Opozita: Zgjedhjet po futen në qorrsokak
Opozita e quan dëshpëruese situatën në të cilën ndodhet pajisja e qytetarëve me karta identiteti. Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, tha se qeveria po e fut në qorrsokak procesin e zgjedhjeve.
Deklaratat e tij u bënë pas takimit me delegacionin e Misionit të Vlerësimit të Nevojave të OSBE/ODIHR, i cili po viziton Shqipërinë për të vlerësuar kuadrin përgatitor të zgjedhjeve në vend.
“Ne e shohim me një shqetësim në rritje procesin e pajisjes së qytetarëve e qytetareve me karta identiteti. Të gjitha të dhënat janë shkurajuese dhe po bëhen dëshpëruese dhe për fat të keq qeveria vazhdon të tregojë paaftësi dhe mbi të gjitha papërgjegjshmëri për këtë proces, ku ka mbetur shumë pak kohë, ndërkohë që janë miliona ata që sot e gjithë ditën nuk e kanë kartën e identitetit dhe as nuk kanë aplikuar për këtë. Por ajo që është më shqetësuese, është kontingjenti i qytetarëve dhe qytetareve që nuk kanë as pasaportë dhe që përbëjnë në pjesën dërrmuese shtresën më të varfër të popullsisë, që e ka të pamundur të përballojë koston e kartës së identitetit dhe që ndërkohë sot e gjithë ditën është tërësisht jashtë procesit”, - tha Rama.
Kryetari i PS tha se kjo situatë po krijon hapësira për spekulime dhe manipulime.
“Ju jeni të vetëdijshëm, për faktin se ne deri sot kemi bërë ç’është e mundur për ta ndihmuar procesin, ne kemi bërë ç’është e mundur për të nxitur pjesëmarrjen në këtë proces, kemi bërë ç’është e mundur që ky proces të na nxjerrë të gjithëve faqebardhë, sepse, në qoftë se ata qindra-mijëra qytetarë e qytetare që nuk kanë pasaportë dhe nesër nuk do të kenë as kartën e identitetit, këto nuk mund të quhen më zgjedhje të lira e të ndershme që zhvillohen në Evropë.
Por, për fat të keq, nga ana tjetër, kemi hasur në mënyrë të vazhdueshme në të dhëna mjaft kuptimplota të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë, që po krijojnë një terren, që po përhapet me shpejtësi një hapësirë për spekulime dhe manipulime të mundshme”, - tha Rama.
Propozimet e PS
Kryetari i PS foli dhe për komisionin e posaçëm që është ngritur nga Kuvendi për monitorimin e përgatitjes së procesit.
“Komisionin “Ad Hoc” ne e propozuam si një instrument transparence, që i jep mundësi të zgjedhurve të popullit që të kenë akses të drejtpërdrejtë dhe të shpejtë në informacion lidhur me këtë proces dhe njëkohësisht krijon një filtër për të gjithë problematikën e procesit. Por, në vetvete ky komision nuk ka asnjë fuqi të veçantë mbi procesin, i cili është tërësisht në duart e qeverisë, pasi është qeveria ajo që duhet ta udhëheqë dhe ta garantojë këtë proces.
Të gjitha afatet janë shkelur, të gjitha kushtet janë shkelur, i gjithë procesi zhvillohet në shkelje të vazhdueshme të të gjitha atyre pikave që do të mund ta garantonin atë. Sot, praktikisht, jemi në prag të një situate dramatike, e cila rrezikon të kthehet në një situatë pa rrugëdalje”, - tha Rama.
Kryetari i PS deklaroi se sot do të ketë propozime konkrete për të dalë nga kjo situatë.
“Nesër ne do të bëjmë një propozim konkret dhe publik për t’i dhënë një tjetër shans procesit, me shpresën që qeveria nuk do të fshihet kokëfortësisht pas shifrave që tregojnë se procesi po shkon drejt dështimit dhe nuk do të qëndrojë kokëfortësisht në pozicionin që e karakterizon, sa herë që duhet të përballet me dështimin apo prag dështimin e vetë, por duhet të kuptojë se në këtë mënyrë, jo vetëm nuk po e menaxhon procesin në të mirë të zgjedhjeve dhe në të mirë të publikut, por përkundrazi, po e shkatërron procesin në dëm të zgjedhjeve, në dëm të publikut dhe pa dyshim në dëmin e vet, por kjo është gjëja më pak e rëndësishme për ne”, - tha Rama.
Pjesëmarrja në zgjedhje
I pyetur nëse kjo situatë do të bëjë që PS të mos marrë pjesë në zgjedhje, Rama tha: “Është shumë herët për të folur për çfarë duhet bërë, në rast se situata bëhet pa rrugëdalje dhe është koha maksimale për të folur për çka duhet bërë, që situata të mos bëhet pa rrugëdalje. Kështu si po ecim, po shkojmë drejt një qorrsokaku, për fajin ekskluziv të qeverisë dhe për shkak të paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë që i karakterizon këta zotërinj, të cilët si në të gjitha gjërat, edhe në këtë proces po tregojnë edhe njëherë tjetër që nuk e meritojnë të rrinë aty ku janë. Por, që t’iu japim mundësi qytetarëve, që t’iu japin këtyre zotërinjve atë që ata meritojnë, na duhet që t’iu japim qytetarëve mundësinë të kenë një dokument, pasaportë apo kartë identiteti, me të cilin ata të votojnë. Sot, të gjitha të dhënat na tregojnë se mundësitë e qytetarëve po shkojnë duke u kufizuar dhe mundësitë për abuzime, spekulime dhe manipulime me këtë proces po shkojnë duke u zgjeruar. Por ne nuk do të lejojmë të ndodhë asgjë e tillë, sepse do të bëjmë të pamundurën që në Shqipëri të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme.”