Meta: Zero TVSH për të gjithë llojet e librave në Shqipëri
Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, vizitoi dje një nga libraritë e kryeqytetit i shoqëruar nga kandidati i LSI-së për deputet në Tiranë, Ilir Dashi, ku bashkëbisedoi jo vetëm me tregtuesit e librit, por edhe me klientë, dashamirës të librit në përgjithësi. Gjatë kësaj vizite Meta u shpreh se, “është një kënaqësi të vizitoj sërish këtë librari dhe të shpreh mbështetjen time më të madhe për të gjithë krijuesit, për të gjithë botuesit dhe për të gjithë ata që dëshirojnë të investojnë në këtë lloj aktiviteti kaq të rëndësishëm të shoqërisë sonë. “Duke shprehur vendosmërinë e LSI-së që me fitoren e 28 Qershorit, të ndihmojmë librin, të ndihmojmë krijuesit, të ndihmojmë botuesit duke e bërë zero TVSH-në, për të gjithë llojet e librave, dhe jo vetëm për librat shkollorë, por edhe për librin historik e artistik dhe kështu me radhë. Së dyti, ne angazhohemi për të bërë zero tatimin mbi të ardhurat, mbi honoraret e shkrimtarëve, pasi dhe ata janë të kufizuar për të mbështetur librin përmes gjithë atyre politikave dhe projekteve të Ministrisë së Kulturës, që do të jenë transparente dhe jo klienteliste, sikurse kanë qenë për fat të keq një pjesë e mirë e tyre deri tani”, tha Meta. Kreu i LSI-së shprehu angazhim për të ndihmuar në veçanti të gjitha familjet shqiptare në drejtim të pajisjeve të fëmijëve me librat shkollorë dhe për të rimbursuar të gjithë librat shkollorë të arsimit të detyrueshëm 9-vjeçar. “Ne mendojmë që është e domosdoshme t’i kushtojmë më shumë vëmendje librit. Sepse nuk mundet që libri të trajtohet si një aktivitet i zakonshëm biznesi. Ne jemi një shoqëri që kemi nevojë për kulturën, për të investuar më shumë për historinë tonë dhe për të ndihmuar të gjithë krijuesit dhe talentet në këtë fushë”, tha Meta.