E Shtunë, 31 Tetor 2026

Doshi e Stërkaj dorëzojnë CD, Ndoka sqaron thirrjet

08/02/2011  Deputetët 10 minuta në Prokurori. Kreu i PDK jep sqarime për thirrjet për dhunë

TIRANE- Thirrjet për nxitjen e dhunës kundër rendit kushtetues, si dhe manifestimet e paligjshme, kanë çuar në Prokurorinë e Tiranës kreun e PDK-së Nard Ndoka, si dhe dy deputetët të PS, Paulin Stërkaj dhe Tom Doshin. Qëndrimi i këtyre dy të fundit në akuzën e kryeqytetit ka qenë tepër i shkurtër, ku brenda 10 minutave ata janë paraqitur para prokurorëve të çështjes dhe më pas janë larguar në drejtim të qytetit të Lezhës, ku zhvillohej ceremonia mortore e viktimës së katër të demonstratës së 21 janarit, shtetasit Aleks Nikaj. Nga burime pranë Prokurorisë mësohet se Stërkaj dhe Doshi nuk kanë dëshmuar, por ata vetëm kanë dorëzuar një CD, ku mendohet se ishin të regjistruara disa pamje filmike nga demonstrata e dhunshme e 21 janarit, e cila ndodhi para godinës së Kryeministrisë. Kjo CD, nëpërmjet një proces-verbali është administruar si provë në dosjen hetimore të Prokurorisë, ndërkohë nuk sqarohet me saktësi se çfarë tregon CD-ja. Pritet që brenda ditëve të kësaj jave dy deputetët Stërkaj dhe Doshi të paraqiten sërish në Prokurorinë e Tiranës, ku do të japin sqarime lidhur me mënyrën e organizimit të demonstratës, menaxhimin e saj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, si dhe nxitjen e dhunës mes demonstruesve dhe forcave të policisë. Ndërkohë menjëherë pas largimit të tyre, në Prokurorinë e kryeqytetit është paraqitur kreu i Partisë Demokristiane Nard Ndoka. Ai ka qëndruar rreth 1 orë brenda Prokurorisë, ku ka dhënë sqarime lidhur me një material hetimor që është depozituar në Prokurori nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit. Ndoka është pyetur nga prokurorët për një shkrim të botuar në njërën nga gazetat e vendit, në të cilën ai i bënte thirrje për dhunë popullit në demonstratën e 21 janarit. Vetë krye demokristiani është shprehur para mediave se denoncimi i policisë nuk ishte profesional, por ai ishte i një natyre politike. “Është për të ardhur keq që Policia e Shtetit është kthyer në një seksion të PD, duke numëruar protestuesit e opozitës”,-ka pohuar Nard Ndoka. Pritet që gjatë kësaj jave Prokuroria e Tiranës të thërrasë për të dëshmuar dhe kreun e PS-së në Tiranë, Pjerin Ndreun, i cili është parë nga pamjet filmike mes demonstruesve që përpiqeshin të hynin brenda territorit të godinës së Kryeministrisë. Hetimet për zbardhjen e organizatorëve të demonstratës së 21 janarit janë duke u kryer paralelisht me hetimet që Prokuroria ka nisur për zbardhjen e emrave të personave që vranë katër demonstrues dhe plagosën rreth 20 të tjerë.

Deputeti Tom Doshi

Pas demonstratës së 21 janarit Prokuroria e Tiranës ka ftuar për të dëshmuar deputetin Tom Doshi, pasi ky i fundit ishte fiksuar nga pamjet e televizioneve si personi që komunikonte me demonstruesit e dhunshëm që qëllonin me mjete të forta efektivët e Policisë së Shtetit dhe që përpiqeshin të hynin brenda territorit të godinës së Kryeministrisë. Kjo është hera e dytë që Doshi ftohet për të dëshmuar, pasi herën e parë ai refuzoi të paraqitet në Prokurori për shkak të pranisë së madhe të kamerave.

