E Shtunë, 31 Tetor 2026

Islami: “Si ndikohen votuesit nga sondazhet”

Autori i Lajmit: Suela Topi
Sondazhet e zhvilluara nga kompani ndërkombëtare janë ato më të besueshmet për publikun. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në Partinë Socialiste, Kastriot Islami, shpjegon për “Ballkan” se sa të besueshëm janë sondazhet parazgjedhore, si veprohet për realizimin e tyre dhe sa ndikojnë rezultatet e tyre tek partitë apo votuesit. Islami vlerëson zhvillimin e këtyre sondazheve, duke i konsideruar ato si pjesë e rëndësishme e fushatave moderne zgjedhore. Muajt e fundit janë publikuar një sërë sondazhesh, të cilat kanë nxitur edhe më tej akuzat dhe kundërakuzat mes partive politike si në spektrin e majtë ashtu dhe në atë të djathtë.

Zoti Islami, në periudhën para fushatave elektorale kompani të ndryshme të kontraktuara ose jo nga parti politike nxjerrin sondazhe, të cilat tregojnë për mbështetjen nga zgjedhësit të njërës palë apo të tjetrës. Sa të besueshme janë këto sondazhe?

Sondazhet e opinioneve përbëjnë një mekanizëm kompleks për të vlerësuar opinionin e votuesve përmes vëzhgimit të opinioneve të një numri të kufizuar votuesish që përbëjnë atë që quhet kampion i sondazhit. Mënyra sesi zhvillohen sondazhet quhet metodologji e sondazhit. Metodologjitë mund të jenë të ndryshme, por rezultatet e sondazheve nuk varen nga metodologjia, ndonëse gabimi në vlerësim mund të jetë paksa i ndryshëm gjatë aplikimit të metodologjive të ndryshme. Rezultatet e sondazheve janë komplekse dhe përgjithësisht përpiqen të japin me saktësi tendencën e sjelljes së elektoratit. Kompanitë e sondazheve përpiqen të jenë serioze, sepse të dhënat e tyre ballafaqohen me rezultatin final të zgjedhjeve, dhe jo rrallë herë publikohen sukseset e mossukseset e tyre të mëparshme. Për rrjedhojë, votuesit besojnë më shumë kompanitë serioze ndërkombëtare që kanë qenë serioze e të suksesshme në sondazhe të mëparshme.

Sa ndikon mënyra e përzgjedhjes së kampionëve të tyre në rezultatin e sondazheve?

Për përzgjedhjen e kampionit ka metodika standarde. Kampioni formohet nga bashkësia e disa zgjedhësve sipas një metodologjie të caktuar, në mënyrë që të përfaqësojë sa më mirë tërësinë e zgjedhësve. Sondazhet konceptohen zakonisht në mënyrë të tillë që të paraqesin sa më mirë opinionin e zgjedhësve. Fillimisht, personave në përbërje të kampionit, u bëhen një seri pyetjesh dhe prej përgjigjeve të tyre nxirren konkluzione për opinionin e të gjithë popullatës. Shifrat e sondazheve janë gjithnjë me një vlerë gabimi ose thuhet ndryshe se vlerat e tyre shtrihen në një interval që quhet interval besimi. Përmasat e kampionit lëvizin në kufijtë 500-1000 votues. Madhësia e kampionit ndikon në përcaktimin e gabimit të vlerësimit. Për një kampion me 1000 votues, gabimi është afërsisht 3 për qind dhe mund të zvogëlohet deri në 1 për qind, vetëm nëse kampioni rritet 10 herë, por kjo gjë rrit koston e sondazhit. Në gabimin me të cilin përcaktohen rezultatet e sondazheve, ndikojnë dhe faktorë të tjerë, të tillë si metodika, përdorimi i telefonit për të bërë pyetjet apo takimi i drejtpërdrejtë i votuesit, mënyra e pyetjes apo vetë pyetjet, numri i atyre që përgjigjen dhe i atyre që nuk përgjigjen, nëse vetë përgjigjet janë të sakta, etj.

Cila prej tyre mund të jenë më të besueshëm?

Kampionet përfaqësuese me madhësi në kufijtë 500-1000 votues mund të konsiderohen mjaftueshmërisht të besueshëm, nëse caktohen përmes metodikash standarde. Ky është një dimension i përshtatshëm për kampionin që siguron një gabim të pranueshëm në kufijtë 2-3 për qind dhe një kosto të arsyeshme të kryerjes së sondazheve.

Sa ndikon kjo në mënyrën e sjelljes më tej të partive politike, dhe të organizimit të tyre për zgjedhje?

Krahas sondazheve që publikohen ka edhe sondazhe që partitë kontraktojnë për qëllimet e tyre të organizimit të fushatave elektorale. Gjatë fushatave partitë politike paraqesin programet, premtimet dhe ekipet elektorale. Në varësi të tyre dhe të debateve që zhvillohen votuesit orientohen për të votuar. Kurse sondazhet janë një mjet i përshtatshëm për të vrojtuar sesi ndryshon opinioni i zgjedhësve në varësi të elementeve të ndryshme të fushatës. Nga ana tjetër, dinamika e vlerave të matura nga sondazhet ndihmon që të ndërtohet drejt apo të korrigjohet fushata elektorale.

Po tek votuesit kanë ndikim këto rezultate?

Nga literatura tregohet se sondazhet kanë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, por është e vështirë të paracaktohet nëse ndikimi i tyre do të ishte pozitiv apo negativ për njërën parti apo një tjetër. Por kjo nuk është vërtetuar në praktikë, sepse është e pamundur të vërtetohet. Kudo ka debate për këtë çështje.

Bisedoi: Suela Topi
Ky lajm është publikuar: 12/03/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›