E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kotorri, divorc me Dinamon: Nuk kthehem

Largimi i papritur i Elvis Kotorrit nga Dinamo, duke vënë në vështirësi sidomos trajnerin e portierëve, Ilir Bozhiqi, i cilit i duhet të punojë me një lojtar që nuk e njeh, ka gjetur më në fund një përgjigje nga i vetë i interesuar. 

 Kotorri është ndjerë i nënvlerësuar nga tekniku dinamovit, duke mos dashur të flasë keq në këtë mes për drejtuesit dinamovit. "Nuk u largova nga Mavrova mbasi kisha frikë të luftoja për vendin në formacion, mbasi edhe portieri më i mirë në botë nuk do të më trembte, jo më një portier që nuk njihet kush është, por nuk isha dakord me mënyrën e veprimit të trajnerit, prandaj edhe vendosa të largohem. Nuk ka rregulla loje, trajneri i huaj vjen me lojtarët e tij të besuar, duke mos parë më parë gjendjen dhe lojtarët që janë në skuadër si dhe rëndësinë e tyre për ekipin",-shprehet Kotorri. Portieri kampion, edhe pse pritet nga dinamovitët në Mavrovë, nuk ka ndërmend të luaj më për Dinamon. "Me gjithë respektin që kam dhe marrëdhëniet e mira që ruaj me drejtuesit e Dinamos dhe gjithë ambientin dinamovit, unë nuk do të kthehem më të luaj me këtë bluzë. Është një vendim i prerë i marrë nga ana ime dhe që nuk shoh asnjë mundësi për të ndryshuar vendim", thotë Kotorri. Një kontratë e lidh me Dinamon edhe për sezonin e ardhshëm, por portieri shpreson të prishë këtë lidhje në mënyrë konsensuale. "Për kontratën do të kërkojë mirëkuptim nga ana e drejtuesve të Dinamos, me të cilët kam marrëdhënie shumë të mira, dhe nuk e them këtë për ti kënaqur. Do të kërkojë të prish marrëdhëniet që kam me blutë për të vazhduar karrierën time në një ekip tjetër. Për momentin nuk ekziston asnjë mundësi që unë të vazhdojë të jem pjesë e Dinamos. Gjatë këtyre ditëve telefoni ka rënë shpesh dhe katër ekipet më të mira të kampionatin shqiptar kanë kërkuar të më kenë për sezonin e ardhshëm, por nuk besoj se është momenti për të menduar për ekipin e ardhshëm".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›