E Hënë, 2 Nëntor 2026

Dyshimi, kambisti u kishte borxh grabitësve

11/02/2005  Akuza, ekspertizë gjurmëve të gishtave, hetohet nëse janë përdorur armë policie

TIRANË – Hetuesit e Prokurorisë së Tiranës kanë në duar gjurmë të katër personave që grabitën dy ditë më parë kambistin Reshit Beja, 45 vjeç në Tiranë. Pas dëshmive të disa personave të shoqëruar, hetuesit kanë filluar të verifikojnë edhe mundësinë e një borxhi të tregtarit 45-vjeçar, ndaj personave që e kanë grabitur. Kjo, sipas hetuesve, është një pistë e pavërtetuar, e cila po verifikohet. Burimet zyrtare nga Prokuroria e Tiranës, pohuan se janë administruar disa gjurmë gishtash. “Ka gjurmë gishtash të gjetura në gëzhojat e breshërive. Në makinë janë gjetur të tjera gjurmë, të cilat janë sekret i hetimit”, pohuan burimet e hetimit nga organi i hetimeve në kryeqytet. Sipas tyre, gëzhojat mbeten prova kryesore e ngjarjes, ndërsa ka shumë shpresa për shenjat e gjetura në makinën BMV, e cila është gjetur e braktisur nga grabitësit. Ato janë gjetur në vendin ku katër grabitësit kanë qëlluar me breshëri në ajër, duke i marrë me forcë tregtarit një shumë prej 80 mijë lekësh të reja. “Gëzhojat po administrohen bashkë me gjurmët e gishtave që kanë mbetur mbi to, por edhe për ekspertizën e koalidimit, e cila do të përcaktojë armën”, vijuan burimet e hetimit. Sipas tyre, kambisti ka këmbëngulur në dyshimet e tij, se mes grabitësve ka patur efektiva të policisë.

Hipotezat

Deklarimet e 45-vjeçarit Reshit Beja as janë paragjykuar dhe as janë dëgjuar me entuziazëm nga hetuesit. Për ta, prania e efektivave të policisë në ngjarje është një version i pavërtetuar ende nga hetimi dhe një dyshim i lindur në mendjen e kambistit të dëmtuar nga veshja prej efektivave specialë e grabitësve. Megjithatë, kjo pistë, sipas hetuesve nuk përjashtohet. Fati i këtij versioni varet nga ekspertiza, e cila do të vërtetojë nëse gëzhojat kanë dalë nga armë të regjistruara të policisë, nga armë të përdorura në ndonjë krim tjetër të ndodhur më parë, apo nga mjete të tjera zjarri. Biznesmeni, i cili ditë më parë u ndodh në shënjestrën e një grabitjeje të organizuar me armë, është pronar i një agjencie të transfertave ndërkombëtare të parave “Uestern Union”. Hetuesit nuk e kanë mohuar faktin se kanë mundur të bëjnë një lidhje, mes makinës së përdorur në grabitje dhe autorëve të krimit. Në dosje ndodhet emri i shtetasit që e ka sjellë makinën nga Italia. Ai ai është marrë në pyetje dje nga hetuesit për të dhënë sqarime, nëse e kishte shitur BMV-në, dhe nëse po, kujt ia kishte dhënë atë. Grupi i hetimit ka shpresa të forta se, nëpërmjet këtij karremi do të shkojë tek emrat e grabitësve.

