Dortmundi, 12 milionë euro për Xhakën

Sipas të përditshmes italiane Calciomercato.com, kampioni aktual gjerman ka bërë gati 12 milionë euro, për t’i siguruar shërbimet e mesfushorit kosovar.
Për shërbimet e 19 vjeçarit, interesim ka shfaqur Juventusi, i cili e sheh atë si futbollist ideal për të luajtur në vend të Marchisios ose Vidalit, qysh në sezonin e ardhshëm. Mirëpo, problemi qëndron tek oferta. Kampioni i shumëfishtë italian ofron gjysmën e parave që është i gatshëm t’i shpenzojë Dortmundi, 6 milionë euro.
Elegant dhe fizikisht i përgatitur, përfaqësuesi zviceran ka shpërthyer vitin e kaluar, ku e fitoi një vend titullari në Basel dhe në përfaqësuesen e Zvicrës, përpos pjesëmarrjes në Evropianin U23, ku shkoi deri në finale me Helvetikët.
Xhaka kërkohet edhe nga ekipet tjera gjermane, Hamburg e Bayern Munich, kështu që e ardhmja e tij mund të jetë e lidhur me Bundesligën gjermane. Po ashtu, ai pëlqehet edhe nga gjigantët anglezë, Manchester United, Liverpool, Arsenal dhe Chelsea.