E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në gjurmët e hakmarrjes së Ali Pashës

Lumi i Drinos vjen si i murrëtyer. Është krejt i turbullt nga shirat që kanë rënë paprerë këto ditët e fundit. Në majat e maleve rreth e rrotull ende zbardhëllojnë "kapuçët" e bardhë të dëborës. Re të zeza rëndojnë mbi krejt luginën. Nga veriu vjen një erë e thëllimtë. Pranverë e çuditshme kjo e sivjetshmja. Është njësoj sikur dikush të ketë vendosur që të na mbajë të strukur edhe për disa kohë. Përmes pemëve me lule të tkurrura nga i ftohti dhe lagështira udhëtojmë për pak minuta në rrugën që shkon nga Tepelena për në Gjirokastër. Në fillim nuk na e mbush mendjen një pasarelë që lidh dy anët e lumit, kështu që vazhdojmë më tej, drejt asaj që vendasit e quajnë "Ura e Subashit". Në fakt kemi bërë gabim, sepse këndej kalon rruga që shkon për në Labovën e Zhapës, por gjithsesi kemi nisur të shohim shtëpitë e para të Hormovës, të vendosura në shatin e pjerrët të Malit të Golikut. Në Hormovë do të mundohemi të gjejmë ndonjë shenjë të njërës prej historive më të përgjakshme të kohës së Ali Pashë Tepelenës, masakrën e hormovitëve. Në mos trualli, mendja njerëzore duhet të ruajë ende ndonjë gjë nga ajo ditë e përgjakur.

Në anë të Golikut

Hormova ka qenë deri në fillimet e ‘90 një fshat i madh. Tani djemtë kanë ikur larg, në emigracion, dhe fshati mbahet vetëm me atë pak tokë dhe me ndonjë bagëti. Fëmijët janë bërë gjithnjë e më të pakët. Fshati është i rrethuar nga uji dhe gjelbërimi, porse qendra e tij është çuditërisht e gurtë. Që të ruhemi nga shiu i imët dhe i ftohtë, që nuk rresht së na penguari, kthejmë në një dyqan të vogël. Tre burra, mbi tre stola shikojnë të çuditur nga vizitorët e beftë që u kanë prishur qetësinë. Porse miqësohemi shpejt me ta. Njëri prej tyre, Sejko Çako, merr përsipër që të na shoqërojë deri lart fshatit. Në fillim nisim e shfletojmë shënimet në blloqet tona.

Historia e kësaj masakre nis me Hankon, të ëmën e Aliut. Bejleresha nga Konica duhet të ketë qenë një femër fort e ngatërruar. Sa qe gjallë i shoqi, Veliu, nuk u duk gjëkundi, por me vdekjen e tij ajo nisi të synojë për pushtet e prona. Asokohe Aliu, Veziri i ardhshëm i Janinës, ishte vetëm dhjetë vjeç. Mëria e saj e parë ka qenë për një vejushë tjetër, gruan e kunatit të saj. Hanko, që nuk para pëlqehej në Tepelenë, kishte shkuar të jetonte në Karjan, një fshat që ekziston edhe sot përballë Gjirokastrës. Ishte Hanko që i yshti hormovitët e krishterë që të masakronin familjen e kunatës rivale, ndonëse këtë gjë nuk e pranoi kurrë. Kështu nisi një cikël përgjakjesh që do të vazhdojë mbi 40 vjet. Hormovitët drejtoheshin nga Çaush Prifti, për të cilin "gojët e liga" thanë se ishte edhe i dashuri i Hankos. Pas do kohësh Hanko nisi të shtojë taksat mbi Hormovën. Miqtë e dikurshëm u bënë armiq për kokë. Kur Hanko synoi të merrte edhe Kakosin, një fshat i vogël në krah të Karjanit, atëherë ajo ia shtoi armiqtë vetes. Kakosi ishte pronë e Kardhiqit, asokohe një qytet i fuqishëm me 6 mijë banorë. Për Hormovën dhe Kardhiqin vejusha e kishte mbushur kupën. Ndërsa kalonte afër Kardhiqit ajo dhe e bija, Shanishaja, rrëmbehen dhe mbahen robina për 40 ditë. Teoria më e përhapur është se dy femrat u përdhunuan sistematikisht, ndonëse ka të tjerë që nuk e pranojnë këtë. Si do që të jetë e vërteta, kjo ngjarje do të jetë vendimtare në jetën e mëpastajme të Ali Pashë Tepelenës. Hanko dhe e bija u liruan vetëm në këmbim të një haraçi prej 28 mijë piastrash që u pagua nga një tregtar gjirokastrit, shumë e madhe për atë kohë. Nënë e bijë që nga kjo histori patën vetëm një ide fikse: të hakmerreshin ndaj Hormovës dhe Kardhiqit.

