Presidenti Topi dekoron presidentin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje në një takim të shkurtër Majkëll Granof, drejtuesin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes. Gjatë këtij takimi presidenti Topi vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rolin vendimtar dhe mbështetjen institucionale të SHBA-ve për zhvillimin e Shqipërisë në fusha të ndryshme, duke shprehur njëkohësisht vlerësimin dhe mirënjohjen për punën dhe aktivitetin e Fondit Shqiptaro-Amerikan në nxitjen e projekteve dhe investimeve amerikane për zhvillimin e biznesit dhe rritjes ekonomike jo vetëm në vendin tonë, por në planin më të gjerë rajonal. Menjëherë pas takimit, presidenti Topi dekoroi me Medaljen e Mirënjohjes Xhefri T. Grifin, presidentin e Fondit Shqiptaro-Amerikan të Sipërmarrjes dhe ish-presidentin e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri në një ceremoni zyrtare të zhvilluar me këtë rast në Presidencë, ku ishin të pranishëm ambasadori amerikan në Tiranë, John L. Withers e përfaqësues të tjerë të politikës dhe diplomacisë. Presidenti Topi i dorëzoi z. Grifin medaljen e lartë duke i shprehur njëkohësisht urime dhe suksese në punën e tij në vijim.
8 Tetor 2009