Surpriza e OSBE-së: Dan Everts, në krye të vëzhguesve për zgjedhjet e 2009-s në Shqipëri
Ish-ambasadori i OSBE-ODIHRI-t, i njohur për marrëdhëniet e ashpra me Berishën. Everts do të kryesojë delegacionin që do të monitorojë nga afër zgjedhjet parlamentare në Shqipëri
Shaban Sulçe
OSBE-ODIHRI pritet të caktojë një emër të njohur në krye të delegacionit të saj për vëzhgimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2009 që do të zhvillohen në Shqipëri. Bëhet fjalë për ish-ambasadorin e OSBE-ODIHRI-t në Tiranë, Dan Everts. Emri i Everts është i njohur jo vetëm për funksionin e rëndësishëm që ka ushtruar për disa vite me radhë në Tiranë, duke drejtuar Prezencën e OSBE-ODIHRI-t, por edhe për shkak të marrëdhënieve të ashpra që ai ka patur me ish-liderin e opozitës së atëhershme, sot kryeministrin e vendit Sali Berisha. Lajmi është bërë i ditur nga burime konfidenciale, sipas të cilave emri i Dan Everts është lakuar në Asamblenë Qendrore të OSBE-ODIHRI-t në Vjenë për t’u propozuar në krye të delegacionit të vëzhguesve të këtij institucioni për të monitoruar nga afër zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 në Shqipëri. Detyra e re e Everts, që do ta rikthejë atë në Shqipëri, pritet të zyrtarizohet në një nga mbledhjet e radhës që do të zhvillojë OSBE-ODHIR-i në Çeki, vend që ka marrë presidencën e radhës të këtij institucioni të rëndësishëm ndërkombëtar.
Qeveria
Rishfaqja në skenë e Dan Everts duket se ka rezultuar një surprizë aspak e këndshme për kryeministrin Berisha. Kjo jo vetëm për faktin e marrëdhënieve konfliktuale që Berisha ka patur me ish-ambasadorin e OSBE-së në Tiranë, por edhe për rëndësinë e funksionit të tij të ri, që është monitorimi nga afër i procesit të ardhshëm zgjedhor, për të cilin qeveria ka përgjegjësinë direkte për mbarëvajtjen e tij. Vetë natyra e prerë e Everts, por edhe marrëdhëniet e vështira që ai ka patur me Berishën, nuk do ta pengojnë ambasadorin që të denoncojë fuqishëm çdo përpjekje për manipulim të zgjedhjeve të ardhshme. Për këtë arsye, qeveria dhe kryeministri Berisha kanë filluar përpjekjet, nëpërmjet emisarëve të tyre, për të penguar emërimin e Everts në krye të misionit të vëzhguesve dhe monitoruesve të zgjedhjeve të ardhshme në Shqipëri. Qeveria shqiptare po përpiqet të kontestojë emërimin e ambasadorit Everts, duke kërkuar një emër të ri në krye të delegacionit të vëzhguesve që do të monitorojnë nga afër zgjedhjet e ardhshme.
Konflikti
Kryeministri Berisha, gjatë kohës kur drejtonte PD-në në opozitë, ka patur marrëdhënie shumë të vështira dhe herë-herë konfliktuale me ish-ambasadorin e OSBE-së, Dan Everts. Kulmi i këtij acarimi u shënua në vitin 1998, ku pas revoltave të dhunshme, të drejtuara nga kryetari i PD-së, institucionet e sapongritura shtetërore u vunë sërish në rrezik si rezultat i sulmeve me armë nga ana e opozitës të drejtuar nga Berisha. Në atë kohë, ish-ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Dan Everts, dha një ultimatum të hapur në drejtim të kryetarit të PD-së, Sali Berisha, pas dorëheqjes që kishte bërë ish-kryeministri Fatos Nano. “Është hera e fundit që i bëj apel Berishës për të ruajtur qetësinë. Është në favor të tij dhe të mbështetësve të tij që të dorëzojnë armët, sepse, në rast të kundërt, dhuna do të përshkallëzohet”, - deklaroi ambasadori Everts. Por marrëdhënia e vështirë Berisha-Everts do të vijonte edhe pas largimit të ish-ambasasdorit nga Tirana. Everts u emërua në krye të Prezencës së OSBE-së në Kosovë. Kur Berisha tentoi të vizitonte Kosovën, por u pengua për të hyrë në Prishtinë, kreu i PD-së nuk nguroi të akuzonte ambasadorin Everts si shkaktar të pengimit të vizitës së tij në Kosovë.