Në të ritë e tij, kur sapo kishte krijuar çetën e tij të kaçakëve Aliu e sulmoi Hormovën, por u mund dhe mori arratinë. Thonë se Hanko u tërbua ndaj të birit. Madje thonë edhe se i dha një furkë dhe i tha të shkonte në harem. Sipas saj, atje e kishin vendin burrat që nuk vinin në vend nderin e familjes.

Në 1788, Ali kishte arritur, pas shumë historish të mbushura me intriga dhe vrasje, të vihej në krye të Janinës. Pikërisht në këtë vit, Hanko vdes në Tepelenë. Aliut dhe së motrës u la vetëm një amanet: Shfarosni Hormovën dhe Kardhiqin! Aliu iu vu menjëherë punës për ta përmbushur dëshirën e fundit të nënës së tij. U dërgoi fjalë hormovitëve se kishte ndërmend të pajtohej dhe donte t‘i takonte. Takimi duhej të bëhej në një manastir pranë fshatit. Hormovitët i besuan. Sapo burrat e Hormovës u futën brenda, dyert e manastirit u mbyllën dhe nisi masakra. Çaush Prifti, ai njeriu dikur i afërt me Hankon, u shkua në hell dhe u poq njësoj si bagëtitë. Pastaj Aliu iu kthye fshatit dhe e shkatërroi krejtësisht. Banorët e paktë që shpëtuan shkuan larg. Kardhiqi nuk ekzistonte më.

"Ngado ka rrënoja të vjetra, mbetje të shtëpive të kohës së masakrës", na thotë Sejko ndërsa kemi mbërritur në majë të fshatit. Mes luleve të lofatës, që kanë shpërthyer këto ditë, shikojmë ngado themele, pjesë muresh të nxirosura, kujtime të asaj dite të mbushur plot klithma. Poshtë në fshat është qetësi. Vetëm kënga e bilbilave dhe gurgullima e burimeve të shumtë e prish qetësinë që është vendosur që prej shumë kohësh. Pas një periudhe të gjatë braktisjeje, fshati u ripopullua sërish nga banorë myslimanë të ardhur nga Kurveleshi. Fshatarët e sotëm janë pasardhësit e tyre. Një rrënojë e madhe në qendër na bën të besojmë se kemi gjetur një shenjë të Hormovës së kohës së Aliut, porse kemi gabuar kohë. "Këtu ka qenë teqeja e Hormovës, një nga më të mëdhatë në Jug. Kjo lidhet me një tjetër masakër që është zhvilluar këtu - na thotë Sejko - në kohën e Luftës së Parë Botërore, në mars të 1814, ushtria greke rrethoi fshatin. 217 burra të fshatit u mbyllën në këtë teqe dhe u mbajtën për shtatë ditë pa ujë e pa bukë. Pastaj i çuan në një fshat përtej dhe i masakruan të gjithë. Kufomat e tyre u zhdukën duke i futur në gropa gëlqereje të pashuar. Kështu grekët morën hak për Çaush Priftin dhe për të tjerët".

