Gjigantët e La Ligas

Dhjetë lojtarët kryesor në La Liga për nga vlera e tyre në treg nuk paraqesin befasi të mëdha për njohësit e futbollit në mbarë botën. Pak a shumë, secili prej atyre i përfshirë në përmbledhjen e Goal.com, luajnë për Barcelonën ose Real Madridin.
I vetmi përjashtim është anëtari i Atletico Madridit, sulmuesi Radamel Falcao. Për të shtuar kureshtjen, numërimi fillon nga pozita e dhjetë ku gjendet portieri Iker Casillas. Kapiteni i Real Madridit, njëkohësisht legjenda e klubit, është një prej elementeve kryesor në ekipin e Jose Mourinhos që këtë sezon është në rrugë të mirë drejt titullit të parë në La Liga prej vitit 2008.
Vlera e Casillasit në treg është 35 milionë euro. Ndoshta shumëkush do të çuditet por aq është edhe vlera e mesfushorit mjeshtëror të Barcelonës, Xavi i cili është duke zhvilluar sezonin e tij të 15-të me gjigantin katalan.
Pas tyre vjen sulmuesi i Atletico Madridit, Radamel Falcao i cili edhe pse vlen aq sa Casillas dhe Xavi, renditet para tyre për shkak të karrierës më të gjatë që ka para tij. Kolumbiani 26 vjeç deri më tani në sezonin e tij të parë në La Liga ka zhvilluar 21 ndeshje, prej të cilave ka shënuar 15 gola.
Në Europa League ka bërë tetë paraqitje dhe ka realizuar pesë herë. Pozita e shtatë i takon mesfushorit të Real Madridit, Xabi Alonso i cili po ashtu vlerësohet në 35 milionë euro. Alonso është futbollist tek i cili beson shumë Mourinho. Mbrojtësi brazilian i Barcelonës, Daniel Alves renditet i gjashti me vlerë prej 36 milionë eurosh. Mbi të gjenden edhe tre anëtarë të gjigantit katalan, Gerard Pique (38), Cesc Fabregas (55) dhe Andres Iniesta (65).
Ronaldo, golashënuesi më i mirë
Në pozitën e dytë gjendet Cristiano Ronaldo. Ylli i Real Madridit vlen 90 milionë euro. Portugezi ka pushtuar zemrat e tifozëve të Realit, duke çimentuar me gola statusin e tij në mesin e legjendave të klubit. Në Ligën e Kampionëve, deri më tani ka zhvilluar pesë ndeshje prej së cilave ka shënuar katër herë, dhe bëri dy asistime. Kurse, në La Liga, në 24 duele ka shënuar 29 gola dhe udhëheq listën e golashënuesve më të mirë. Kujtojmë se në Real erdhi dy vite e gjysmë më parë nga Manchester United dhe deri më tani ka shënuar 123 gola.
Messi, mbret i La Ligas
Pozita e parë i takon Lionel Messit. Argjentinasi vlen 100 milionë euro dhe është aktualisht futbollisti më i mirë dhe më i shtrenjtë në La Liga. Për Barcelonën gjatë këtij sezoni zhvilloi gjashtë ndeshje në Ligën e Kampionëve ndërsa shënoi shtatë gola, dhe bëri katër asistime. Edhe në La Liga është po ashtu i pandalshëm. Messi ka shënuar 28 gola në 24 ndeshje kurse ka shërbyer 10 herë. Ndërsa, sezoni ende nuk ka përfunduar.
Futbollistët më të shtrenjtë të La Ligas:
1. Messi 100 milionë euro
2. C. Ronaldo 90
3. Andres Iniesta 65
4. Cesc Fabregas 55
5. Gerard Pique 38
6. Dani Alves 36
7. Xabi Alonso 35
8. Falcao 35
9. Xavi 35
10. Iker Casillas 35