Në korrik u debatua për largimin e OSBE-së nga Shqipëria
Debati për vazhdimin e pranisë së OSBE-së në Shqipëri lindi në muajin korrik, pas deklaratave të një diplomati amerikan sipas të cilit qeveria “Berisha” kishte kërkuar largimin e Prezencës së OSBE-së nga Shqipëria. Pas alarmit që dha diplomati amerikan, sinjalet u dhanë edhe nga ambasadori shqiptar në OSBE. Mjafton të shkëputet vetëm fjala e ambasadorit shqiptar në OSBE, Gilbert Galanxhi, i cili më 17 korrik të këtij viti, gjatë një konference të OSBE-së në Vjenë, ka lënë të kuptohet se Shqipëria mund të mjaftohet vetëm me një vëmendje direkte të BE-së, ndërsa nuk është shprehur qartësisht lidhur me prezencën në terren të përfaqësuesve të OSBE-së. “Qeveria shqiptare është thellësisht e bindur se tashmë ka ardhur momenti për një impenjim cilësor, madje për një impenjim nga të gjitha palët: nga njëra anë shqiptarët dhe komuniteti ndërkombëtar. Duke vërejtur se prioritetet e Presidencës Franceze në BE janë tërësisht në përputhje me linjën e Presidencës Finlandeze të OSBE-së, ne shohim përpara për një drejtim më të mirë, për asistencë dhe monitorim nga partnerët tanë euroatlantikë. Në të njëjtën kohë ne marrim të gjitha përgjegjësitë dhe japim garanci të plotë për përmbushjen e standardeve”, - është shprehur Galanxhi. Një gjë e tillë do të sillte reagimin e OSBE-së, e cila ndoqi nga afër debatin rreth mandatit të saj në Shqipëri. “OSBE-ja është një partner afatgjatë në Shqipëri dhe ka dhënë ndihmë të vazhdueshme për ecurinë e reformave”, - ishte reagimi zyrtar i zyrës së OSBE-së në Tiranë. Të njëjtin reagim OSBE-ja përcolli për autoritetet shqiptare edhe në një letër që kreu i radhës, Aleksandër Stuub, i ka dërguar ministrit të Jashtëm Lulzim Basha, që mban datën e 14 korrikut. Shefi i OSBE-së gjithashtu theksonte se OSBE-ja do të vazhdonte të bashkëpunonte me autoritetet shqiptare në përputhje me mandatin e saj. Sipas Stuub, prezenca e OSBE-së në Shqipëri është në të mirë të popullit shqiptar. Pas këtyre reagimeve, kryeministri Berisha, ashtu dhe nga Ministria e Jashtme, mohuan se kishin kërkuar largimin e OSBE-së nga vendi për zgjedhjet e vitit 2009.
Historia e OSBE-së në Shqipëri
Prezenca e OSBE-së në Shqipëri u krijua nga Këshilli i Përhershëm i OSBE-së më 27 mars 1997. Ambasadori i saj i parë në Shqipëri ishte Franc Vranicki, i cili erdhi në një kohë shumë të vështirë në Shqipëri, pikërisht atëherë kur kishin shpërthyer trazirat popullore pas rënies së firmave piramidale. Roli i OSBE-së në Shqipëri konsiderohet shumë i rëndësishëm, sidomos përsa i përket ecurisë së procesit zgjedhor. Prania e OSBE-së u jep ndihmë dhe ekspertizë autoriteteve shqiptare, si dhe përfaqësuesve të grupeve të shoqërisë civile, në konsultim dhe bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Shqipërisë dhe institucionet dhe organizatat e tjera shtetërore, duke u fokusuar në veçanti në: reformën legjislative dhe juridike, përfshirë atë të pronësisë, reformën rajonale administrative, reformën elektorale, anti-trafiku dhe anti-korrupsioni, përfshirë mbështetje për zbatimin e strategjive kombëtare, zhvillimi i ligjeve e rregulloreve të efektshme për mediat e pavarura e kodi i sjelljes i tyre, ndihmë për policinë, veçanërisht trajnime për policinë kufitare në koordinim me të tjerë.
16 Dhjetor 2008