Dosja "Basha", Opozita reagon ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë
TIRANE- Opozita reagon ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë e cila i hapi dritën jeshile Prokurorisë së Përgjithshme për të kërkuar rishikim të dosjes për Ministrin Lulzim Basha.
Numri dy i grupit parlamentar të PS-së, Erion Brace i cili ndodhej për një vizitë në qytetin e Beratit i pyetur nga gazetarët deklaroi se “Cështja e nisur nga Prokuroria nuk mund të pushohej pa u gjykuar”
Kryetari i lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta nënvizoi se e rëndësishme është që cdo kush të jetë i barabartë para ligjit.
“LSI ka mbështetur pavarësinë e gjyqësorit. Në vendin tonë është e rëndësishme që cdo qytetar pavarësisht bindjeve apo funksioneve të jetë duhet të jetë i barabartë para ligjit”.
Gjyqi
Kolegji penal me relator Andi Celikun rrëzoi dje vendimin për mbylljen e çështjes marrë nga Gjykata e Faktit dhe ajo e Apelit me pretendimin se janë tejkaluar afatet për hetim.
Pas shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme për të shpallur të pavlefshëm dy vendimet e dhjetorit 2008.
Sipas Kolegjit Penal, Gjykata e Shkallës së Parë e përfaqësuar në këtë çështje nga Fatmira Hajdari si dhe Gjykata e Apelit kanë shkelur Kushtetutën pasi nuk kanë pasur kompetencën për të marrë në shqyrtim një kërkesë nga një person i pandehur, e për të cilin nuk kishte nisur ende hetimi, siç ishte ministri Basha. Kolegji deklaroi në seancën pa praninë e kamerave se dy gjykatat në vendimin pro kërkesës së Bashës kanë cenuar rëndë rendin kushtetues.
Sipas burimeve të Prokurorisë së Përgjithshme, ky vendim i kësaj të enjte të Gjykatës së Lartë krijon hapësirën e duhur për të kërkuar rishikimin e vendimit të 10 prillit të po kësaj gjykate, e cila pushoi çështjen për rrugën Durrës- Kukës.