E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dosja Gërdeci ndahet në katër pjesë

Ngarkesa e madhe, vështirësia në hetim detyruan hetuesit të ndajnë hetimin

TIRANË- Prokuroria e Përgjithshme, nga hetimet 12 mujore arriti të dërgojë për gjykim pranë Gjykatës së Lartë 29 të pandehurit e akuzuar si përgjegjës për shpërthimin e Gërdecit, ndërsa, për hetimin e trafikut të fishekëve, korrupsionit, kompanisë amerikane SAC dhe grupit "hije" të kësaj fabrike janë veçuar hetimet.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, mësohet se institucioni i akuzës, i ka ndarë në katër dosje të tjera hetimore nga shpërthimi i Gërdecit, për vazhdim të hetimeve.

"Për shkak të ngarkesës së madhe dhe vështirësisë së hetimit të kësaj dosjeje, jemi detyruar që vetëm për shpërthimin e Gërdecit të dërgojmë në Gjykatë të Lartë për gjykim 29 të pandehur.


Ndërsa, hetimet për dyshimin e trafikut të fishekëve, hetimin ndaj shtetasit amerikanë Patrick Henry III si president i kompanisë "SAC", hetimin ndaj personave të njohur ndryshe si "grupit hije" që kryenin detyrat e përgjegjësve në këtë punishte si dhe për akuzat e "korrupsionit" në procesin e demontimit të këtyre municioneve dosjet janë ndarë në 4 vetë për vazhdim hetimi",-thanë burimet.

Sipas tyre, dyshimet për trafikun e fishekëve nuk mund të zbardhen pa ardhur letër-porositë edhe nga shteti i Qipros ku është dërguar letër-porosia për verifikimin e kompanisë "Edvin ltd" që kryente ndërmjetësimin mes AEY-së dhe MEICO-së.

Ndërkaq, për dosjen e hetimit ndaj presidentit të SAC-it nuk janë kompletuar pasi duhen përkthyer të gjitha materialet që ndodhen në fashikujt e hetimit ndaj 29 të pandehurve.

Ndërkohë, në lidhje me hetimet për personat e njohur ndryshe si "grupi hije" i Gërdecit, ka mungesë provash dhe është e nevojshme të hetohet edhe për disa muaj.

Ndërsa në lidhje me hetimin e korrupsionit, prokuroria saktësoi, se hetimet duhen zgjeruar edhe më tej përveç të të pandehurve të kësaj dosjeje, pasi ka elemente të veprës penale si në përpilimin dhe nënshkrimin e kontratave për demontimin e municioneve edhe për trafikun e dyshuar të armëve.

Dëmi nga shpërthimi 16 milionë

Sipas prokurorisë, nga hetimi 12- mujor i dosjes është provuar se ngjarja e 15 marsit 2008 ka shkaktuar vdekjen e 26 personave, plagosjen e rëndë të 11 personave, plagosjen e lehtë të 31 personave dhe dëmtime të natyrës më të lehtë të 260 personave të tjerë, pa përmendur këtu lëndimin e shëndetit mendor dhe emocional të një numri të konsiderueshëm personash të tjerë.

Ndërsa, si pasojë e shpërthimit, në Qarkun e Tiranës dhe të Durrësit janë dëmtuar 5413 banesa dhe objekte private, 32 biznese private dhe 34 ferma bujqësore.

Të gjitha dëmtimet e shkaktuara, sipas një vlerësimi paraprak, i akt-ekspertimit kontabël të datës 16 prill 2008, të Entit Kombëtar të Banesave, kap vlerën e 2.039.216.418 lekë të reja apo rreth 16 milionë euro.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›