Një lapidar i madh ngrihet krejt në qendër të fshatit, atje ku bashkohen rrugët që shkojnë nëpër lagje. "Edhe gjatë Luftës jemi goditur keq - shpjegon Sejko - kur gjermanët po vinin nga Greqia për t‘u ngjitur drejt luginës së Vjosës, fshati mori pjesë në pritën që u bë poshtë tij. Hakmarrja gjermane qe e menjëhershme. Fshati u dogj krejtësisht". Të rrethuar nga qetësia - edhe shiu tani ka pushuar - e kemi të vështirë ta besojmë se në këtë vend, sot krejt të paqtë, të jetë derdhur aq shumë gjak. "Po juve sikur ju paska nëmur njeri more Sejko!?", bën shaka njëri prej nesh. Sejko, si psherëtin njëherë, thotë thjesht: "Kështu e kanë këto punë…".

Drinon e kapërcejmë mbi atë urën, për të cilën nuk kishim pasur besim kur erdhëm. Pasarela e lidhur me kavo çeliku rënkon ca nga pesha e makinës tonë, por duket se është një urë e fortë, e aftë të mbajë mbi shpinë edhe për shumë kohë njerëz e historitë që ata marrin me vete.

Rikthim në Kardhiq

Kardhiqi është vetëm pak kilometra larg Gjirokastrës. Në krah të urës, që mban emrin e tij, vazhdojnë punimet e një rruge të re, që do të shkurtojë shumë distancën me Sarandën. Mbi xhadenë e gjerë, ende të papërfunduar, kemi mundësi të ecim shpejt. Pastaj lemë poshtë fushën dhe lumin e Kardhiqit dhe nisim të ngjitemi drejt fshatit, ose më mirë me thënë drejt rrënojave të tij. Në Kardhiq, kthehemi pas afër tre vjetësh. Kur kishim ardhur këtu na kishin bërë përshtypje shtëpitë e braktisura dhe heshtja e thellë. Asokohe, kishim bujtur në shtëpinë e nënë Lirisë, një plakë e moçme, por shumë e fortë. Tani, pas tre vjetësh, nisim të shënojmë ndryshimet. Atëherë kishim gjetur tetë shtëpi në fshat, tani gjetëm vetëm tre. Një miku ynë që na kish shoqëruar nëpër rrënoja, nuk jeton më. Ishte vrarë nga një dem i tërbuar. Nënë Liria që bridhte lart e poshtë me bagëtitë tani mezi shkon deri te porta e oborrit. "Qeshë keq fare - thotë me të qeshur - po Perëndia më shpëtoi. Vjen pranvera ngjallen plakat, thonë këndej na neve".

Në Kardhiq jemi me një mik të vjetër: Resul Llogon. Resuli është zyrtar e politikan, por ka një pasion të madh, historinë e fshatit të tij, Kardhiqit. Shëtisim do kohë nëpër kalanë e rrënuar, pastaj mes shtëpive që kanë nisur të kthehen në grumbuj të mëdhenj gurësh, para një xhamie, së cilës i ka mbetur vetëm minareja pa majë. Kardhiqi dikur ka qenë një qytet fort i lulëzuar, me pazar të madh, prona, shtëpi të mëdha si ato të Gjirokastrës… Fundi i erdhi nga një emër, për të cilin tashmë kemi folur: Ali Pashë Tepelena.

