E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kambisti i grabitur, mister shuma

11/02/2005  Policia shpreh rezerva ndaj deklaratës së Reshit Bejos për shumën e grabitur nga banditët. Burime nga Komisariati i policisë nr.2, shprehen se kambisti 45-vjeçar nuk ka qëndruar korrekt në dëshminë e tij dhënë për blutë. "Kemi dyshime se ai e fsheh shumën e vërtetë që i kanë marrë hajdutët. Njëherë thotë 8 milionë lekë dhe më pas 30 milionë. Nuk dimë se cilit variant t'i besojmë për ta marrë në konsideratë gjatë hetimeve", saktësojnë burimet. Ka gjasa që ai rreket të keqinformojë, pasi ndjehet i pasigurtë. Pas sulmit të armatosur, Bejo trembet nga ndonjë incident i dytë, me qëllim grabitjen e parave. Policia hedh sakaq dyshimet se 5 banditët kanë qenë të njohurit e kambistit. Ose të paktën, të informuar nga njerëz të afërm të viktimës së tyre. Ndryshe nuk ka si ta dinin orarin e saktë të daljes së tij nga shtëpia dhe faktin që mbante shuma të mëdha parash me vete. Reshit Bejo nuk ka qenë fort miqësor me mediat, që ditën kur ra pre e vjedhësve. Ai nuk pranoi të jepte asnjë deklaratë për gazetarëve për atë që i ndodhi te dera e pallatit ku banonte. Blutë janë të mendimit se në të tilla raste, viktimat bëhen shumë agresivë dhe janë skeptikë ndaj të gjithë njerëzve, pasi përjetojnë momente të tilla. Ndoshta, kjo është dhe arsyeja kryesore që e shtyn pronarin e "Uestern Union" të rrëfejë luftën me maskat.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›