Pistat

Hetimi për grabitjen ende nuk ka njohur ndonjë pistë të besueshme. Prokurorët kanë vijuar dje të marrin në pyetje të dyshuarit e parë që janë shoqëruar, ndërsa pritet rezultati i ekspertizave. Pas dëshmive të disa personave të shoqëruar, hetuesit kanë filluar të verifikojnë edhe mundësinë e një borxhi të tregtarit 45-vjeçar, ndaj personave që e kanë grabitur. Kjo, sipas hetuesve, është një pistë e pavërtetuar, e cila po verifikohet. Pista tjetër është ajo e grabitjes së pastër me armë, për qëllime përfitimi. Në këtë rast, hetuesit besojnë se, autorët e grabitjes janë persona me precedentë penalë. Kjo pistë ndodhet në pozita më të forta, për shkak të veprimeve të grabitësve. Hetuesit i cilësojnë ato mjaft profesioniste. Veprimet janë kryer shpejt, gjurmët janë zhdukur në maksimum, nuk ka patur viktima, grabitja është bërë në një kohë kur policia e kishte gjithë vëmendjen, jo vetëm te siguria e ndeshjes Shqipëri-Ukrainë, por edhe te rezultati i saj.

Tre breshëri armësh pranë banesës

Reshit Beja, 45 vjeç, banor i kryeqytetit në lagjen pranë ish-fushës së Aviacionit, edhe dy ditë më parë nuk ka ndryshuar asgjë nga orari i zakonshëm i daljes në punë si çdo ditë. Vetëm 25 metra nga hyrja e pallatit në të cilin banon, ai bashkë me të shoqen janë ndodhur pranë tre breshërive të armëve automatike dhe kërkesës kërcënuese për të dorëzuar të gjitha paratë që kishte në çantë. Katër grabitësit ishin të veshur me uniforma identike me ato të forcave speciale të policisë dhe me aniplumb. Kambisti ka tentuar të largohet me makinën e tij, por nuk ka arritur asgjë, ndërsa pa u besuar syve, ka parë çantën e tij të largohej bashkë me grabitësit me një makinë BMV me targa italiane. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 07.20 të mëngjesit të dy ditëve më parë, kur Reshit Beja, bashkë me gruan e tij, niseshin për tek agjencia e tyre e transfertave të parave, në Laprakë. Pasi kanë marrë çantën, grabitësit janë larguar me shpejtësi në drejtim të rrugës së Durrësit, ndërsa disa orë më vonë, në Krujë është gjetur makina e grabitjes me xhamat e thyera nga të shtënat e kambistit, që ishte përgjigjur me armën që mbante me leje ndaj grabitësve.

Mister shuma e vjedhjes

Policia shpreh rezerva ndaj deklaratës së Reshit Bejës për shumën e grabitur nga banditët. Burime nga Komisariati i policisë nr.2, shprehen se kambisti 45-vjeçar nuk ka qëndruar korrekt në dëshminë e tij dhënë për blutë. "Kemi dyshime se ai e fsheh shumën e vërtetë që i kanë marrë hajdutët. Njëherë thotë 8 milionë lekë dhe më pas 30 milionë. Nuk dimë se cilit variant t'i besojmë për ta marrë në konsideratë gjatë hetimeve", saktësojnë burimet. Ka gjasa që ai rreket të keqinformojë, pasi ndjehet i pasigurtë. Pas sulmit të armatosur, Beja trembet nga ndonjë incident i dytë, me qëllim grabitjen e parave. Policia hedh sakaq dyshimet se 5 banditët kanë qenë të njohurit e kambistit, ose të paktën, të informuar nga njerëz të afërm të viktimës së tyre. Ndryshe nuk ka si ta dinin orarin e saktë të daljes së tij nga shtëpia dhe faktin që mbante shuma të mëdha parash me vete. Reshit Beja nuk ka qenë fort miqësor me mediat, që ditën kur ra pre e vjedhësve. Ai nuk pranoi të jepte asnjë deklaratë për gazetarët për atë që i ndodhi te dera e pallatit ku banonte. Blutë janë të mendimit se në të tilla raste, viktimat bëhen shumë agresivë dhe janë skeptikë ndaj të gjithë njerëzve, pasi përjetojnë momente të tilla. Ndoshta, kjo është dhe arsyeja kryesore që e shtyn pronarin e "Uestern Union" të rrëfejë luftën me maskat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›