Dosja “Gërdeci”, prokurorët përgatisin akuzat për pesë zyrtarë të tjerë
Habjon Hasani
Të gjithë prokurorët dhe oficerët e Policisë Gjyqësore, të angazhuar në hetimin e dosjes “Gërdeci”, kanë bërë gati raportet lidhur me rezultatet e tyre të hetimeve pas shtatë muajsh punë. Ka gjithsej tre grupe, të cilat janë ndarë në pistën e trafikimit të municioneve, abuzimit me pronën shtetërore dhe hetimin e aferës së fishekëve. Pas urdhrit të dy javëve më parë të prokurorit kryesues Zamir Shtylla, prokurorët dhe oficerët gjyqësorë kanë bërë gati relacionet përkatëse. “Albania” është interesuar pranë grupit të punës dhe ka mundur të informohet se prokurorët do të propozojnë këto tri ditë të analizës dhe komunikimin e akuzës për të paktën pesë zyrtarë të tjerë shtetërorë, që deri tani janë hetuar paraprakisht. Mes tyre do të jenë tre zyrtarë të Shtabit të Përgjithshëm, një punonjës i kompanisë shtetërore “MEICO” dhe një ish-zyrtar i nivelit të dytë në Ministrinë e Mbrojtjes. Te pestë personat janë cilësuar si të implikuar në historinë korruptive të Gërdecit, por vendimi final për kalimin ose jo të tyre në akuzë do të merret me anë të një aprovimi kolegjial të grupit të punës vetëm pasi të ketë përfunduar analiza dhe pasi të jenë dhënë direktivat për vazhdimin e hetimit.
Pyetet Muça
Prokurorët e dosjes “Gërdeci” kanë pohuar se kanë marrë në pyetje ish-përgjegjësin e punonjësve të fabrikës së Gërdecit, Veiz Muça. “Albania” u informua se grupi i prokurorëve e ka cilësuar si “shumë të rëndësishme” dëshminë e Muçës, ndërsa ky i fundit duket se ka folur pa komplekse për aktivitete dhe ngjarje shumë të rëndësishme që lidhen me aktorët dhe kapot kryesorë që bënin menaxhimin e municionit, por edhe për lidhjet mes Gërdecit dhe Rinasit. Emri i Veiz Muçës u bë publik fare pak kohë më parë, gjatë dëshmisë publike të Andi Belliut në Vizion Plus. Belliu, një ish-punonjës i Gërdecit, u pyet tri ditë më vonë zyrtarisht në prokurori. Prokuroria ka pyetur gjithashtu dhe personazhin e shumëpërfolur në media Rrahman Selmanllarin, i cili ka mohuar kategorikisht se kishte të bënte me këtë fabrikë, ndonëse prokurorët janë shprehur se kanë gjetur fakte se Selmanllari ka qenë përfaqësuesi shqiptar i kompanisë amerikane “Southern Ammunittion”, e cila ndante ortakërinë me Delijorgjin në Gërdec.
Part-time
Një tjetër fakt interesant lidhet dhe me ekonomisten e firmës së ndërtimit “Park Construction”, në pronësi të Mihal Delijorgjit. E njëjta ekonomiste rezultonte e punësuar part-time edhe në bazën e Rinasit, ku ripaketoheshin fishekët, por edhe në Gërdec. Ky fakt është trajtuar me kujdes nga prokurorët dhe ekonomistja në fjalë është marrë në pyetje. Mësohet se gjatë shpjegimeve të saj ka dhënë detaje me rëndësi. Të paktën ka qenë pikërisht kjo ekonomiste që ka detajuar dërgesat e parave nga Qiproja për në “MEICO” nga firma “Evdin lid”, por edhe disa detaje të tjera lidhur me borderotë e bazës së Rinasit dhe Fabrikës së Gërdecit. Por, përveç këtyre personazheve, nga grupi i prokurorëve janë siguruar dhe një numër prej mijëra fashikujsh me shkresa dhe udhëzime zyrtare, të cilat duket se në mënyrë të pakthyeshme do të shtojnë numrin e personave që do të ulen në bankën e të akuzuarve kur dosja të mbërrijë në gjykatë.
Prokuroria dërgon letër-porosi për Henri Tomein
Prokuroria shqiptare ka dërguar zyrtarisht një letër-porosi në Zvicër për marrjen në pyetje të Henri Tomeit. Por prokurorët e dinë mirë se Zvicra është vendi ku është stacionuar zyrtarisht si rezident Henri Tomei, pasi shkresat e sekuestruara kanë treguar se të gjitha marrëveshjet mes “AEY”-së, “Evdin ltd” dhe “MEICO”-s janë firmosur nga Adnan Sarajliç, një shtetas boshnjak, që ishte përfaqësues i firmës “Evdin” (në Zenica të Bosnjës). Gjithsesi, prokurorët janë treguar proceduralë duke kërkuar zyrtarisht Tomein, sipas adresës së njohur zyrtarisht në Zvicër. Tomei figuron pronar i firmës “Evdin ltd”, të regjistruar në Qipro, por të gjitha veprimet e shitjeve u kryen nga Adnan Sarajliç, personazh i cili kishte lënë dhe numrin e kontaktit në faqen zyrtare të firmës “Evdin ltd”, ndërsa “Albania” ka publikuar e para në Shqipëri tre muaj më parë identitetin e tij, pas investigimit dhe zbulimit që bëri revista “Dani” në Bosnjë. Ndër të tjera, letër-porosi është dërguar edhe në Qipro, ku kjo firmë është regjistruar për të mësuar diçka më shumë lidhur me pronarin real të kësaj firme, pasi Henri Tomei deri tani rezulton i panjohur dhe për vetë autoritetet zvicerane. Por duket se vetë fakti që Tomei ka lënë një përfaqësues boshnjak tregon se ai ka “baza të shëndosha” në këtë vend.
Procesi, disa dëshmitarë u thirrën për së dyti
Organi i akuzës ka vendosur pak javë më parë të rithërrasë disa dëshmitarë dhe të shtojë gamën e të pyeturve. Nga krahasimi që u është bërë dëshmive të dala në media me dëshmitë e siguruara zyrtarisht nga prokuroria u vërejt një hendek i madh. Ndërsa në procesverbalet e prokurorëve disa personazhe rezultonin si punëtorë të thjeshtë të fabrikës, në artikujt dhe dëshmitë e bëra publike të njëjtët personazhe dëshmohej se kishin pushtet të njëjtë me drejtorin Minxolli, madje në disa raste tejkalonin dhe kompetencat e tij. Nga verifikimet dhe krahasimet e dëshmive, grupi hetimor ka konstatuar se nga dëshmitarët nuk ishte “vjelë” informacioni më i rëndësishëm. Madje në shumë raste, sidomos gjatë dëshmive të marra fillimisht në Prokurorinë e Tiranës, dëshmitarët janë pyetur më shumë për oraret dhe kushtet e punës, sesa për njerëzit që drejtonin punët apo për episode domethënëse që mund të përshkruanin raportet e këtyre punonjësve (të thjeshtë në dukje) me krerët e fabrikës.
22 Tetor 2008