Deputeti Paulin Stërkaj

Ashtu si për Tom Doshin, Prokuroria e Tiranës ka ftuar dhe deputetin Stërkaj, pasi ekzistojnë dyshime se ai ka nxitur turmën e demonstruesve për të sulmuar godinën e Kryeministrisë. Stërkaj së bashku me Doshin skanë dhënë sqarime në Prokurori, duke u treguar të gatshëm se do të paraqiten një ditë tjetër për të dëshmuar. Pritet që prania e tyre në Prokurori, do të jetë brenda ditëve të kësaj jave. Dy deputetët do japin shpjegime për çështjen e manifestimit të paligjshëm që Prokuroria ka regjistruar.

Kryetari i PDK-së

Nard Ndoka, kryetari i Partisë Demokristiane, ka dhënë shpjegime para hetuesve duke sqaruar pozicionin e tij lidhur me akuzën e thirrjeve publike për nxitjen e dhunës kundër rendit kushtetues, akuzë kjo e referuar në Prokurori nga Policia e Shtetit. Për gati një orë, Ndoka u është përgjigjur pyetjeve të prokurorëve lidhur me një shkrim të botuar në një të përditshme shqiptare. Sipas pretendimeve të policisë, Ndoka nëpërmjet shkrimit u ka bërë thirrje popullit, duke i nxitur për vepra të dhunshme në demonstratën e 21 janarit.

Predha dërgohet për ekzaminim

Sekuestrohet plumbi

që vrau Aleks Nikajn

TIRANE-Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar plumbin që vrau demonstruesin nga Lezha Aleks Nikaj. Mësohet se së bashku me plumbin ekspertët kanë sekuestruar dhe dokumentin e vdekjes së Nikës, i cili është përpiluar nga mjekët e spitalit në Turqi, ku Nika ishte transportuar për ekzaminim më të specializuar shëndetësor. Sipas burimeve pranë Prokurorisë së Tiranës, në kartelën e vdekjes përshkruhet qartë vendi ku ka hyrë plumbi, si dhe organet jetësore që ai ka prekur. Aktualisht plumbi i sekuestruar u është dërguar Laboratorit Kriminalistik për tiu nënshtruar ekzaminimeve shkencore me qëllim krahasimin e gëzhojave dhe të armës që mendohet se ka bërë qitjen. Ndërkohë që veç këtyre veprimeve hetimore, grupi i ekspertëve që është ngritur për zbardhjen e autorëve të vrasjeve së “21 janarit”, do të fillojë administrimin në dosje të dhjetërave dëshmive të personave që mendohet se kanë qenë afër vendit ku është vrarë me një plumb shtetasi Aleks Nika. Mësohet se njëri nga këta dëshmitarë okularë është deputeti i Partisë Socialiste, Gjok Jaku, i cili pritet të thirret nga Prokuroria e Tiranës, për të dëshmuar rrethanat dhe shkaqet që quan në goditjen me plumb të Nikës. Ndërkohë që nga këto dëshmi, organi i akuzës do përcaktojë dhe pozicionin ku Nika ishte duke qëndruar në momentin kur u qëllua me një plumb në kokë. Aleks Nika është viktima i katër i demonstratës së 21 janarit. Që nga mbrëmja e kësaj date ai ka qëndruar në gjendje kome. Për gjatë kësaj kohe mjekët shqiptarë dhe ata turq shpresonin mos merrnin ndonjë reagim nga ana e pacientit, i cili mbahej në atë gjendje vetëm falë frymëmarrjes artificiale. Mjekët e kanë pasur të pamundur për të kryer ndërhyrjen kirurgjikale, duke i kërkuar të afërmve të tij të vendosnin për fatin e mëtejshëm të Aleks Nikës.

