E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci s ka fajtorë, “Të lirë”

08/02/2011  Tre vjet na tragjedia e rëndë, lirohen tre të akuzuarit e vetëm që mbaheshin në qeli nga Prokuroria

OPGJ, shoqërojnë në banesë Delijorgjin, Pinarin dhe Ngjeçin. Janë në arrest shtëpie

TIRANE- Ka përfunduar maratona e kërkesave të tre të pandehurve të procesit gjyqësor Gërdeci, të cilët kanë fituar ditën e djeshme lirimin nga qelia. Trupi gjykues ka revokuar masën e sigurisë arrest me burg për të pandehurit Sokol Ngjeçi, Ylli Pinari dhe Mihal Delijorgji, ndërkohë pas daljes nga qelitë e burgut 313 ata janë shoqëruar në banesat respektive nga oficerë të Policisë Gjyqësore. Sipas togave të zeza, masa e sigurisë e ka humbur fuqinë e saj juridike dhe për këtë shkak është e pavlefshme. Ky ka qenë arsyetimi i përdorur nga kryesuesi i trupit gjykues Ridvan Hado, duke lënë në arrest shtëpie të pandehurit kyç të këtij procesi gjyqësor. “Pas shqyrtimit të provave të paraqitura nga ana e avokatëve të mbrojtjes konstatojmë se masa e sigurisë arrest me burg për tre të pandehurit e ka humbur fuqinë e saj ligjore. Masa e arrestit me burg nuk është më e vlefshme dhe për këtë shkak vendosim masën e sigurisë arrest shtëpi për të pandehurit Mihal Delijorgji, Sokol Ngjeçi dhe Ylli Pinari. Pranohet kërkesa e avokatëve dhe të pandehurit do të lënë qelitë për të qëndruar në masën e sigurisë arrest shtëpi”, është shprehur kryesuesi i seancës. Ndërkohë që nga ana e përfaqësuesit të akuzës është kundërshtuar kërkesa e mbrojtjes, me pretendimin se masa e sigurisë së arrestit në burg është e vlefshme deri në fillim të qershorit. Por gjykata ka hedhur poshtë pretendimin e akuzës duke lënë të lirë tre të pandehurit. Ndërsa procesi gjyqësor Gërdeci numëron 28 të pandehur, asnjë prej tyre nuk ndodhet më pas hekurave të qelisë. Ka qenë vendimi i Gjykatës së Lartë, shtysa kryesore për tre të pandehurit që të pretendojnë lirinë e tyre. Vetëm para një jave Kolegji Penal la të lirë ish- drejtuesin e fabrikës së Gërdecit, duke hapur një dritë jeshile për tre të pandehurit e tjerë. Ndërkohë që për 3 herë radhazi trupi gjykues i procesit Gërdeci rrëzoi kërkesën e mbrojtësve, duke mos pranuar lënien e lirë të katër të pandehurve. Sipas trupit gjykues, afati i paraburgimit nuk e kishte humbur vlerën ligjore, dhe të pandehurit duhet të qëndronin dhe për disa muaj në qeli. Nga ana e mbrojtësve janë lexuar pretendimet për lirimin nga qelia të të pandehurve Ylli Pinari, Sokol Ngjeçi dhe Mihal Delijorgji. Sipas avokatëve mbrojtës, afatet e paraburgimit nuk janë më të vlefshme dhe e kanë humbur fuqinë e tyre juridike. Në të tilla rrethana është e papranueshme që të pandehurit të mbahen në qeli. “U bë një vit e katër muaj që kur ka nisur ky proces gjyqësor dhe klienti im nuk mund të qëndrojë më në burg. Klientit tim i kanë skaduar afatet e paraburgimit, kështu që kërkoj nga gjykata lirimin e menjëhershëm të Ylli Pinarit. Kërkesën time e bazoj në nenin 263 të Kodit të Procedurës Penale, ku thuhet se nëse kalojnë 12 muaj nga nisja e procesit gjyqësor dhe ende nga gjykata nuk është marrë asnjë vendim, atëherë i pandehuri nuk mund të mbahet në burg”, është shprehur mbrojtësi i ish-drejtuesit të kompanisë shtetërore “MEICO”. Sipas mbrojtësve të pandehurit po mbahen padrejtësisht në qeli, duke u shkelur hapur ligji dhe Kodi i Procedurës Penale.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›