E Diel, 1 Nëntor 2026

Lushnjë, pesë kallëzime të reja për pronat në prokurori

Pesë raste të reja shkeljesh
me pronat janë depozituar
pranë organit të akuzës
së Lushnjës. Pas arrestimeve
të së enjtes, ku tre zyrtarë të
Hipotekës së Lushnjës ranë në
prangat e policisë, dalin në dritë
raste të reja abuzimesh që janë
denoncuar nga personat e interesuar.
Objekt i denoncimit të këtyre
rasteve mësohet se ka qenë
tjetërsimi i pronës. Ndërkohë, në
ditët në vijim priten penalizime të
tjera në Zyrën e Regjistrimit të
Pasurive të Paluajtshme të Lushnjës.
Informacioni ka dalë nga organi
i akuzës së këtij rrethi, i cili
është duke hetuar çështjen e
tjetërsimit të pronave, vepër për
të cilën akuzohen 3 zyrtarë të
Hipotekës, mes tyre dhe zëvendësregjistruesi
i ZRRPP-së
Lushnjë. Ndërkohë, një ditë pas
arrestimeve, në Hipotekën e
Lushnjës gjithçka dukej e qetë
dhe puna ka vijuar normalisht,
edhe pse punonjësit nën zë janë
shprehur të shqetësuar për atë që
kishte ndodhur dhe më të trembur
për atë që do të ndodhë. Që
në orët e para të ditës së sotme,
organi i akuzës Lushnjë ka
tërhequr pothuajse të gjitha dosjet
e zyrtarëve të arrestuar. Edhe
pse ky institucion nuk jep detaje
për vazhdimin e hetimeve,
burime brenda tij janë shprehur
për gazetën "Shqip" se kanë në
dorë 3 kallëzime për punonjësit e
ZRRPP-së Lushnjë. "Nuk dihet
nëse personat e arrestuar janë të
përfshirë në të 3 këto ankesa, por
ajo që dihet është që hetimet
vazhdojnë dhe se priten penalizime
të tjera", kanë thënë zyrtarisht
nga Prokuroria e Lushnjës për
gazetën. Mbrëmjen e së enjtes,
Prokuroria e rrethit Lushnjë ka
lëshuar 3 fletarresti me burg për 3
specialistë të Zyrës së Regjistrimit
të Pasurive të Paluajtshme në
Rrethin e Lushnjës dhe një arrest
shtëpie për një topograf privat. Të
arrestuarit ishin: Agim Kojku, 36
vjeç, banor i fshatit Plug të Lushnjës
me detyrë zëvendësregjistrues,
Servet Musaku, 58 vjeç,
banor i Lushnjës me detyrë topograf
pranë ZRRPP-së, Agim
Prendi, 45 vjeç, banor i Tiranës,
përfitues i abuzimit dhe Nexhat
Zeneli topograf privat i licencuar
që punon për zyrën e Hipotekës
së Lushnjës, i cili është në arrest
shtëpie. Dy prej të prangosurve
janë arrestuar në mjediset e
punës, kurse dy të tjerë në banesat
e tyre. Hetimet kanë nisur prej
më shumë se 2 muajsh dhe mësohet
se zyrtarët e Hipotekës akuzohen
se kanë tjetërsuar hartat e
tokës, si dhe pronësinë e tyre.
Mësohet se ndaj tyre rëndojnë
akuzat e "falsifikimit të dokumenteve,
duke tjetërsuar pronat"
dhe "shpërdorimit të
detyrës", vepra të parashikuara
nga nenet 186/2 dhe 248 të Kodit
Penal. Hetimet për këtë çështje
kanë nisur në mesin e muajit shkurt
të këtij viti, kur familjarë të
familjes Prendi, banues në Lushnjë,
i janë drejtuar prokurorisë
dhe kanë kallëzuar se prona e tyre
është marrë pa të drejtë dhe nga
zyrtarët e Hipotekës është tjetërsuar
akti i pronësisë së saj. Skema
e abuzimit pretendohet se ka
qenë e tillë: tre rastet e trojeve të
familjes Prendi me anën e tjetërsimit
të hartës, si dhe aktit të
pronësisë i është dhënë një personi tjetër e jo pronarëve realë.
Personi që i ka përfituar në
mënyrë abuzuese i ka shitur trojet
më pas dhe për këtë është
ndihmuar nga specialistët e
Hipotekës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›