Veizi u vra nga plumb rikoshet

Ekspertët: 4 vrasjet

janë ekzaminuar

TIRANE- Ekspertët e laboratorit kriminalistik kanë arritur të dalin në konkluzionin se vrasja e gjirokastritit Zivër Veizi është kryer nga një plumb rikoshet. Kjo është vërtetuar dhe nga sekuestrimi i plumbit në trupin e viktimës, i cili sipas burimeve ka pësuar shtypje nga send i fortë dhe më pas është futur në gjoksin e demonstruesit Zivër Veizi. Ky version ka dalë nga policia shkencore, e cila nga ekzaminimet e kryera ka mundur të gjejë dhe armën që ka qëlluar mbi demonstruesit. Sipas burimeve, arma është një automatik MP5 model turk i kalibrit 9 milimetra. Ky detaj përputhet maksimalisht dhe me predhën e gjetur në trupin e Zivër Veizit. Aktualisht Prokuroria dhe policia shkencore janë duke ekzaminuar dhe dy plumbat që sollën vdekjen e shtetasit Faik Myrto nga Fieri, si dhe Aleks Nikaj nga Lezha. Pritet që ekspertiza të japë fjalën e saj duke përcaktuar dhe armët që kanë vrarë dy demonstruesin e 21 janarit. Ndërkohë për sa i përket vrasjes së shtetasit nga Dibra Hekuran Deda, burimet shprehen se në këtë rast skanë sekuestruar asnjë predhë, për shkak se plumbi ka qenë tejshkues. Zbardhja e kësaj vrasje do mbështetet vetëm mbi bazën e dëshmive të personave që kanë qenë prezent në vendin e krimit, si dhe të disa ekspertizave për të mësuar drejtimin se nga mund të ketë ardhur plumbi që i mori jetën demonstruesit të Partisë Socialiste Hekuran Deda. Dëshmitari kyç i Prokurorisë për vrasjen e Dedës është gazetari Fatos Mahmutaj, i cili ka qenë ngjitur me viktimën në momentin kur ai është qëlluar me një plumb në kokë. Në këtë ngjarje ka mbetur i plagosur në dorë gazetari Mahmutaj. I pyetur nga prokurorët se nga kishin ardhur të shtënat, gazetari Mahmutaj ka pohuar se personi që kishte qëlluar ka qenë gardisti që ndodhet poshtë dritares.

Dy persona të tjerë mbahen në burg

Apeli liron dy nga demonstruesit

Në Gjykatën e Apelit janë zhvilluar seancat gjyqësore të katër demonstruesve që u arrestuar nga Policia e Shtetit mbrëmjen e 21 janarit. Gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor togat e zeza kanë pranuar në dy raste kërkesën e Prokurorisë duke lënë në burg dy demonstrues, ndërkohë që për dy persona të tjerë gjykata është shprehur duke i dhënë lirinë. Katër demonstruesit e arrestuar kishin apeluar vendimin e shkallës së parë në Gjykatën e Apelit, duke pretenduar se mbaheshin në mënyrë të padrejtë në burg, pasi ata nuk kanë qëlluar në drejtim të efektivave të policisë gjatë zhvillimit të demonstratës së dhunshme para godinës së Këshillit të Ministrave.

I dënur për vrasje Fatlum Gostivari jep dëshminë

Banda e Durrësit, dëshmon në

gjyq shoferi i familjes së Saliut

TIRANE- Procesi gjyqësor kundër 16 të pandehurve të Bandës së Durrësit ka vijuar me dëgjimin e pesë dëshmitarëve të kërkuar nga avokati Ilia Ilia, i cili mbron interesat e të pandehurit Lulzim Berisha. Mes dëshmitarëve të thirrur në sallën e gjyqit kanë qenë dhe dy të burgosurit Ilirjan Ismaili i dënuar për vjedhje me dhunë, si dhe Fatlum Gostivari, shoferi i familjes së Klodian Saliut. Gostivari është dënuar për vrasje, por me kërkesë të gjykatës ai ishte thirrur për të dëshmuar. Para togave të zeza, Fatlum Gostivari, është shprehur se kishte njohje me të pandehurin Lulzim Berisha. Dëshmitari ka treguar disa detaje të tjera mbi njohjet që Berisha kishte me pronarin e tij, shtetasin e vrarë Klodian Saliu. Ndërsa për sa i përket dëshmisë së shtetasit Ilirjan Ismaili, edhe ky dëshmitar ka pranuar të ketë pasur njohje me Lulzim Berishën, por ska pranuar se ai kishte dijeni se Luli merrej me veprimtari kriminale. Pas dëshmisë së tyre në sallën e gjyqit është pyetur xhaxhai i Lulzim Berishës, shtetasi Skënder Berisha, i cili ka pohuar se në banesën e tij asnjëherë nuk janë kryer takime nga shoqëria e nipit. Me këtë dëshmi, xhaxhai i Lulzim Berishës, rrëzon pretendimet e të penduarit Adriatik Coli, i cili tregon se për vrasjen e kundërshtarëve plani bëhej në banesën e xhaxhait të Lulit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›