Rama: “Berisha do të hapë dosjet e spiunëve për të mbyllur dosjet e korrupsionit”
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, e ka akuzuar kryeministrin Berisha se po përpiqet të kalojë ligjin për hapjen e dosjeve të spiunëve në mënyrë që të mbyllë dosjet e korrupsionit të qeverisë dhe të ministrave të tij. Rama u bëri thirrje kryeministrit Berisha dhe maxhorancës që të mos nxitohen të miratojnë në Kuvend ligjin në fjalë. Ai shprehu gatishmërinë e Partisë Socialiste për të kontribuar në realizimin e një ligji europian për çështjen e dosjeve të diktaturës komuniste. “Jemi ne, socialistët, përmes grupit tonë parlamentar, që kemi depozituar më shumë se dy vjet më parë në Kuvendin e Shqipërisë një projektligj për hapjen e dosjeve. Janë Sali Berisha, Jozefina Topalli dhe shpura e tyre që e ka kyçur atë në sirtar vetëm e vetëm për ta përdorur fabulën e spiunëve të diktaturës në funksion të interesave politike të ditës. Atyre u duhet kjo fabul pikërisht sot, në këtë ditë të keqe për maxhorancën e tyre pa mbështetje në popull, kur çdo shqiptar i ndershëm e partner i huaj i Shqipërisë kërkon zbardhjen e krimit shtetëror të Gërdecit, zbardhjen e krimit ekonomik me fondet e rrugës ‘Durrës-Kukës’, zbardhjen e aferave të oborrit kryeministror me sekserin serb të Sali Berishës, zbardhjen e vrasjes së të ndjerit Remzi Hoxha”, - deklaroi dje Rama gjatë një konference për shtyp, disa orë përpara fillimit të seancës plenare.
Akuzat
Rama e akuzoi kryeministrin Berisha se po përpiqet që të hapë dosjet e diktaturës komuniste në mënyrë që të mbyllë dosjet e diktaturës së korrupsionit, të shkaktuar nga qeverisja e tij. Ai e akuzoi kryeministrin Berisha si një propagandist të rëndomtë komunist. “Është e trishtueshme që pas 18 vitesh liri, fryma që karakterizon komunikimin publik dhe aksionin politik të Sali Berishës mbetet thelbësisht komuniste. Sali Berisha gënjen për arritjet e tij njësoj si një propagandist i rëndomtë komunist. Akuzon kundërshtarët e tij njësoj si një persekutor i zakonshëm komunist. Shpif ndaj atyre që nuk i pëlqejnë njësoj si një karrierist i zellshëm komunist. I fyen të tjerët njësoj si një fodull i prapambetur komunist. Dhe, më keq akoma, vepron kundër ligjit, kundër institucioneve dhe kundër kujtdo që i kundërvihet, njësoj si një bajraktar i pandreqshëm komunist. Sali Berisha thotë se projektligji i dosjeve është një arritje në rrugën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare. Gënjen!” - vijoi Rama.
Gjyqësori
Rama e akuzoi gjithashtu kryeministrin Berisha se me projektligjin e dosjeve po tenton të shkatërrojë pushtetin gjyqësor në Shqipëri. ”Sali Berisha kërkon të shkatërrojë pushtetin gjyqësor për të shpëtuar in extremis oborrtarët e tij nga hetimi e gjykimi i pavarur i dosjeve të mëdha të korrupsionit qeveritar. Projektligji që maxhoranca kërkon të kalojë në Kuvend jo vetëm nuk ka asgjë parimore, përkundrazi, është fund e krye një mekanizëm interesash klanore e korruptive, i cili synohet të ngrihet me dhunën e kartonëve duke shkelur çdo parim kushtetues. Jo vetëm nuk ndan maxhorancën nga opozita në qëndrimin ndaj diktaturës komuniste, përkundrazi, thellon hendekun mes pushtetit ekzekutiv e atij gjyqësor, për të mbrojtur diktaturën e korrupsionit, si dhe pa dyshim, ndan fare qartë vizionet tona thelbësisht të ndryshme lidhur me misionin e funksionin e sistemit të drejtësisë”, - tha Rama.
16 Dhjetor 2008