E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë për ekonominë pësojnë rënien më të madhe të viteve të fundit

Nga Fitim Zekthi

Sasia e kredive që kanë dhënë bankat e nivelit të dytë në vend për ekonominë gjatë dy muajve të parë të këtij viti ka pësuar uljen më të madhe të ritmit të rritjes mujore që prej një dekade. Të dhëna zyrtare të Bankës së Shqipërisë tregojnë se kredia e re është rritur me rreth 0,5% mesatarisht në këta dy muaj, ndërkohë që vitin e shkuar këta dy muaj njohën një rritje prej mbi 40%. Edhe krahasuar me muajt e fundit të këtij viti, përsëri rënia e ritmit të dhënies së kredive është shumë e dukshme dhe kap nivelin e mbi 34%, thonë të dhënat zyrtare. Kërkesa për kredi ka qenë e lartë dhe madje më e lartë sesa në muajt e mëparshëm, tregojnë vlerësimet e Ministrisë së Financave, por bankat kanë shtrënguar dhënien e kredive për shkak të presioneve në rritje të efekteve të krizës ekonomike. Rregullat e dhënies së kredive janë bërë më të ashpra dhe bankat kanë nisur të jenë shumë të ngurta duke kthyer mbrapsht shumë kërkues të kredive. Nevoja për likuiditet është bërë jetike tashmë në treg, pasi rënia e ritmit të rritjes së kredive është shoqëruar me një sërë të elementësh të tjerë që kanë ndikuar në situatën ekonomike në vend. Shitjet në ekonomi kanë pësuar rënie të qarta që shkojnë në sektorë të ndryshëm deri në 30%. Sektori që është rënduar më shumë nga rënia e shitjeve është ndërtimi, i cili është edhe një prej bizneseve që dominon kërkesat për kredi. Në thelb, kredidhënia për ekonominë është në nivele të mira, pasi ajo, pavarësisht rënies së madhe të ritmit të rritjes, vazhdon të mos zbresë poshtë niveleve të muajve të mëparshëm. Kredia për ekonominë në vend dhe në tërësi kredia e dhënë nga bankat e nivelit të dytë në vend është rritur me ritme shumë të larta tre vitet e fundit duke e tejkaluar me dy deri në tri herë ritmin e dhënies së kredive. Kreditë kanë qenë një prej elementëve që kanë ndihmuar më shumë ekonominë gjatë këtyre viteve dhe ulja e tyre në një kohë krize si e tashmja do të pasqyrohet në ekonominë e vendit. Saktësisht, sasia e kredive të reja gjatë muajve të fundit kap nivelin e mbi 130 milionë eurove, çka është realisht një shifër që dëshmon rënie.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›