Jak Ndokaj: “Hapja e dosjeve është përdorur si shantazh”
Deputeti i Partisë Demokristiane, Jak Ndokaj, ndërsa ka përshëndetur futjen për miratim të ligjit për hapjen e dosjeve, ka vërejtur se ky ligj është përdorur herë pas herë si shantazh ndaj ish-bashkëpunëtorëve të regjimit. Ndokaj bëri thirrje që varianti i Biberajt, që është një ndërthurje midis variantit të PD-së dhe të PDK-së, të miratohet në seancë. “Në emër të kolegëve demokristianë përgëzoj deputetin Biberaj dhe çdo koleg tjetër të maxhorancës që publikisht ka shprehur vullnet politik për hapjen e dosjeve. Është në nderin e maxhorancës ta mbajë premtimin e dhënë dhe të kalojë pa vonesë ligjin e hartuar nga PDK-ja apo një ligj konsensual midis PDK-së e PD-së. Gjithashtu është në nderin tonë të mos përdorim mandate parlamentare për të votuar ose jo diçka që është e pavotueshme, është detyrim moral, kusht jetik për ndarjen nga e kaluara dhe forcimin e pajtimit dhe të ndërgjegjes kombëtare. Për këtë arsye, në emër të deputetëve demokristianë, publikisht deklarojmë se si propozues të ligjit për hapjen e dosjeve jemi të gatshëm që organet e specializuara të shtetit të bëjnë publike gjithçka”, - është shprehur Ndokaj.
16 Dhjetor 2008