E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fortunat mban gjallë shpresat

Besa e Kavajës është mundur me rezultatin e ngushtë 2-1 nga Grasshopersi i Zyrihut, në ndeshjen e parë të turit të dytë të Kupës Intertoto të luajtur dje në Zvicër. 

 Një rezultat ky, që i jep mundësi ekipit shqiptar të shpresojë për kalimin në turin e tretë, pasi do t'i mjaftonte vetëm një fitore minimale për të fiksuar një arritje historike. Një gol i shënuar nga haitiani Herbi Fortunat në minutën e 83-të, që ka tronditur rrjetën pas një goditjeje me kokë ka zbehur fitoren e zviceranëve. Sipas medias vendase, ka qenë pikërisht sulmuesi me pasaportë franceze ai që ka spikatur në fushë për Besën, ndërkohë që lojtarët e tjerë kanë qenë në nivelin mesatar.
Faktori Luliç
Ka qenë pikërisht boshnjaku Senad Luliç njeriu i ndeshjes, pasi me dy golat e tij i ka siguruar fitoren Grasshopersit. Ka qenë mjaft e vështirë për ekipin zviceran që të ketë hapësira për të zhvilluar një lojë më të mirë, pasi ekipi shqiptar, sipas medias zvicerane, ka luajtur i tërhequr në mbrojtje dhe shumë i mbyllur, duke i ja vështirësuar jetën kundërshtarëve. Jo më kot trajneri Haxhiaj kishte zgjedhur skemën me një sulmues të vetëm në fushë. Besa ka pasur shumë pak raste për shënim në pjesën e parë, ashtu si edhe vendasit e Grasshopersit. Yasin Mikari ka provuar të rrezikojë portën e Besës me një gjuajtje nga larg, në rasti e parë të regjistruar. Ky rast tregoi se mënyra më e mirë për t'iu afruar golit ishte me gjuajtjet nga distanca dhe me krosa. Në pjesën e dytë vendasit u futën më të vendosur në fushë dhe ushtruan menjëherë nën presion miqtë. Në minutën e 48-të, Valori pati një rast të artë, kur goditja e tij me kokë u devijua në momentin e fundit në traversë nga portieri i Besës. Më tej, pasuan disa tentativa të lojtarëve të Grasshopersit me gjuajtje nga distanca. Në minutën e 66-të do të vinte edhe avantazhi i zviceranëve, me anë të Luliçit, cili bën një veprim të bukur e më pas lëshon një predhë nga 20 metra që përfundon në rrjetë.
Dopieta
Boshnjaku nuk ndalet me kaq, kur në minutën e 79-të bën të njëjtën gjë, duke tentuar nga një distancë prej 20 metrash me një goditje topazi dhe duke shënuar sërish. Nga ky moment ekipi i Grasshopersit duket se e lëshon lojën dhe neglizhon shumë në fushë. Përfiton Besa e Kavajës që në rastin e parë të rrezikshëm arrin të gjejë golin e vetëm që vlen shumë në fushë të huaj. Ka qenë sulmuesi i vetëm Herbi Fortunat njeriu që ka mbajtur shpresat gjallë për kalimin në turin e tretë. Pak sekonda më vonë ekipi i Besës mund të kishte barazuar rezultatin, pas një aksioni të bukur, por vendasit janë me fat. Gjithçka mbyllet këtu për takimin e parë, që u luajt në stadiumin e Volhlenit "Niedermatten" dhe që u ndoq nga vetëm 620 spektatorë. Ndeshja e kthimit do të luhet, më 12 korrik në stadiumin "Niko Dovana" të Durrësit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›