E Diel, 1 Nëntor 2026

Elbasan, 500 fëmijë me sëmundje profesionale

08/02/2011  E kanë të trashëguar nga prindërit që punuan në industrinë e rëndë ose iu shfaq më pas

ELBASAN- Rreth 500 fëmijë të moshës nën 18 vjeç në Elbasan janë identifikuar me sëmundje profesionale. Edhe pse nuk kanë punuar kurrë në industri dhe nuk kanë njohur ende punën ata do të duhet të jetojnë me sëmundjen që kanë trashëguar nga prindërit dhe me ndikimin e ndotjes aktuale që ka ndikimin e vet në këtë gjendje të krijuar.

Të sëmurët

Lajmi bëhet i ditur nga Kujdesi Social në Bashkinë Elbasanit. Sipas këtyre burimeve, rreth 500 fëmijë të moshës deri në 18 vjeç në Elbasan janë identifikuar se vuajnë nga sëmundje profesionale, një patologji kjo që haset kryesisht në moshat mbi 40 vjeç, e veçanërisht tek ata që kanë punuar në industrinë e rëndë, miniera e metalurgji. Shifra alarmante është bërë së fundmi publike nga Drejtoria e Kujdesit Social në Bashkinë e Elbasanit, si dhe masat e marra për ti ardhur në ndihmë kësaj kategorie. Drejtori i kësaj drejtorie, Shefki Lika, gjatë vitit 2010 në Bashkinë e Elbasanit u trajtuan me ndihma e përkrahje sociale rreth 500 fëmijë të moshës nën 18 vjeç. Lika nënvizoi faktin se fëmijët e prekur nga kjo sëmundje kanë lindur përgjithësisht nga prindër që vuajnë nga sëmundjet profesionale, por mjaft prej tyre i kanë manifestuar shenjat pas lindjes, që presupozon se një ndikim të madh ka edhe ndotja e ambientit. Kjo kategori përkrahet nga shteti dhe bashkia me një pension mujor, megjithatë mbetet ende shumë për të bërë. Në Elbasan, veç përkrahjes me ndihmë ekonomike e pagesa e KESH-it, ofrohen shërbime integrimi siç është Qendra Sociale Balashe, shtëpia e fëmijës “Zëra Jete” e ndihma të ndryshme”. Gjatë 5 viteve të fundit në Elbasan është dyfishuar edhe numri i personave të prekur nga sëmundjet profesionale dhe shkak për këtë mbetet industria e rëndë, metalurgjia dhe punët në miniera.

Sa i përket krahasimit me qytetet e tjera të vendit, rezulton se Elbasani po pëson rritje të sëmundjeve profesionale sidomos vitet e fundit. Kjo ndoshta për faktin se personat që kanë punuar në sektorë të vështirë tashmë i janë afruar moshës së pleqërisë. Sepse nga një studim i kryer në vitin 2006 në shkallë vendi kemi një panoramë krejt tjetër.

Në të gjithë vendin...

Kështu, krahasuar me numrin e popullsisë numri i personave me aftësi të kufizuar e sëmundje profesionale rezulton të jetë i tillë: Në vend të parë, çuditërisht ndodhet prefektura e Dibrës me 2.1% të personave të prekur krahasuar me numrin e popullsisë, pastaj vjen Shkodra me 1.7%, Lezha e Fieri me 1.5% dhe në vend të pestë Elbasani me 1.3% të numrit të popullsisë. Ndërsa për sa u përket invalidëve, në vend të parë mbetet sërish Dibra me 1% të numrit të popullsisë dhe më pas vjen Elbasani me 0.9%. Pra, rritja e numrit të sëmundjeve profesionale gjatë 5 viteve të fundit flet qartë se kjo patologji është kthyer tashmë në problem të mprehtë familjar, shoqëror, human, social dhe ekonomik për Elbasanin. Realiteti duket se merr përmasë gati dramatike edhe për faktin se edhe sëmundjet kancerogjene janë mjaft të shprehura në Elbasan. Kështu gjatë vitit të kaluar rezultoi se në Elbasan dhe rrethinat e tij nga kanceri ka vdekur mesatarisht një person në ditë. Pasojat nga ndotja e paimagjinueshme që ka mbretëruar para viteve 90 në Metalurgji, nuk duhet të tolerohen në asnjë mënyrë në mileniumin e ri, pasi, ndryshe, efektet do të vazhdojnë të shpërthejnë pas 30 apo 40 viteve që vijnë. Aktualisht ka një përpjekje për vënien e filtrave dhe impianteve të thithjes së pluhurit dhe gazit helmues nga operatorët e mëdhenj industrialë në periferinë e Elbasanit. Por uljes së ndotjes atje i shtohet rritja e ndotjes nga gjendja katastrofike e fushës së plehrave, mbeturinat urbane, tymi i makinave etj.

Gjirokastër, humbi kontrollin

Makina del nga rruga, humb jetën drejtuesi i saj

GJIROKASTER- Një person humbi jetën të hënën, pasi makina me të cilën ai udhëtonte u rrëzua në përrua, njoftoi policia lokale. “Bashkim Cavani, 25 vjeç, nga qyteti i Libohovës, humbi jetën në vendin e quajtur "Pularia", rreth 5 km nga Gjirokastra, rreth orës 01.00 të ditës së sotme”, theksuan burimet zyrtare. “Cavani udhëtonte me makinën e tij me targa greke, INN24 51N, nga Lazarati për në Libohovë, kur ajo ka devijuar nga rruga dhe është rrëzuar në një përrua, duke i shkaktuar vdekjen drejtuesit të saj”, thanë burimet e policisë. Nga hetimet paraprake mendohet se aksidenti ka ndodhur për shkak të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor nga ana e drejtuesit të makinës. T.Skuqi

Tentuan të vidhnin kabullin elektrik

Arrestohen 2 të rinjtë,

prenë me sharrë kabinën

ELBASAN-Arrestohen dy të rinjtë, u kapën duke vjedhur kabullin e kabinës elektrike. Një natë më parë agjentët e policisë kanë vënë në pranga dy shtetas, të cilët kanë tentuar në orët e para të mbrëmjes të presin me sharrë një kabull elektrik. Ka qenë ndërhyrja e menjëhershme e policisë e lajmëruar nga banorët e zonës që ka sjellë edhe arrestimin e shtetasve Daniel R. 25 vjeç me banim në lagjen “5 Maj” në Elbasan dhe Spatak P. me banim në lagjen “11 Nëntori”. Arrestimi i tyre u bë nën akuzën “vjedhje në bashkëpunim të mbetur në tentativë”. Në vendin e ngjarjes u bllokua edhe një sharrë hekuri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›