhe Arta Dade, e cila pasi vlerësoi se “qëndrimet e Doris Pack, ishin jozyrtare”, i dha edhe ajo një dorë korrigjimit të budallallëkut të Edi Ramës, kur me deklarimin e saj të djeshëm publik, artikuloi “lehtësira të tjera financiare duhet të propozohen për qytetarët që i përkasin kategorive të paavantazhuara dhe vulnerabël (pra, me të ardhura të pakta)”, na la të kuptonim se Edi Rama me propozimin e tij se “shpërndarjen e letërnjoftimeve (kartave të identitetit) falas për të gjithë shtetasi pa pasaportë, deri më 28 qershor”, jo ia kishte futur kot, por e kishte lëshuar atë deklarim në kushtet e mospasjes së një alternative konkrete (veçse të ankimit pa shkak), për procesin e pajisjes së shtetasve me karat identiteti.