Në 1811, Aliu ishte në apogje të pushtetit të tij. Kjo ia kishte shtuar edhe më arrogancën. Një konflikt me bejlerët e Vlorës, bëri që krerët e Gjirokastrës, Delvinës, Labërisë të nxirrnin në pah pakënaqësitë e vjetra. Këta lidhen në një aleancë me krerët e Kardhiqit, të cilët prej kohësh nuk i ishin përulur pushtetit të Aliut. Ky mblodhi ushtrinë në Libohovë, ku asokohe jetonte e motra, Shanishaja, në gjendje depresive. Dy djem i kishin vdekur dhe kujtimi i çnderimit në Kardhiq nuk i fashitej. Në pallatin e saj nuk lejoheshin zbukurimet dhe ngjyrat. E gjithë Libohova duhej të mbante zi për motrën e Aliut. "Nuk do të jesh Vezir i vërtetë - i përsëriste vëllait - nëse nuk shkatërron Kardhiqin. Atëherë unë do të mbush dyshekët me flokët e femrave të tyre". Që nga pranvera e 1811 deri në fillim të 1812, Aliu i mposhti, ca me luftë, ca me dredhi të gjithë kundërshtarët e tij. Pasi mori Gjirokastrën rrethoi Kardhiqin. Qyteti rezistoi deri në mars 1812, pastaj u dorëzua. Krerët u thirrën në Janinë, ku në fillim u trajtuan si kundërshtarë të denjë.

Më 22 mars 1812, Aliu mbërriti në Libohovë. Thuhet se Shanishaja u bë si e çmendur nga gëzimi. Dita e saj po afrohej. Më 24 mars 772 burra kardhiqotë të paarmatosur u mblodhën në Hanin e Valaresë, në krahun e djathtë të Drinos, përballë Gjirokastrës. Aliu u kishte premtuar se do t‘u falte jetën dhe pasurinë. Me urdhrin e Aliut të gjithë u masakruan me grupe me nga pesëmbëdhjetë vetë. Në të njëjtën ditë në Janinë Myftar Pasha, djali i Aliut shkonte në thikë krerët që ishin dorëzuar më parë vullnetarisht. Pusi ku u hodhën trupat e tyre quhet ende edhe sot "Pusi i Kardhiqotëve". Pastaj ushtria iu kthye Kardhiqit dhe e rrënoi plotësisht. Gratë kardhiqote u dërguan në Libohovë, ku parakaluan me flokë të prera dhe fare lakuriq para Shanishasë së tërbuar. Me flokët e kardhiqoteve ajo mbushi dyshekët e saj, sikurse kishte thënë më parë. Gratë e martirizuara u endën për shumë kohë nëpër male. Askush nuk i strehonte. Urdhri i Vezirit ishte i prerë: Do ta hajë gjarpëri i zi atë që do të strehojë ndonjë banor të Kardhiqit!

Thonë se Aliu u kujtua edhe për tre kardhiqotë që i kishte në shërbim të tij. Këta iu lutën që të mos i vriste. Përse na vret more Pasha, ne punojmë për ty?", thuhet t‘i ketë thënë njëri prej tyre. "Kam 40 vjet që e pres këtë ditë", ka thënë shkurt Aliu dhe ka dhënë urdhër të vriten menjëherë. Amaneti i nënës së tij të egër ishte plotësuar. Këtë histori kujtojmë ndërsa nga Kalaja e Kardhiqit shohim rrënojat, fushën e begatë në këmbët tona dhe rrugën e re që gjarpëron në anë të saj.

Kthejmë një copë herë në një fshat ngjitur, në Plesat. Shtëpitë e tij të vjetra mbase janë të vetmet dëshmitare që kanë mbetur që nga koha e gjakderdhjes së madhe. Ca më tej janë rrënojat e manastirit mesjetar të Cepos dhe kisha e Shën Kollit. Kisha e bardhë me siguri i ka dëgjuar klithmat dhe ia ka parë tymin masakrës së Kardhiqit.

Kalojmë në krahun tjetër të Drinos. Tani kemi prekur zonën e Lunxhërisë. Vetëm pak minuta me makinë nga Gjirokastra janë dy fshatra të vegjël: Kakosi dhe Karjani. Për këto grumbuj të vegjël shtëpish ka nisur ajo gjakderdhje e madhe që zuri fill që me intrigat e Hankos. Fare pranë tyre është vendi ku dikur ishte Hani i Valaresë. Asgjë nuk ka mbetur nga vendi i masakrës, madje as gurët. Në vend të hanit janë ndërtuar disa shtëpi të reja prej betoni. Një çoban është mbështetur mbi shkopin e tij me sytë e mbërthyer mbi dy lopë. E përshëndesim dhe e pyesim se mos vallë ka parë ndonjë gjurmë nga hani i dikurshëm ku është bërë ajo kasaphana e famshme. Ky në fillim picërron sytë, pastaj shton: Po unë këtu banoj. Hani i Valaresë?! Kurrë nuk e kam dëgjuar më parë këtë emër! Çobani i ngratë është zënë ngushtë. E si të mos e dijë një gjë që ka ndodhur dikur në fshatin e tij! "Po unë jam i ardhur këtu. Unë jam vlleh", del ai nga situata. Ne marrim rrugën e kthimit. Në krah kemi Lunxhërinë, përballë Gjirokastrën mbi të cilën tani retë kanë nisur të shpërndahen.

Dëshmitari

Një vit pas masakrës

Henri Holland, (1788-1873), ishte një mjek skocez fort i njohur në Britaninë e shekullit 19. Mik i Darvinit, Sër Uollter Skotit dhe Bajronit, ai arriti që në moshë fare të re të bëhej mjeku kryesor i mbretëreshës Viktoria. Zbarkoi në Prevezë vetëm kur ishte 24 vjeç. Shumë shpejt arriti të bëhej mjek dhe këshilltar i afërt i Ali Pashë Tepelenës. Holland ishte perëndimori i parë që mbërriti në Hanin e Valaresë, pas masakrimit të burrave të Kardhiqit. Ai shkoi në anë të Drinos në mars 1813, një vit plot pas asaj ngjarjeje që tronditi gjithë Jugun shqiptar. Ja një pjesë nga dëshmia e tij: "… Gjatë kthimit nga veriu për në Janinë unë viztova hanin ku kishte ndodhur kjo ngjarje e trishtuar. Një nga rojat e mi shqiptarë, Kostandini, kishte qenë njëri nga luftëtarët që kishte ekzekutuar kardhiqasit, një rrethanë për të cilën ai fliste me një indiferencë të hapur. Vendi ishte rrethuar nga të gjitha anët me mure të larta. Mbi njërën nga dyert e dikurshme ishte varur një pllakë, guri, ku ishin shkruar një sërë vargjesh në greqisht, që kujtonin ngjarjen. Këtë shkrim, të vendosur këtu me urdhër të Vezirit, unë nuk munda ta lexoj për shkak të lartësisë së saj nga toka, por më thanë se aty tregoheshin disa nga rrethanat, dhe shkrimi përfundonte duke theksuar se i tillë do të jetë fati i të gjithë atyre që lënduan familjen e Ali Pashës. Me vështirësi u ngjita mbi muret e hanit. Gjeta të shpërndarë gjithkund mbi sipërfaqe atë çfarë kishte mbetur nga viktimat e pafat që u ekzekutuan në këtë vend, si dhe dëshmi të tjera nga mënyra si ishte kryer kjo masakër.

Dukej sikur Ali Pasha nuk ishte kënaqur me këtë veprim, sepse përsëri ishte i pandjeshëm ndaj asaj ngjarjeje që ishte shkaktuar. Përveç mbishkrimit që përmenda, ngjarja është përshkruar e plotë në historinë poetike të jetës së tij, të cilës ai i ka dhënë miratimin për botim. Nuk ka dyshim që ai nuk do të më kishte drejtuar mua këtu, për të siguruar dëshmi pamore të saj, sikur të dinte që ky akt do të kishte një reputacion të keq në gjykimin europian…".

(Sipas: Henri Holland, Mjek tek Ali Pasha, përktheu Arbëra Dobi, Migjeni, Tiranë 2008)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›